Kampionati Kombëtar i notit

1301
Sigal

Mbi 150 fëmijë garuan duke thyer 10 rekorde kombëtare. Presidenti i FSHN, Agim Çiraku: Kampionati i përmbushi qëllimet. Trajneri Sadik Mema: “Stela” është superiore. Ja rezultatet zyrtare

Kampionati Kombëtar i Notit për fëmijë – ““Stela”” dominon garat e verës

Nëntë ekipet, me mbi 150 fëmijë, për dy ditë me radhë mbajnë gjallë emocionet e garave në pishinën e Akuadromit

 

“Stela” është dominuese e Kampionatit Kombëtar të Notit për fëmijë, që për dy ditë me radhë është zhvilluar në kompleksin e pishinave të Akuadromit në kryeqytet. E kjo në të tre kategoritë e moshave, që nisin me datëlindjen 2009 e më të vegjël, 2007-2008, 2005-2006. Pikërisht për këtë dominim të vazhdueshëm të Stelës, kryetrajneri Sadik Mema pohoi se ekipi i tij është superior për shkak të organizimit dhe mundësive më të mira për t’u trajnuar se klubet e tjera. Ndërkohë “Stela” ka një mori sportistësh që dallohen. Por Mema do ta vendoste gishtin tek Sara Dande, 14-vjeçarja që ka thyer rekordin kombëtar të 1500 metrave për të rritura në 19’19”47. Sara Dande, e cila u shpall fituese në 200 metra stil i lirë ka treguar ndjesitë e saj edhe duke qenë rekordmene e të rriturave. “Është një ndjesi shumë e bukur. Duket sikur ëndrrat po bëhen realitet dhe kjo është shumë e bukur. Sepse e gjithë ajo stërvitje që t’i bën shfaqet në garat që zhvillon”- u shpreh fituesja e 200 metrave stil i lirë. Një tjetër notar i dalluar është Alesandro Muka, durrsaku që është fituesi i të gjitha disiplinave të stilit të lirë.

Në vazhdim trajneri Sadik Mema tregoi objektivat e Stelës për aktivitetet në vazhdim, sepse më 8-9 korrik do të jetë Kampionati i të rriturve, kurse në shtator Kupa e Shqipërisë. Në syrin e trajnerit të sprovuar prej vitesh, teksa prodhon vazhdimisht notarë, Mema tha se edhe në garat e ardhshme pret sërish rezultate pozitive, sidomos për sa i përket femrave. Përfundimisht, edhe kampionati i fëmijëve në pishinat e hapura është nën siglën e Stelës, që vijon të dominojë çdo garë kombëtare.

SADIK MEMA: “STELA” ËSHTË SUPERIORE PASI KEMI MUNDËSI TË TJERA PËR T’U TRAJNUAR E USHTRUAR…

– Kampionati Kombëtar i Notit është drejt përfundimit, “Stela” vazhdon të dominojë në të tria kategoritë e moshave edhe në pishina të hapura. Çfarë ndodh realisht, pse pa rivalitet ky lloj kampionati?

– Mendoj se nuk është pa rivalitet, sepse edhe Teuta ka paraqitur notarë shumë të mirë, sidomos në stilin e lirë. Por edhe ekipet e Tiranës, Eagles kanë notarë shumë të mirë. Megjithatë ne jemi superior, natyrisht kemi tjetër organizim krahasim me klubet e tjera, sepse kemi mundësi të tjera edhe për t’u trajnuar, por edhe për të ushtruar. Ky realitet që shohim natyrisht është pasqyrë e punës që bëhet në klube. Dhe unë mendoj se, pavarësisht se janë thyer pak rekorde, niveli është i mirë. Niveli është i mirë dhe ne po kënaqemi me fëmijët dhe me garuesit. Kështu që mendoj se është pozitive.

– Kë do të veçonit në tre kategoritë e moshave si sportistët tuaj më të mirë?

