Mjeshtri Iljaz Çeço, në 360 gradë: “Pse vuan futbolli ynë dhe këshillat e mia për Dukën”

1321
Sigal

Kryetari i shoqatës “Dinamo” analizon Kategorinë Superiore dhe i jep një mesazh kryeministrit Rama: “Është koha që, Qeveria e re të na e kthejë kompleksin”

Legjenda e Dinamos, Iljaz Çeço, një nga mesfushorët më të mirë që ka nxjerrë Shqipëria, në analizën e tij për “Telegraf”, për katër javët e para të Kategorisë Superiore, konstatoi se futbolli shqiptar vuan ende nga cilësia e dobët. Ish-lojtari i Kombëtares (7 ndeshje), fituesi i pesë titujve kampionë me blutë kryeqytetas, dëshiron t’u vendosë pikat mbi “i” problemeve me të cilat përballet sot Kategoria Superiore, nga mungesa e spektatorëve deri te performanca e ulët e lojtarëve. Iljaz Çeço, aktualisht kryetari i shoqatës “Dinamo, që zotëron edhe stemën e këtij klubi, ngriti edhe problematikën që po i shoqëron prej disa vitesh 18 herë kampionët e vendit. Bashkëlojtar i Torez Çirakut, Medin Zhegës, Saimir Dautit, Mehdi Bushatit, Jani Ramës, Çlirim Hysit, Rifat Ibërishimit, Faruk Sejdinit, Kujtim Çoçolit, Shyqyri Ballgjinit, Ilir Përnaskës, Vasillaq Zërit, Frederik Gjinalit, Xhorxhi Pukës, Haxhi Mërgjyshit, Muhedin Targajt, Gani Xhafës. Me virtuozin Çeço në skuadër, Dinamo dominoi në vitet 1967-1977, duke fituar pesë tituj kampionë, tre prej tyre rresht: ato në sezonet 1974-1975, 1975-1976 dhe 1976-1977. “Mjeshtri” Çeço fitoi gjatë karrierës së tij 5 kampionate,  3 Kupa të Republikës (1971, 1974, 1978) dhe 2 Spartakiada Kombëtare. Ata që e njohin “gjeniun blu”, e dinë se ai nuk kompromise kur flitet për Dinamon. Numëron 15 vjet si lojtar dhe shtatë vjet si drejtues (shef klubi 1981-1987).  I dhemb shumë kur e shikon Dinamon, një kategori më poshtë (në të Parën) dhe sipas tij, të pashpresë me presidencën aktuale, të cilin e konsideron si shkatërrimtare të një klubi legjendë në Shqipëri. “Ka njerëz që e duan Dinamon dhe synojnë të investojnë, por situata aktuale është jo e favorshme”, – tha ish-kapiteni i bluve për “Telegraf”.

 – Zoti Çeço, janë zhvilluar vetëm katër javët e para të Kategorisë Superiore. Skuadrat po shfaqin profilin dhe ambiciet e tyre në këtë sezon, ku nga 12 skuadra, katër prej tyre do të bien direkt një kategori më poshtë. Në këndvështrimin tuaj, si një ish-lojtar i shquar dhe specialist i mirëfilltë futbolli, si i keni parë ato?

– Në katër javëve të para, konstatohet lehtësisht një fakt: skuadrat që morën pjesë dhe vazhduan më gjatë në kompeticionet ndërkombëtare, si Skënderbeu në Ligën e Kampioneve dhe në Ligën e Europës; Kukësi në Ligën e Europës (kaloi tre ture, rekord për vendin tonë), e kanë nisur keq kampionatin. E vlerësoj disi të arsyeshme, pasi kanë pasur një mbingarkesë, që ka kondicionuar edhe formën e tyre fizike. Ky është konkluzioni im, për sa u përket Skënderbeut dhe Kukësit, me këtë të fundit që fitoi në Korçë. Gjithsesi, disa ekipe, në të cilët përfshi edhe Lushnjën, i ardhur në Superligë si kampion i Kategorisë së Parë, po bën një paraqitje dinjitoze. Teuta, kryesuesja e kampionatit, ka vite që ka një skuadër të stabilizuar, si në drejtim të skuadrës, por dhe të përzgjedhjes së lojtarëve, të përshtatur me filozofinë që ka klubi durrsak.

