Agim Çiraku: I ri, mes miqve dhe shokëve të mi

102

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, jo vetëm që ka garuar, por nënvizon se është detyrë e institucionit që ai drejton për t’i kujtuar të rinjve që ky sport ka nisur 100 vjet më parë

Gjergj Vyshka

Me thënë të drejtën, në këtë aktivitet me veteranët, më duket vetja i ri”. Ky ka qenë thelbi i intervistës së Presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, për gazetën “Telegraf” mbi takimin e brezave. Në tre gara është fitues, ndërsa edhe në vitet 70, 72 dhe 73, kur përfaqësonte Tiranën dhe Dinamon, ishte kampion. Është ndjerë mirë mes shokëve dhe miqve të tij, ndërsa shpjegon se për notarët e sotëm ka shumë modele. Pasi, sipas tij, noti nuk ka nisur sot, por ka 100 vjet që zhvillohet në Shqipëri. Pikërisht nga këta notarë, që sot i kanë kaluar të 60-tat, ndërsa kanë sakrifikuar gjithçka nga rinia. E në këtë mënyrë veteranët kujtojnë njëri-tjetrin, ndërsa intervista e presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, është shumë sensibilizuese. Sepse të rinjtë duhet të kthejnë kokën prapa e të shohin cilët kanë qenë paraardhësit e tyre.

 

  • Zoti Çiraku si ndiheni mes bashkudhëtarëve tuaj në sportin e notit?

 

  • Me të thënë të drejtën në këtë aktivitet me veteranët më duket vetja i ri. Më kujtohen vitet 70, 72, 73, kur kemi notuar, në kohën tonë, këtu e 40 e ca vite të shkuara. Ishte një takim brezash. U takuam miq, shokë dhe notarë të vjetër. U takuam për të realizuar gara të ndryshme simbolike. Natyrisht u mblodhëm dhe për të treguar historitë tona, sepse kemi se çfarë të tregojmë për garat që kemi kaluar. Një takim shumë i bukur!

 

  • Në fakt të njëjtën pyetje ia kam bërë edhe trajnerit Mema. Për të rinjtë e sotëm, sa e njohin ata historinë e notit shqiptar?

 

  • Shiko! Tek të rinjtë e sotëm ka nisur të hyjë në modë sporti i notit. Por notin në vite, kam përshtypje, se e njohin pak. Është detyra jonë, pra e Federatës Shqiptare të Notit që t’i njohë brezat e rinj që ta kuptojnë edhe ata se not ka pasur këtu e 100 vjet përpara në Shqipëri. Noti nuk zhvillohet sot për herë të parë në Shqipëri. Ka 100 vjet, që në kohën e Italisë, janë zhvilluar gara noti me italianët për notin shqiptar. Është kjo detyrë e Federatës Shqiptare të Notit dhe ne mundohemi ta bëjmë sa më shpesh këtë punë, pra të kujtohemi për veteranët tanë. Ne si veteranë të notit bëjmë dy aktivitete në vit, kemi aktivitetin në pishinat 25-metërshe, por dhe Maratonën e Notit, që e zhvillojmë në Sarandë. Këtë e bëjmë për veten tonë, por dhe për të sensibilizuar rininë shqiptare që të merret me not, sepse është sport i dobishëm por edhe shumë i bukur.

 

  • A ka modele në notin shqiptar që të rinjtë e sotëm do të mund t’i ndiqnin?

 

  • Ka modele, madje të shumtë. Është Kita, që ka qenë notar i mirë, Gjebrea. Ka shumë notarë, ndoshta nuk më kujtohen të gjithë. Po modele ka. Ka pasur rekordmenë shqiptarë të spikatur, ka pasur notarë të mirë, që e merrnin sportin e notit me seriozitet, duke humbur nga vetja e tyre. Duke mbajtur regjim dhe duke u stërvitur. Kështu që modele ka. Unë besoj që edhe të rinjtë shqiptarë e kanë kuptuar se noti është shumë i mirë.

 

  • Faleminderit!