Kampionati i notit për fëmijë nis me rekorde

854
Sigal

Ministrja Besa Shahini: T’i bëjmë fëmijët të merren me sport, larg nga obeziteti e veset e këqija

Presidenti i FSHN, Agim Çiraku: Prania e ministres, mbështetje për sportin e notit

Nis kampionati i grupmoshave, ministrja Besa Shahini premton më shumë mbështetje për sportin. Presidenti i FSHN Agim Çiraku pret rezultate dhe rekorde

 

Kampionati Kombëtar i Notit për fëmijë – Rivalitet dhe rekorde në garën e të vegjëlve

 

Gjergj Vyshka

 

Kampionati Kombëtar i Notit për fëmijë ka ngritur dje siparin e tij në kompleksin e Pishinave të Akuadromit. Nëntë ekipe, të tilla si Te Stela, Tirana, Teuta, Partizani, Eagles, Vlora Sport Not, Tirana Delfina Sport etj., kanë sjellë në pishinë 150 notarë. Do të konkurrohet në tre kategori moshash, si për djem, ashtu dhe për vajza, të cilat janë të datëlindjeve 2009 e më të vegjël, datëlindja 2007-2008 dhe datëlindja 2005-2006. Skuadrat kanë bërë parakalimin e tyre në ceremoninë e hapjes, teksa më pas u përgatitën për garimin që startoi në orën 10 të mëngjesit, duke vazhduar deri në mbrëmje. Mbi shtatë rekorde janë thyer në ditën e parë të aktivitetit, çka e bën më konkurrues kampionatin kombëtar të fëmijëve, që ka shumë rivalitet e, mbi të gjitha, cilësi. Jo vetëm në pjesëmarrje, por dhe në atë drejtim që bën gjyqtaria e Federatës Shqiptare të Notit. E veçanta e këtij eventi ishte pjesëmarrja e ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, prania e së cilës, i ka rritur vlerat këtij kampionati të fëmijëve. Prezenca e ministres e ka bërë më të kënaqur dhe Presidentin e Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, i cili më tej tregoi dhe pritshmëritë e tij për këtë kampionat. Kampionati kombëtar i fëmijëve në not përfundon të enjten në mbrëmje për t’i lënë radhën më pas Kupës së Shqipërisë për të rritur, por dhe aktiviteteve ndërkombëtare në radhë.

Ministrja Besa Shahini: T’i bëjmë fëmijët të merren me sport, larg nga obeziteti e veset e këqija

E pranishme në ditën e parë të Kampionatit Kombëtar të Notit për fëmijë, ministra e Arsimit, Sportit e Rinisë Besa Shahini vuri theksin te rëndësia që kanë aktivitetet sportive për fëmijët. Sipas Shahinit, detyra e ministrisë që ajo drejton është krijimi i kushteve sa më të mira për notarët e vegjël në mënyrë që të kemi dhe një përfaqësim të denjë edhe në aktivitetet ndërkombëtare. Më tej ministrja u shpreh, se do të ishte më e pranishme në aktivitetet sportive të moshave të reja, në mënyrë që të adresohen dhe problematikat që kanë të bëjnë me obezitetin dhe kequshqyerjen.

 

– Për herë të parë në një pishinë, çfarë përshtypje ju jep ky i aktivitet i parë i notit nën vëzhgimin tuaj?

– Unë erdha sot t’i shoh notarët e vegjël, t’i shoh pak se si po e bëjnë këtë garë kombëtare. Ideja është që në vijim dua të vizitoj të gjitha sportet ku kemi garat e më të vegjëlve, që të shohim se si mund t’i frymëzojmë të gjithë fëmijët që të merren sa më shumë me sport. Këtu gara është e mirëorganizuar. Po më pëlqen që fëmijët janë stërvitur mjaftueshëm mirë dhe paska një frymë të mirë gare. Ideja është, ashtu sikurse thashë dhe më parë, që fëmijët të stërviten sa më mirë, ndërsa detyra jonë është t’u krijojmë kushte të mira. Kështu që do të shohim në vijim se si mund ta ndihmojmë sportin e mirë të notit dhe notarët e vegjël që të na përfaqësojnë denjësisht edhe në garat ndërkombëtare.