– Partizani është rikthyer bindës në Kategorinë Superiore, ndërkohë që po vuan shumë Tirana…

– Tirana në dekadat e fundit nuk e ka pasur fatin e keq të Dinamos apo Partizanit, por këtë vit ajo duket se po vuan ngritjen vonë të skuadrës. Lënia pa financime, ardhja vonë e sponsorëve patën ndikim të drejtpërdrejtë në formimin dhe përgatitjen e një grupi cilësor, të denjë për emrin e saj. Nëse një klubi i mungojnë kushtet materialo-teknike, dhe për më tepër ato financiare, të cilat mesa duket janë primare tani, nuk mund të paraqitesh në nivel të lartë dhe të konkurrosh për trofe. Kjo është gjendja e Tiranës. Të vjen keq, që tre ekipet e kryeqytetit: Tirana (24 tituj kampion), Dinamo (18) dhe Partizani (15) të mos jenë në pararojë të futbollit tonë. Këto ekipe para shumë vitesh kanë qenë si “vëllezërit siamezë”, duke shkëmbyer eksperiencë me njëri-tjetrin, ndërsa tani kemi një panoramë krejt ndryshe: një Partizani të ringjitur në Kategorinë Superiore pas katër sezonesh mungesë; një Tiranë që vuan shumë dhe një Dinamo, prej dy vitesh në Kategorinë e Parë.

– Nuk kanë munguar edhe shfaqjet e dhunës në stadiumet tona, sidomos nga ana tifozëve, madje Flamurtari dhe Kukësi janë ndëshkuar të luajnë nga katër ndeshje në fushë asnjanëse, ndërsa Besa, dy ndeshje pa shikues. Si do t’i konsideronit këto ngjarje të shëmtuara?

– Është për të ardhur keq që,  ky sezon ka nisur nisi shumë shpejt me disa shfaqje jo të mira sportive. Ngjarje që, krahas cilësisë së dobët që kemi në futboll, i japin një imazh negativ dhe influencojnë edhe më tej në dobësitë e disa skuadrave. Rastet, ku janë shfaqur dhunë në tribuna në disa stadiume, janë të patolerueshme. I konsideroj të drejta masat disiplinore të marra nga Federata Shqiptare e Futbollit. Duhet të bëhet mësim për të gjithë klubet. Nëse një skuadër nuk luan para publikut të saj, një apo disa lojtarë titullarë pezullohen, atëherë, patjetër do të bjerë edhe cilësia.

– Diskutohet vazhdimisht, për nivelin e futbollit tonë. Cili është mendimi juaj?

– Dëshiroj të jem i drejtpërdrejtë: përderisa stadiumet janë bosh, atëherë përgjigja më e sinqertë është, kemi një futboll jo cilësor. Mungon grupi cilësor i lojtarëve, që të ofrojë futboll të mirë dhe të tërheqë spektatorët.

– Ju keni luajtur në vitet 1962-1978, në një “Qemal Stafa” apo “Selman Stërmasi” apo dhe në stadiumet të tjera të vendit, të tejmbushura. Si ndjeheni kur i shikoni bosh, edhe kur luhen derbi?

– Futbollistët luajnë për publikun dhe spektatorët luajnë një rol vendimtar në ecurinë e një ndeshje futbolli.

– Dinamo, dikur një nga krenaritë e futbollit shqiptar, ekipi i dytë me më shumë trofe në Shqipëri (33), është duke vuajtur. Si një ish-lojtar kampion dhe kapiten i saj, si një ish-drejtues i lartë i klubit, sa ju dhemb kjo situatë e pazakontë e saj?