– Është fakt që Sara Dande përmirësoi rekordin kombëtar në 1500 metra stil i lirë për 14-vjeçarët, për të rejat dhe për të rriturat. Pra vendosi rekord kombëtar. Dhe besoj që ky është rezultati më i mirë i të gjithë aktivitetit. Domethënë të vendosësh rekord kombëtar për të rritur në një kampionat fëmijësh besoj se është rezultati më i mirë. Pastaj notarë të dalluar ka shumë. Notarë të dalluar ka shumë dhe mendoj, pa përmendur emra se mos harroj ndonjërin, dhe me të vërtetë janë të shumtë.

– Ndërkohë në Kupën e Shqipërisë për të rritur dhe kampionatin kombëtar më pas. Nga “Stela” çfarë duhet të presim?

– Pas këtij aktiviteti vjen Kampionati Kombëtar për të rritur, që është më 8-9 korrik, dhe pastaj në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit është Kupa e Shqipërisë. Besoj që do të kemi rezultate të mira. Nuk flas për individë. Për femra do të jemi kryesues, kurse për meshkuj do të shohim. Megjithatë premtoj dhe pretendoj për rezultate të larta për individë të veçantë

– Së fundi, në nivel si e shihni në përgjithësi kampionatin kombëtar të fëmijëve?

– Mendoj se ka pjesëmarrje. Ka mbi 150 fëmijë, 11 ekipe. Natyrisht ka edhe mungesa. Megjithatë mendoj se ka gjëra pozitive. Ne po ecim gjithmonë drejt ecurive pozitive.

ALESANDRO MUKA: REKORDET E PAARRITURA DO T’I THYEJ NË
GARAT E ARDHSHME…

– Jeni fitues i disa garave sot dhe dje në Kampionatin Kombëtar të fëmijëve. Jeni në prag të shpalljes sportisti më i mirë i aktivitetit?

– E vërtetë, jam shumë afër. Konkurrentë ka, por kam arritur t’ia dalë.

– Sa e vështirë ishte të triumfonit në disa gara në këtë kampionat?

– E vështirë është, sepse edhe rekordet janë bërë për t’u thyer.

– Cilat janë pretendimet tuaja në vazhdim?

– Pretendoj të thyej rekordet që nuk i arrita në këtë kampionat. Sidomos në 100, 200 dhe 400 metra stil i lirë.

SARA DANDE: KY ËSHTË REKORDI I DYTË PËR TË RRITURA, TË TJERË DO TË KENI PREJ MEJE NË VAZHDIM

– Atë që premtove në turneun mbarëkombëtar të Durrësit për të thyer rekordin kombëtar të 1500 metra në stilin e lirë për të rritura e ke realizuar të mërkurën. Çfarë do të thotë?

– Unë bëra stërvitje dhe e arrita objektivin tim. Prisja ta bëja edhe më mirë, por e theva rekordin me një sekondë. U kënaqa shumë, ishte një rekord për të rritura. Në fakt është rekordi i dytë i imi për të rritura për këtë vit dhe kështu i arrita objektivat e mia. Dhe u kënaqa shumë.

– Të jesh rekordmene dhe të jesh dhe notarja më e mirë e aktivitetit si është?

– Është një ndjesi shumë e bukur. Duket sikur ëndrrat po bëhen realitet dhe kjo është shumë e bukur. Sepse e gjithë ajo stërvitje që t’i bën shfaqet në garat që zhvillon. Nëse stërvitja bëhet mirë, edhe gara del mirë.

– Në vazhdimësi si do të jetë Sara Dande, është vështirë t’i mbash këto rekorde që thyhen…

– Unë shpresoj që t’i përmirësoj rezultatet e mia dhe shpresoj të thyej sa më shumë rekorde të tjera. Por objektivi më i madh është të shkoj në gara dhe kampionate sa më të njohura në Botë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit vlerëson kampionatin kombëtar të fëmijëve si shumë cilësor dhe të mirëorganizuar, ndërsa pret të njëjtin nivel dhe tek të rriturit