– Mirëpo sporti shqiptar gjithnjë ankohet për mungesë financash. Kërkohet një ligj sponsorizimi. A do të mund të bëhet?

– Me Ligjin e sponsorizimit po merret zëvendësministri dhe Ministria e Financave. Po merren edhe unë vetë. Kryeministri ka një vëmendje të veçantë për shkak se gjithsesi duhet të rritet financimi në sport. Por nuk është vetëm sporti, sepse kemi nevojë të rrisim financat në të gjitha fushat që mbulon Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Dhe do të përpiqemi maksimalisht që të arrijmë këtë qëllim. Nëse jo tani në verë, gjithsesi deri në vjeshtë të kemi një bazë më të mirë për të rritur financimin në sport.

– Sporti jonë gjithmonë bën paralele me Kosovën, kjo edhe për mënyrën e financimit, por dhe për nivelin. Duket sikur bëhet pjesa jonë xheloze karshi rritjes së sportit kosovar…

– Kjo xhelozi është e mirë se na fut në garë. Domethënë, sa më shumë të kemi modele që t’i marrim parasysh, aq më mirë është që të rrisim nivelin edhe në politikëbërje, edhe në financim, por edhe në realizimin e objektivave në garat e ndryshme sportive.

 

– Së fundi, a duhet të jeni më e pranishme në aktivitetet sportive?

– Ende më e pranishme, absolutisht. Dhe këtë e thashë dhe në fillim që gjithsesi do të shkoj në të gjitha aktivitetet sportive, sidomos ku marrin pjesë fëmijët. Sepse, jo vetëm që dua t’i mbështes fëmijët e vegjël, por dua të shoh se si mund t’i japim më tepër fisibilitet garës sportive që të frymëzojmë sa më shumë fëmijë, që të merren sa më shumë me sport, dhe të adresojmë dhe disa problematika të tjera që kemi me obezitetin, apo kequshqyerjen. Pra do të bëjmë një ndërthurje sa më të mirë të të gjitha fushave që mbulon Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Presidenti i FSHN, Agim Çiraku: Prania e ministres, pozitive. Shpresoj për më shumë mbështetje për notin

Si gjithnjë pjesëmarrës në aktivitetet sportive të notit shqiptar, Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku shprehu dhe njëherë përkushtimin dhe vëmendjen maksimale në evidentimin dhe zhvillimin e këtij sporti tradicional në Shqipëri. Kreu i federatës vlerësoi pozitivisht praninë e ministres së Arsimit, Sportit e Rinisë, Besa Shahini në Kampionatin Kombëtar të Notit për fëmijë, duke deklaruar se shpreson më shumë mbështetje nga ky institucion. Presidenti Çiraku u shpreh i bindur se ashtu si në çdo event të mëparshëm të notit, edhe këtë radhë, rezultatet do të jenë të mira, të shoqëruara me rekorde.

– Për herë të parë prezenca e ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë në kampionatin e notit, a do të thotë që do të kemi më tepër mbështetje për sportet e ujit?

– Besoj se po! Vetë prezenca e ministres në Kampionatin Kombëtar të fëmijëve të notit, i cili zhvillohet në Tiranë, tregon një kujdes pak më të madh dhe më të mirë se herët e tjera nga Ministria për sportin e notit. Ne ministren e kemi pasur dhe herë të tjera, kemi zhvilluar seminare të ndryshme për dhunën në sport. Por me thënë të drejtën sot ishte një eveniment i veçantë që ministrja ishte e pranishme në hapjen e kampionatit tonë kombëtar të fëmijëve. Kështu që besoj se edhe do të ketë shumë nga pas pasoja më të mira, sepse do të ketë një interes më të madh për sportin e notit.

– Realisht, çfarë prisni nga ky kampionat fëmijësh: 9 ekipe, 150 notarë në pishinë të ndarë në tre kategori moshash…

– Si gjithmonë sporti i notit ka pasur rezultate të mira. Çdo kampionat ka pasur thyerje rekordesh dhe thyerje rekordesh në numër të konsiderueshëm. Kam bindjen që edhe këtë radhë noti do të ketë rezultate të mira, do të ketë rekorde. Fëmijët janë përgatitur, trajnerët janë përgatitur, dhe them se do të ketë rezultate shumë të mira.