– Dinamo ka qenë një klub model në vitet 1950-1990. I strukturuar dhe i organizuar shumë mirë. Ka pasur një nga komplekset, ndoshta nga më të mirët në Ballkan për kohën (viti 1987), me plot 82 mijë metra katrorë. Ndërtuesit më të mirë të kohës morën një projekt nga Franca, si kompleksi sportiv i Paris Saint Germanin, dhe e adaptuan në mënyrën më të mirë duke ndërtuar një perlë për realitetin dhe sportin shqiptar. Duhet të kujtoj vetëm një fakt, në fillimvitet 1990, Dinamo ka pasur 69 futbollistë të ekipit të parë dhe të rinjve apo paratërinjve, por që në vitet e demokracisë u detyruan apo zgjodhën të shkonin në ekipe të tjera brenda Shqipërisë, apo dhe jashtë saj, të tillë si Demollari apo Fortuzi, sa për të përmendur disa emra. I gjeje te Partizani, Tirana, Vllaznia, etj..

– Ju jeni kryetari i shoqatës “Dinamo”. Sa i shqetësuar jeni për situatën e krijuar?

– Goditja e Dinamos, e programuar në vitin 2005 dhe e vazhduar deri në fillimvitet 2010, solli këtë gjendje që kemi sot. Me shumë probleme organizative, me drejtues jo kompetentë dhe me rënie në kategoritë inferiore. Dua të kujtoj një fakt, se rënia e Dinamos dhe Partizanit lanë gjurmë në futbollin tonë, teksa mbi 300 sportistë, përfshirë dhe ata të moshave humbën interesin mbi futbollin, duke marrë rrugë dhe jo të mira. Unë jam kryetari i shoqatës “Dinamo” dhe sigurisht, së bashku edhe me disa nga emrat që kanë dhënë kontribut të respektuar për klubin, jam shumë i shqetësuar. Të jemi të qartë, Dinamo ka për drejtues kryesor një person që nuk kupton aspak nga futbolli dhe nuk dëshiron të njohë e vlerësojë gjendjen që po kalon klubi.

– Shoqata “Dinamo” është dhe pronarja e stemës së klubit. A keni menduar, për të rimarrë atë?

– Po, sigurisht. Ne do t’i drejtoheni Qeverisë “Rama” dhe ministres së Arsimit dhe Sporteve, zonjës Lindita Nikolli, që, të marrim kompleksin “Dinamo”, me qëllim që të ngremë një klub model dhe në parametra bashkëkohorë. Unë mendoj se, një nga detyrat kryesore e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve është ringritja e ekipeve që kanë bërë histori në vendin tonë. Kthimi i ambienteve dhe rregullimi i tyre, për t’i dhënë një hop cilësor sportit. Në fakt, me vendimin e Këshillit të Ministrave, Nr.938, datë 17.11.2010, u vendos kalimin në përgjegjësi administrimi të Klubit Sportiv Dinamo, nga Ministria e Brendshme te Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për Agjencinë e Sporteve”. Aktualisht, aty janë vendosur zyrat e federatave të shumësportëshit.

 – A e shikoni pozitive, bashkimin e Sportit me Ministrinë e Arsimit?

– Sigurisht. Në Qeverinë e mëparshme, Sporti ishte një shtesë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Rinisë. Dua të theksoj se, nuk konstatuam aspak kujdes për sportin, madje mund të them se u pa një sjellje të cilën do ta cilësoja si negative. Rasti më flagrant është mënyra sesi e trajtuan kompleksin “Dinamo”, ku nga terrene sportive i shndërron në zyra. Dinamo, që ishte “pronarja” e kompleksit, tani duhet të paguajë që të stërvitet në ish-kompleksin e saj. Kalimi i Sportit me Arsimin, u jep mundësi shkollave të kenë më shumë program sportiv, të kenë më shumë orë fizkulture, apo të rikthejë edhe klasat sportive të dikurshme, që sollën shumë cilësi në sportin tonë, në futboll, basketboll apo volejboll, apo llojet e tjera të sporteve. Duhen të fillojnë investimet në infrastrukturë, duke filluar në Tiranë ringritja e bazës materiale, me rindërtimin e fushave dhe anekseve ekzistuese dhe ndërtimi i ambienteve të reja sportive.

