Përparim Kovaçi: Po luhet një Superiore e mirë, kryesueset bëjnë diferencën në tregues cilësorë

1042
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Mjeshtri i Madh i futbollit shqiptar dhe atij beratas, ja fokusi i tij për shtatë javët e luajtura
Tomori juaj është jashtë Kategorisë Superiore, po ju e keni ndjekur ritmikën e ndeshjeve të saj?
Të themi Tomori i Beratit, qytetit tim. Natyrisht e ndjek, sepse është e pamundur që të jem jashtë realitetit pa futboll. Ndjekja e Superiores nuk kushtëzohet nga skuadra e Tomorit që luan në Kategorinë e Parë, sepse atë e ndjek në ritmikë, në çdo kategori.

Cili është këndvështrimi juaj për 35 ndeshjet e luajtura në shtatë javë të Kategorisë Superiore?
Mendoj se janë luajtur ndeshje në përgjithësi të mira, me nivel dhe mesatare, por që gjithsesi, kanë qenë shtatë javë, të cilat nuk i kanë ngjarë njëra-tjetrës në lojë dhe në rezultate. Duke veçuar Skënderbeun me më shumë stabilitet në këto javë.

Që do të thotë se ndeshjet e luajtura më shumë anojnë në mesataren e tyre?
Me “thikë”nuk mund ti pres, e të them se ishin kaq ndeshje të dobëta, të tjerat të mira apo shumë të mira. Por, Partizani-Skënderbeu, Teuta-Flamurtari, ndoshta edhe Kukësi-Skënderbeu, janë ndeshjet ku në këto shtatë javë kanë bërë të veçantën në shumë tregues,

Nisur nga renditja aktuale, janë skuadrat në pozicione të merituara, apo ju e mendoni ndryshe?
Flamurtari e më pas Partizani, kanë treguar se do të jenë rivalë në vendet e kreut, por deri tani nuk kanë bindur për titullin kampion. Ndërsa për skuadrat e tjera që janë në mesin e renditjes, do të duhet më shumë punë që ti mbajnë këto pozicione, sepse kampionati sa vjen e bëhet më i vështirë.

Kësisoj, skuadrat që renditen në vendet e fundit do ta kenë edhe më të vështirë vazhdimësinë?
Vështirësia vjen natyrshëm për çdo skuadër në pozicionin që ka. Dhe skuadrat e vendeve të fundit do ta kenë edhe më të vështirë punën e tyre në tre fazat e tjera, sepse kontingjentet që kanë në dispozicion, nuk i garantojnë për më shumë.

Mendoni se të gjitha skuadrat po japin më të mirën e tyre në këto javë, jo vetëm në fushë, por edhe në organizim e menaxhim?
Këtu mendoj se duhen ndarë gjërat. Nga fusha në menaxhim, janë dy detyra të ndryshme për një qëllim të përbashkët. Por, qartazi duket se skuadrat që renditen në vendet e kreut janë më të organizuar e menaxhuara, njëherësh kanë në bankinë trajnerë seriozë e të përgatitur. 

Po te skuadra e tjera, çfarë mendoni se mungon?
Jo vetëm te skuadrat e mesit e të fundit në renditje, por edhe tek ato të kreut ka mangësi, por ato nuk janë të njëjta për çdo skuadër, e nga ana tjetër, nuk mund të menaxhohen njësoj. Gjithçka varet nga mundësitë financiare dhe potencialet që ka çdo skuadër.

Kanë ndikuar gjykimet në ecurinë e garës në këto shtatë javë të Superiores?
Unë nuk do ti mendoja arbitrat si faktorë vetëm të mangësive që janë vërejtur në këto shtatë javë, qoftë edhe në gjykimet e tyre. Deri tani gabimet e arbitrave unë i konsideroj njerëzore, me idenë e përmirësimit më të shpejtë në nivelin e gjykimit nga ana e tyre. Duhen më shumë 

Po ndeshjet e javës së tetë, si i shikoni?
Do të jenë përballje të vështira për çdo skuadër. Ndeshjet sa vijnë e bëhen më të vështira për çdo skuadër, por unë do të prisja këtë javë lojë të mirë në Korçë, Skënderbeu-Luftëtari dhe në Tiranë, Partizani-Flamurtari. Ndeshjet e tjera i mendoj të orientuara nga skuadrat pritëse.
Nga fusha në menaxhim, janë dy detyra të ndryshme për një qëllim të përbashkët. Por, qartazi duket se skuadrat që renditen në vendet e kreut janë më të organizuar e menaxhuara, njëherësh kanë në bankinë trajnerë seriozë e të përgatitur 
1 herë
Përparim Kovaçi është golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë në sezonin 1979-1980 me 18 gola
Ndeshjet-Java e tetë
Sot, 28 tetor 2017 
Lushnja-Teuta 14:00
Skënderbeu-Lufëtari 17:00
Nesër, 29 tetor 2017 
Kukësi-Vllaznia 14:00
Partizani-Flamurtari 17:00
Të hënën, 30 tetor 2017 
Laçi-Kamza 14:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 7 19
2.Kukësi 7 16
3.Flamurtari 7 12
4.Partizani 7 11
5.Laçi 7 10
6.Kamza 7 9
7.Teuta 7 7 
8.Vllaznia 7 5
9.Luftëtari 7 5
10.Lushnja 7 2
Sigal