AGIM ÇIRAKU: KAMPIONATI I PËRMBUSHI QËLLIMET

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit në përfundim të kampionatit kombëtar të fëmijëve, që është mbyllur të enjten në mbrëmje, ka pohuar se gjithçka ishte brenda pritshmërive. “Mirëorganizimi – thotë Çiraku për Telegraf – ishte një e veçantë e këtij kampionati. Kurse ajo që e bëri më të rëndësishëm këtë aktivitet ishte prania e ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, sepse kështu besoj se kanë nisur të vlerësohen aktivitetet tona. Më pas rekordet, por dhe rezultatet tregojnë se notarët dhe trajnerët ishin përgatitur. E rëndësishme është që fëmijët u kënaqen dhe kjo ishte mbi të gjitha”. Çiraku vlerëson të gjithë sportistët, ndërsa sipas tij gjithçka ishte brenda pritshmërive. “Unë do të veçoja Julia Xhakon e Tiranës, një notare me perspektivë, e cila dha disa rekorde. Por dhe Sara Danden, Alesandro Mukën, Erxhan Lalën, Dea Limajn etj. Përgjithësisht të gjithë ishin brenda pritshmërive të tyre. Dhe kjo më bën entuziast”. Tashmë aktiviteti më i rëndësishëm i Federatës Shqiptare të Notit është Kampionati Kombëtar i të rriturve, që do të zhvillohet në Pishinën e Akuadromit më 8-9 korrik. “Mendoj – shpjegon Çiraku – se do të kemi përsëri rezultate të mira dhe rekorde padiskutim. Pra do të jetë përsëri në nivelin e kampionatit të fëmijëve. Dhe për këtë jam i sigurt”.

DHJETË REKORDE KOMBËTARE, KAMPIONATI I FËMIJËVE PËRMBUSH OBJEKTIVAT E FEDERATËS

““Stela”” kampionia e konfirmuar, Muka dhe Dande për Kategorinë A, Lala dhe Meçe për Kategorinë B dhe Loshi e Limaj për Kategorinë C më të mirët e aktivitetit

 

“Stela” është përfundimisht kampionia e konfirmuar e fëmijëve, ndërsa i ka dominuar të tria kategoritë e moshave. Një kampionat, i cili ka përfunduar mes entuziasmit të enjten në mbrëmje për t’ia lënë radhën tashmë kampionatit të të rinjve dhe të rriturve, që do të zhvillohet më 8-9 korrik në pishinën e Akuadromit në Tiranë. Përgjithësisht fëmijët janë kënaqur, ndërsa kampionati, jo vetëm për nga forma e organizimit, por dhe për nga cilësia e garës, duket se ia ka arritur qëllimit të organizatorëve, që në këtë rast ishte Federata Shqiptare e Notit. Sigurisht që ka shumë fitues, por mes tyre, edhe duke i shpallur si sportistët më të mirë. Dhe ndër to ishin Alesandro Muka dhe Sara Dande në Kategorinë A, Erxhan Lala dhe Kaltra Meçe në Kategorinë B, Ajdin Loshi dhe Dea Limaj në Kategorinë C. Përgjithësisht një kampionat i arrirë, i cili është vlerësuar dhe nga specialistët e notit

REKORDET

10 është numri i rekordeve që janë thyer në kampionatin kombëtar të fëmijëve. Shtatë kanë qenë ditën e parë, ndërsa vetëm tre janë thyer në ditën e dytë të këtij kampionati. I pari ka ardhur në 50 metra stil i lirë në Kategorinë C nga Julia Xhako e Tiranës, e cila ka fiksuar kohën e re 33”12, kurse rezultati i vjetër ishte 34”09. Më pas në stafetën 4×50 metra miks, “Stela” në Kategorinë B. do të jepte kohën e re 2’33”04, ndërsa rekordi i mëparshëm ishte 2’37”72. Dhe rekordi i fundit ishte përsëri nga “Stela” në stafetën 4×50 metra miks femra në Kategorinë A me kohën 2’21”65, ndërsa rezultati i vjetër ishte 2’26”31. Pra plot dhjetë rekorde, kurse kampionati i fëmijëve mbeti i mbushur me shumë entuziasëm.