– Klubet shqiptare janë të organizuara dhe të administruara në forma të ndryshme, nga ato që janë 100 për qind pronë e bashkive, të drejtuara dhe të financuara nga presidentë, apo dhe me formë të ndërmjetme. Sipas jush, cili do të ishte organizimi më i mirë?

– Ky është një tjetër problem në vendin tonë. Pavarësisht se, FIFA apo UEFA mund të kenë rregullat dhe kriteret e tyre në lidhje me anëtarësimet dhe regjistrimet e klubeve, unë jam i mendimit se një klub në Shqipëri nuk mund të ketë dhe të kontrollohet nga një sponsor. Del një sponsor, hedh një shumë parash në një klub që nuk është pronë e tij, por një ditë mund t’i teket të largohet. Atëherë, çfarë bëhet me klubin? Të shkrihet? Shembujt, i kemi. Shikoni Dinamon si ka përfunduar, pa financime. Ka disa klube që, nuk kanë para për lojtarët, apo nuk janë korrektë. Për mendimin tim, këtu ka një vakum ligjor dhe ai duhet parë me kujdes. Sponsori sot është, nesër ikën. Kjo ka ndikuar edhe në kampionatin tonë. Mund të kesh një ekip Kombëtar, por të përbërë me futbollistë që vijën nga kampionatet e huaja, po nga kampionati ynë pse nuk aktivizohet kush? Atëherë kjo tregon se, kemi një futboll të varfër. Unë jam pro trajnerëve të huaj, pasi sjellin risi, por ne po shohim, që po në vend të parafundit po mbetemi, ashtu si me trajnerët tanë.

Kush është ILJAZ ÇEÇO

SKEDA

Datëlindja: 03.01.1947

Vendlindja: Lushnjë

Vendbanimi: Tiranë

Pozicioni: Sulmues

Gjendja civile: I martuar, dy fëmijë

Karriera

Traktori: 1961-1963

Dinamo: 1964-1978

Me Kombëtaren: 11 ndeshje

Trofe me Dinamon: 5 tituj, 3 kupa, 2 spartakiada

Profesioni: Jurist

Si u krijua shoqata “Dinamo”

 Në vitin 2003, Besnik Sulaj kërkoi ndihmën e Iljaz Çeços, për krijmin e një shoqate për Dinamon. Sipas tij, ishin rregulla të FSHF-së dhe UEFA-s, ndaj edhe duhej krijuar sa më parë kjo shoqatë, me qëllim që klubi të ishte model për nga ana strukturore. Ish-shefi i Dinamos bashkoi disa nga ikonat e bluve: Zyber Konçin, Zihni Gjinali, Skënder Begeja, Shyqyri Rreli, Lorenc Vorfi, Sabri Peqinin, Shyqyri Ballgjinin, Vasillaq Zërin,  Mehdi Bushatin, Sulejman Demollarin, Mujo Targajn, Andrea Markon, si dhe emra të tjerë të shquar nga brezat e tjerë. Në konsultim me disa juristë u hartua statuti dhe u krijua shoqata. Mbi këtë bazë, u regjistrua edhe klubi i Dinamos, pikërisht me shoqatën e futbollit “Dinamo”. Ajo funksionoi si e tillë realisht deri në vitin 2005, kur iku ish-presidenti i Dinamos, Mihal Delijorgji. Gjatë asaj kohe, ishte krijuar një tjetër shoqatë paralele me emrin “SK Dinamo”, me president Besnik Sulajn, e cila u regjistrua në federatë, duke nxjerrë jashtë loje shoqatën “Dinamo”.

