Partizani, Starova: Kundërshtari i fortë, por ne synojmë kualifikimin

417
Pas miqësores me Renovën, e cila u mbyll në barazim 2-2, trajneri Sulejman Starova pohoi se Partizani nuk pati fat në short, por ka bindje se ekipi do të jetë gati për Europë.
Tani njihni emrin e kundërshtarit në Europë. Si është gjendja e Partizanit para sfidës së parë me norvegjezët e Stromsgodset?
Kundërshtarin e Ligës së Europës nuk e njohim mirë, por do ta njohim edhe më mirë në të ardhmen. Na ka rënë një nga kundërshtarët më të fortë, nga tre që ishin. Kanë avantazhin se janë në mesin e kampionatit, por kjo nuk i ndryshon objektivat tona që të arrijmë kualifikimin. Na ka shërbyer kjo periudhë e shkurtër stërvitore, por edhe dy ndeshjet miqësore me Renovën. Duhet të riparojmë disa gjëra të vogla te skuadra, por në përgjithësi jam i kënaqur nga mënyra e lojës së ekipit. Pra, duhet të riparojmë disa gjëra të vogla dhe të bëhemi gati për këtë betejë.
Ndaj Renovës, ekipi pati disa mundësi shënimi. Ju shqetëson fakti se Partizani vijon të vuajë problemin e së shkuarës, shpërdorimin e shpeshtë të rasteve para portës kundërshtare?
Nuk mbetet problem finalizimi, pasi s’e kemi filluar akoma garën. Nuk ka gjë të trashëguar, është vetëm fillimi. Këto janë avantazhet që ka kundërshtari dhe shpresojmë t’i rregullojmë, pasi me dhjetë seanca stërvitore nuk mund të përmirësojmë shumë. Shpresoj që në ditët në vijim do të bëjmë edhe më mirë, pasi do të ulim ngarkesën stërvitore, e cila ka qenë maksimale. Pra, pas kësaj miqë- soreje, përgatitjet vijojnë si ndeshje kampionati me ngarkesë më të ulët, kështu që gjithçka do të shkojë në rrugën e duhur dhe lojtarët do të kenë kohë që të mos i humbin golat ashtu.
Mund të na thotë diçka trajneri Starova për sulmuesin italian që ka ardhur në provë. Ka ndonjë vendim rreth tij?
Ne i kemi dyert e hapura dhe gjatë gjithë vitit do të provojmë futbollistë. Kush na pëlqen, do ta mbajmë; kush nuk na pëlqen, do ta largojmë.
Pas Renovës keni planifikuar ndonjë miqësore tjetër?
Miqësore mund të luajmë me veten tonë ose me të rinjtë. Ndeshja e parë e Europës vjen shumë shpejt, kështu që nuk kemi shumë kohë. 
Sigal