Pano Xhixho: Mirënjohje për legjendat e notit

918
Sigal

Pano Xhixho: Mirënjohje për ata që nuk na braktisën kurrë në kohët më të vështira!

Kampion në ADN-në e tij, shpallet fitues në tre gara mes veteranëve për grupmoshën 40-45 vjeç: 25 dhe 50 metra stil i lirë dhe 100 metra katërnotim

Mes shumë atyre veteranëve që garuan në pishinën e mbyllur 25-metërshe të Resortit “Te Stela” ishte dhe kryeredaktori i         RTSH Sport, Pano Xhixho. Në fakt nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, sepse është i njohur si kampion i Maratonës, por dhe i garave të thellësisë. E në fakt i ka dominuar garat e tij, ndërsa është fitues në 25 dhe 50 metra stil, si dhe 100 metra katërnotim. Madje mund të cilësohet një duel interesant me Aldi Gugushkën, ish-notarin e Partizanit të paktën deri përpara dhjetë vjetësh. Mirëpo gjërat ishin ndryshe në pishinë dhe gjithnjë në favor të Xhixhos, që për gazetën “Telegraf” do të shprehte mirënjohjen e tij për të gjithë ata trajnerë e sportistë, të cilët kanë bërë historinë e notit në Shqipëri. “E para, mësojmë shumë nga ish-notarët. Janë legjenda të këtij sporti dhe jo vetëm për arritjet sportive, por edhe për mënyrën se si kanë mbërritur deri në maja. Kanë sakrifikuar rininë e tyre dhe në kushte të paimagjinueshme kanë thyer rekorde dhe kanë shkruar historinë e këtij sporti. Personalisht kam arritur dy epoka të notit shqiptar, fund-vitet 80 me pionierët e të rinjtë dhe fillim-vitet 90, ku gjëja e fundit që të shkonte mendja ishte të bëje sport… Por jo, edhe ne këto kohë kishte njerëz pasionantë, kishte trajnerë të përkushtuar që nuk na kanë abandonuar kurrë… Prandaj thellësisht mirënjohje… Brezat e rinj duhet të mësojnë shumë kur shikojnë të tilla aktivitete. Ka akoma emocion e garë, ka akoma ego për të qenë mes më të mirëve. Sportistët, në përgjithësi, e refuzojnë kalimin e moshës. Janë në shpirt Kampionë, prandaj ishte një gjetje e bukur titulli i aktivitetit nga organizatorët”.

Organizatorët falënderim për “Telegrafin” dhe “RTSH Sport”

Organizatorët e këtij aktiviteti kanë bërë një falënderim të veçantë për Gazetën “Telegraf”, si dhe kanalin sportiv të Radio Televizionit Shqiptar si i vetmi që ka transmetuar të gjitha veprimtaritë e sportit të notit. Si në pishinat e mbyllura, atje ku zhvillohen kampionatet kombëtare të moshave dhe të rriturve, por dhe në pishina të hapura, “Telegrafi” dhe “RTSH Sport” janë gjithnjë pranë notit dhe notarëve. Kështu ka ndodhur dhe në aktivitetin me veteranët…