 1.5 milionë dollarë për kompleksin

 Kompleksi u ndërtua në kohë rekord dhe, pas inaugurimit, u vu menjëherë në punë. Për kohën, në vitin 1987, ai ishte më i madhi në Ballkan, me plot 82 mijë metra katrorë. Sipas të dhënave, ai ka kushtuar 1.5 milionë dollarë. Ndërtuesit më të mirë të kohës morën një projekt nga Franca, si kompleksi sportiv i Paris Saint Germanin, dhe e adaptuan në mënyrën më të mirë duke ndërtuar një perlë për sportin shqiptar. Pas viteve 1990, si çdo gjë që vinte nga koha e komunizmit edhe ai nisi të degradohej.

 Absurde, të paguash në shtëpinë tende!

 Ish-shefi i klubit Dinamo, Iljaz Çeço, e konsideron një turp që, blutë paguajnë për t’u stërvitur në ish-kompleksin e tyre. “Më vjen keq që kompleksi ‘Dinamo’ është katandisur ashtu. Ka kaluar si pronë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Është për të ardhur turp që ekipi i Dinamos duhet të paguajë lekë që të stërvitet. Ky është një handikap dhe turp i madh. Të vjen keq kur aty janë stërvitur ekipe të tjera si Kukësi, Partizani, Kastrioti apo dikur edhe Kamza, ndërkohë që vetë Dinamo duhet të paguajë”.

 “Stema e Dinamos është e shoqatës”

 Legjenda Iljaz Çeço, në cilësinë e kryetarit të shoqatës “Dinamo” ka sqaruar se stema i përket kësaj shoqate: “Stema ose emblema është e drejtë ekskluzive e shoqatës së futbollit “Dinamo”. Juridikisht klubi është i regjistruar në gjykatë nga shoqata jonë”. Ministria e Sporteve është simbolikisht pronare e të gjitha stemave të klubeve në Shqipëri, por kjo nuk duhet ngatërruar me asetet, të cilat më pas u përkasin bashkive ose atyre që i kanë blerë, nëse ka të tillë. Kur privatizohet një klub, është MTKRS-ja që jep vlerësimin për sa i përket stemës.

Ish-mesfushori virtuoz mban rekordin si lojtari më i ri në moshë i aktivizuar me Kombëtaren, vetëm 17 vjeç

 Iljaz Çeço, nga Holanda te Gjermania

 Iljaz Çeço ndeshjen e tij të parë ndërkombëtare e ka luajtur me Dinamon kundër Levskit të Sofjes (më 8 prill 1964, 1-1 për Kupën Ballkanike), ku zëvendësoi Skënder Jarecin, që në atë ndeshje la futbollin. Me Kombëtaren, ai ka zhvilluar shtatë ndeshje me ekipin Kombëtar në periudhën 1964-1971, pikërisht në ndeshjet kundër Algjerisë, dhe Holandës në vitin 1964, Polonisë dhe Turqisë në vitin 1970, ndërsa në vitin 1971, kundër Gjermanisë Perëndimore, Polonisë dhe Turqisë. Ndeshja e parë e tij është ajo kundër Algjerisë, një miqësore e zhvilluar më 11 tetor 1964, në Tiranë, në një barazim 1-1, e ku Iljazi zëvendësoi Mehdi Bushatin. “Për herë të parë në një ndeshje zyrtare me Kombëtaren, – tregon Çeço, – kam luajtur në moshën 17-vjeçare. Më ka futur në lojë trajneri Zyber Konçi, pikërisht në ndeshjen e humbur 2-0 me Holandën, në vitin 1964 (25 tetor 1964). Kam luajtur përkrah Skënder Halilit, Panajot Panos, Robert Jasharit, Mehdi Bushatit. Isha më i vogli”. Në fakt, aktivizimi i tij në moshën 17-vjeçare (saktësisht, 17 vjeç e 281 ditë) mbetet edhe një rekord unik!

