Partizani firmos me Liridon Ahmeti

204

Mbrojtësi kosovar do të jetë pjesë e të kuqve për dy sezonet në vijim. Përforcimi i dytë dimëror

Partizani realizon goditjen e dytë në merkaton dimërore, duke shfaqur dëshirën për të ndërtuar një skuadër kompetitive për titullin kampion, nisur dhe nga fakti se është eliminuar nga Kupa e Shqipërisë. Liridon Ahmeti është blerja më e re e 15 herë kampionëve të vendit, të cilët e mbyllën në vendin e dytë fazën e parë me shtatë pikë më pak se Skënderbeu kryesues, kur kanë mbetur edhe 17 javë për t’u luajtur. Mbrojtësi kosovar Liridon Ahmeti do të jetë pjesë e të kuqve për dy sezonet në vijim falë kontratës së nënshkruar mesditën e djeshme me drejtuesit e klubit. Përgjatë gjysmës së parë të këtij sezoni lojtari 28 vjeçar ishte pjesë e Llamkos Kosova, ekip i cili aktualisht kryeson Superligën Kosovare. Pas sulmuesit Ersen Sali, Ahmeti është zyrtarisht përforcimi i dytë i Partizanit në merkaton e janarit. Lojtari nga Maqedonia Ersen Sali është anëtari me i ri i skuadrës së Partizanit. Klubi dhe lojtari kanë qënë dakord për të nënshkruar një kontratë 2-vjeçare. Sali ka luajtur në pjesën e parë të sezonit me ekipin e Renova-s ndërkohë që më parë ka luajtur për Daçian (Rumani), Shkëndijën e Tetovës, etj. Sali luan si qendërsulmues dhe përdor këmbën e majtë. Ai është 26 vjeç dhe 185 cm i gjatë.

   Dragan Cadikovski, në provë te Tirana

 Sulmuesi Dragan Cadikovski pritet të jetë blerja e bujshme gjatë merkatos dimërore të Tiranës. Maqedonasi aktualisht aktivizohet me Celje në kampionatin slloven. 31- vjecari i lindur në Beograd, ka luajtur në skuadra me emër, si Zenit në kampionatin rus, me Partizanin e Beogradit, pa harruar edhe skuadrat e njohura sllovene si Domzale Olimpija apo Koper. Sulmuesi 31 vjecar ka qënë pjesë e kombëtares maqedonase, ku në periudhën 2004-05 ka luajtur 8 ndeshje por pa mundur të shënojë gol. Në 13 ndeshje këtë sezon në kampionatin slloven me Celje, Cadikovski ka shënuar dy gola, njëri prej të cilëve në transfertën me kryesuesit e Mariborit, duke i dhënë një pikë skuadrës së tij. Përfaqësuesit e Cadikovskit kanë pranuar të nisin bisedimet me klubin bardheblu, por nuk kanë pranuar periudhë prove për sulmuesin, pasi është një lojtar në aktivitet.

 Bajram Jashanica rikthehet te Skendërbeu

 Bajram Jashanica, kosovari i huazuar te Besa gjatë pjesës së parë të sezonit, është rikthyer te Skënderbeu. Kampionët në fuqi zotërojnë kartonin e tij, ndërkohë që ai pritet të udhëtojë me skuadrën në drejtim të Portugalisë, atje ku kuqebardhët korçarë do të zhvillojnë fazën përgatitore. Lideri i Kategorisë Superiore është rikthyer në fushë për të përgatitur sa më mirë sulmin drejt konfirmimit kampion në pjesën e dytë të sezonit. Kryesuesit e kampionatit kanë nisur fazën përgatitore në shtëpinë e tyre, në kompleksin “Tropikal” në Durrës. Trajneri Mirel Josa thekson se grupi nuk ndryshon dhe çështjet në fjalë janë midis drejtuesve dhe futbollistëve, që do ti bashkohen skuadrës në fazën përgatitore që do të zhvillohet në Portugali. Ndeshja e parë zyrtare e këtij sezoni do të jetë ndaj Vllaznisë në Korçë, ashtu siç ndodhi edhe një vit më parë. Trajneri i kampionëve kërkon nga futbollistët që humbja e 8 shkurtit të 2013 të jetë një mësim për të evituar një tjetër dështim.

 Mateo Zefi, blerja e parë e Vllaznisë

 Mateo Zefi është blerja e parë e Vllaznisë gjatë merkatos dimërore. Edhe pse nuk konsiderohet ndonjë blerje e bujshme por pritet të jetë një futbollist i së ardhmes për Vllazninë. Bëhet fjalë për futbollistin Mateo Zefi. Ai ka hedhur firmë në kontratë paraditen e sotme duke qenë kësisoj tashmë futbollist i kësaj skuadre. Zefi që mbush në muajin prill 20 vjeç, ka luajtur sezonin e kaluar tek Ada ku ka spikatur me lojën e tij pavarësisht moshës së re. Ndërkohë në pranverën e këtij viti është aktivizuar për disa muaj në futbollin suedez dhe pas kthimit nga ky vend, është stërvitur me Vllazninë. Kontrata e Zefit është 3 vite e gjysmë dhe gjatë kësaj periudhe ky futbollist pritet të tregojë më së miri vlerat e tij. Mateo Zefi luan në disa pozicione si në mesfushë dhe në mbrojtje. Pas firmës së këtij futbollisti, pritet që në ditët në vazhdim të ketë të tjera firma sepse skuadra pritet të kompletohet në organikën e saj për gjysmën e dytë të sezonit.

 Ronaldo, bamirësi për fëmijën me kancer

 Histori reale dhe shumë e veçantë! Kristiano Ronaldo mbrëmë ka ftuar një tifoz special, me emrin Jorgen, në ndeshjen ndaj Celta Vigos. Ky fëmijë fatkeqësisht është i sëmurë me kancer dhe sulmuesi portugez ka bërë të mundur që ky djalosh të ndiqte ndeshjen nga zona VIP. Kristiano ka dëgjuar për historinë e tij dhe madje e ka takuar personalisht për t’i dhënë lajmin e mirë.

“Ishte një ëndërr për mua dhe e vërteta është se unë jam pafundësisht mirënjohës për atë që CR7 ka bërë. Kjo është diçka shumë emocionale për mua, sepse kurrë nuk kam menduar se do të ndodhë me mua. Unë isha në zonën VIP me gjithë familjen time”, u shpreh Jorge i vogël. Një gjest unikal nga Ronaldo, që dëshmon edhe një herë se në jetën reale nuk është aq arrogant sa ç’duket në televizor.