 

TABELA E REZULTATEVE TË KAMPIONATIT KOMBËTAR TË FËMIJËVE

KATEGORIA A (DATËLINDJA 2005-2006)

MESHKUJ

200 M STIL I LIRË   ALESANDRO MUKA (TEUTA)     2’08”37

800 M STIL I LIRË   ALESANDRO MUKA (TEUTA)     9’39”62

100 M BRETKOSË    TENI GROSHI (TEUTA)                  1’20”72

50 M SHPINË                        FLAVIO KORA (EAGLES)             31”85

50 M DELFIN                        ZEKI METALLA (“STELA”)           30”34

100 M DELFIN                      ENDI KOLA (“STELA”)      1’05”50

200 M KATËRNOTIM          TONI GROSHI (TEUTA)     2’46”82

SPORTISTI MË I MIRË: ALESANDRO MUKA (TEUTA) 1003 PIKË FINALE

FEMRA

200 M STIL I LIRË   JULIA MITRE (“STELA”)                2’23”69

800 M STIL I LIRË   SARA DANDE (“STELA”)              10’14”68

100 M BRETKOSË    TELMA HARSHOVA (“STELA”)   1’23”25

50 M SHPINË                        JONA THOMAI (“STELA”)             35”44

50 M DELFIN                        JONA THOMAI (“STELA”)             33”49

100 M DELFIN                      JUGA SELIMI (TIRANA)    1’28”69

200 M KATËRNOTIM          TELMA HARSHOVA (“STELA”)   2’45”38

SPORTISTJA MË E MIRË: SARA DANDE (“STELA”) 1013 PIKË FINALE

 

 

KATEGORIA B (DATËLINDJA 2007-2008)

MESHKUJ

200 M STIL I LIRË   KLERENC VORA (TEUTA)                        2’39”41

100 M BRETKOSË    HERALD MALAJ (“STELA”)         1’38”88

50 M SHPINË                        JORDI GJINI (EAGLES)                  38”53

50 M DELFIN                        ERXHAN LALA (“STELA”)                       35”06

100 M DELFIN          ERXHAN LALA (“STELA”)                      1’21”65

SPORTISTI MË I MIRË: ERXHAN LALA (“STELA”) 552 PIKË FINALE

FEMRA

200 M STIL I LIRË   KALTRA MEÇE (“STELA”)                        2’31”53

800 M STIL I LIRË   ARBA KARDHIQI (TEUTA)          13’43”63

100 M BRETKOSË    JULKA GJILO (TIRANA)                1’33”28

50 M SHPINË                        ALIS PASKO (TIRANA)                 41”36

50 M DELFIN                        EMI METALLA (“STELA”)             34”90

100 M DELFIN          EMI METALLA (“STELA”)            1’22”29

200 M KATËRNOTIM          AMI FETISHAJ (TIRANA)  3’30”00

SPORTISTJA MË E MIRË: KALTRA MEÇE (“STELA”) 821 PIKË FINALE

 

KATEGORIA C (DATËLINDJA 2009 E MË TË VEGJËL)

MESHKUJ

200 M STIL I LIRË   AJDIN LOSHI (VLLAZNIA)          3’06”93

100 M BRETKOSË    LAJDI ALLARAJ (PARTIZANI)    1’48”09

50 M SHPINË                        BLORDI RUÇI (BUTRINTI)                       47”96

50 M DELFIN                        DAVID THOMAI (“STELA”)          1’01”09

200 M KATËRNOTIM          ALMAR NAKO (“STELA”) 3’37”65

SPORTISTI MË I MIRË: AJDIN LOSHI (VLLAZNIA) 392 PIKË FINALE

 

FEMRA

200 M STIL I LIRË   JULIA XHAKO (TIRANA)              2’42”31

100 M BRETKOSË    ADA ÇUKO (“STELA”)                   1’59”72

50 M SHPINË                        DEA LIMAJ (“STELA”)                   42”65

200 M SHPINË          DEA LIMAJ (“STELA”)                   3’39”33

50 M DELFIN                        JULIA XHAKO (TIRANA)              35”37

100 M DELFIN          ARLA DYRMISHI (“STELA”)        1’51”49

200 M KATËRNOTIM          DEA LIMAJ (“STELA”)       3’47”53