I pathyer deri më sot! Pas tij vjen Blendi Nallbani i cili ishte 17 vjeç e 338 ditë kur luajti me Kombëtaren në “Uembli” më 26 prill 1989 ndaj Anglisë. Me lojën e shkëlqyer të tij me Dinamon, Çeço fitoi një vend titullari në ndeshjen e parë të Shqipërisë në “Qemal Stafa” për eliminatoret e një Kampionati Botëror, pikërisht ndaj Holandës, në atë humbje 2-0, më 25 tetor 1964 (po me trajner Zyber Konçin), përkrah emrave të tillë si Fatmir Frashëri, Panajot Pano, Fatmir Deliallisi, Lin Shllaku, Robert Jashari, etj. “Unë kam qenë një lojtar, që lidhja disa breza futbollistësh, atyre të viteve 1960-1970. Atëherë luhej një futboll fizik, ndërkohë që unë futa teknikën, apo nocionet e futbollit modern, që shohim edhe sot”, – tregon Çeço.

Rivesh fanellën e Përfaqësueses, në ndeshjen kundër Polonisë, në atë humbje 3-0 në Katovicë (17 tetor 1970, për eliminatoret e Euro 1972)), kur në bankinë ishte Loro Boriçi, për të vazhduar në Turqi-Shqipëri 2-1 (13 dhjetor 1970). Karriera e tij me Kombëtaren kulmon në atë humbje minimale 0-1 me Gjermaninë e Helmut Shënit, kur humbëm më 17 shkurt të vitit 1971, me golin e të famshmit Gerd Myler. Një Çeço virtuoz me Dinellën (portier) Gjikën, Canin, Kasmin, Dhalesin, Ziun, Vason, Panon dhe Bizin bënë një paraqitje të pëlqyeshme para 18 mijë shikuesve në “Qemal Stafa”. Poloni-Shqipëri 1-1 (12 maj 1971) dhe Shqipëri-Turqi 3-0 (14 nëntor 1971) janë dhe dy ndeshjet e fundit të Çeços me Kombëtaren.

 Kapiten në Kupën Ballkanike

Kapiteni Iljaz Çeço ka luajtur në disa ndeshje ndërkombëtare me Dinamon, në Europë, por dhe për Kupën Ballaknike. “Po, – thotë Çeço, – kam luajtur në Kupën Ballkanikë në vitin 1963-1964, 1969 dhe 1976, por kam luajtur në Kupën Ballkanike edhe me Vllazninë e Shkodrës, por dhe Kupën e Kampioneve me Tiranën kundër Ajaksit të Amsterdamit”. Me klubin e Dinamos ai ka luajtur një numër të madh ndeshjesh ndërkombëtare.

 Nga Traktori, te Dinamo, 15 vitet sportive të Çeços

 Iljaz Çeço ka qenë kapiteni i Dinamos dhe lojtar i ekipit Kombëtar. Ai ka zhvilluar 11 ndeshje me Kombëtaren dhe një numër ndeshjesh ndërkombëtare. Djaloshi 10-vjeçar Çeço e ka filluar futbollin qysh me Spartakiadat e Pionierëve. Për herë të parë me ekipin e parë të “Traktorit” ka luajtur në vitin 1961. Ndeshjen e parë zyrtare me fanellën e Traktorit e ka luajtur ndaj Korabit më 13 janar 1962, në moshën 15- vjeçare. Ai u përfshi në futboll dhe u përgatit nga trajneri i njohur, Adem Karapici (ish-trajneri i Kombëtares), i cili aktivizoi në një moshë fare të re, pra 15 vjeç me Traktorin e Lushnjës. Pas dy sezonesh, në vitin 1963, ai u bë pjesë e Dinamos, për të cilën luajti 15 vjet rresht. Gjatë kësaj kohe u bë edhe anëtar i ekipit Kombëtar. Gjatë karrierës së tij të gjatë, Çeço ka fituar pesë kampionate: në sezonet 1966-1967, 1972-1973, 1974-1975, 1975-1976 dhe 1976-1977; si dhe tri Kupa të Shqipërisë (1971, 1974, 1978) dhe dy Spartakiada. Ai ka dalë dy herë futbollisti më i mirë i Shqipërisë, në sezonet 1965-1966 dhe 1966-1967, në këtë të fundit së bashku edhe me Panajot Panon. Iljaz Çeço ka luajtur gjatë gjithë karrierës së tij me Traktorin e Lushnjës dhe Dinamon, por për të do të mbeteten pashlyera nga kujtesa dy përballjet me Ajaksin e Amsterdamit, i cili luajti në 1970-ën përballë 17 Nëntorit (sot Tirana), të drejtuar nga Myslim Alla, një tjetër ish-trajner i Kombëtares. Ndeshja e parë në Tiranë përfundoi 2-2 (16 shtator 1970), ndërsa ajo e kthimit 2-0 në Amsterdam (30 shtator 1970).

Ekipet kampione të Dinamos

 1966-1967

Jani Rama, Andrea Bardhoshi, Frederik Gjinali, Mikail Stamo, Naim Hushi, Lorenc Vorfi, ILJAZ ÇEÇO, Taip Çutra, Medin Zhega, Saimir Dauti, Janaq Saraci, Clirim Hysi, Foto Stamo, Gani Xhafa, Xhevahir Taushani, Ibrahim Kodra, Durim Shehu, Namik Jareci, Ivan Loli, Shusja, Bujar Hyka, Durim Bako, Koco Dinella, Bulku, Popa, Shpetim Hoxha, Edmond Dilaveri, Mehdi Bushati, Faruk Sejdini. Trajner: Skënder Jareci.

 1972-1973

Frederik Gjinali, Rifat Ibërshimi, Faruk Sejdini, Gani Xhafa, ILJAZ ÇEÇO, Ilir Përnaska, Jani Rama, Çlirim Hysi, Ibrahim Kodra, Mehmet Xhafa, Torez Çiraku, Ahmet Ahmedani, Shpëtim Hoxha, Enver Hafizi, Miluka, Skënder Guzja, Kujtim Çoçoli, Taip Çutra, Haxhi Mërgjyshi, Hamit Dhrima, Agron Shapllo. Trajner: Skënder Jareci.

 1974-1975

ILJAZ ÇEÇO, Shyqyri Ballgjini, Ahmet Ahmedani, Ilir Përnaska, Rifat Ibërshimi, Jani Rama, Xhorxhi Puka, Faruk Sejdini, Ibrahim Kodra, Torez Çiraku, Kujtim Çoçoli, Vasillaq Zëri, Gani Xhafa, Haxhi Mërgjyshi, Frederik Gjinali, Petrit Gjoni, Muhedin Targaj, Enver Hafizi, Shaban Zenuni. Trajner: Sabri Peqini.

 1975-1976

Medin Zhega, ILJAZ ÇEÇO, Jani Rama, Haxhi Mërgjyshi, Muhedin Targaj, Faruk Sejdini, Rifat Ibërshimi, Ibrahim Kodra, Torez Çiraku, Gani Xhafa, Ilir Përnaska, Vasillaq Zëri, Shyqyri Ballgjini, Luan Zenuni, Xhorxhi Puka, Petrit Gjoni, Fatos Petani, Ahmet Ahmedani. Trajner: Durim Shehu.

 1976-1977

Jani Rama, Vasillaq Zëri, Ilir Përnaska, Shyqyri Ballgjini, Muhedin Targaj, Andrea Marko, Aleko Bregu, Xhorxhi Puka, Torez Çiraku, ILJAZ ÇEÇO, Haxhi Mërgjyshi, Faruk Sejdini, Kujtim Çoçoli, Rifat Ibërshimi, Gani Xhafa, Gj. Gjini, Ibrahim Kodra, Riza Hicka, Shaban Zenuni, Ahmet Ahmedani, Ilir Luarasi. Trajner: Durim Shehu.