INTERVISTA/ Përparim Daiu: Skënderbeu e Lushnja e kanë mbyllur garën, të tjerat, kujdes nga aleancat fluide

695
Nga Agron KAJA
Flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Besës, Partizanit dhe Kombëtares, ja “skaneri” i tij për 13 javët e mbetura në Superiore
Kategoria Superiore ka luajtur 23 javë, në këndvështrimin tuaj, çfarë kanë treguar skuadrat në këtë periudhë?
Mendoj se, në këto 23 javë, Skënderbeu ka treguar dominancë ndaj të gjitha skuadrave të tjera, ndaj mendoj se kjo është dukuria më evidente në këto 23 javë. Kukësi, Flamurtari e Partizani kanë treguar luhatje, Luftëtari ka 8 javë pa humbur, sepse ka prodhuar lojë.

Nisur nga kjo situatë dhe renditja aktuale, janë shprehur plotësisht skuadrat në mundësitë reale që kanë?
Përveç Partizani që për mua mbetet zhgënjim në këto 23 javë të luajtura, skuadrat e tjera kanë marrë çfarë kanë dhënë në fushën e lojës. Mundësitë për tu shprehur kanë qenë të plota, ndërsa për Partizanin, kjo renditje nuk mund të quhet sukses për të.

Po si dukuri të garës, çfarë veçoni në ritmikën e ndeshjeve në 23 javët e luajtura?
Ndoshta si dukuri e parë mbetet “saldimi” i ekstremeve të renditjes: Skënderbeu në vendin e parë e Lushnja në vendin e fundit të tabelës. Skënderbeu bën diferencën me skuadrat e tjera, ndërsa kjo situatë, ekipit të Lushnjes i shkon për shtat, por jo tifozerisë së saj.

Duke thënë se Skënderbeu e Lushnja janë “salduar” në ekstremet e renditjes, por për skuadrat e tjera mbetet ky konstatim?
Jo, sepse të gjitha skuadrat e tjera kanë treguar shumë luhatje gjatë këtyre 23 javëve që janë luajtur, dhe vazhdimësia do të sjellë shumë lëvizje. Kjo ndodh edhe për faktin se po i drejtohemi fundit të kampionatit, e skuadrat renditin të kapin synimet e sezonit.

Në luftën për një vend në zonën e Evropës, e mendoni edhe Partizanin si rival?
Gara është e hapur deri në fund, e duke qenë 39 pikë në lojë për të gjitha skuadrat, edhe Partizani ka mundësinë që të synojë një vend në zonën e Evropës. Me pikë nuk është shumë larg vendit të dytë e të tretë, por loja e tij nuk është shumë bindëse për këtë zonë në renditje.

Po largimi i Starovës dhe lëvizjet e fundit që kanë ndodhur te Partizani, mund të kenë ndikim negativ në javët e mbetura deri në mbyllje të kampionatit?
Unë nuk besoj se largimi i Sulejman Starovës do të ketë më shumë efekte se sa aktualisht, sepse Dalipi, si trajneri i tretë brenda këtij sezoni, nuk e ka kohën dhe mundësinë që të bëjë diçka më ndryshe se deri më tani. Merkatua e dështuar mbetet pika më e dobët e kësaj skuadre.

Në skuadrat e pozicionit të mbijetesës në renditje, mendoni ndonjë tjetër veç Vllaznisë e Teutës?
Deri në fund në këtë zonë për mbijetesë mendoj se do të shohim rivalitetin mes Vllaznisë e Teutës. Ndoshta do të shfaqen edhe ato aleancat fluide, dhe cila prej tyre do ti ketë më të forta, ajo do të mbijetojë. Keqardhje që në këtë pozicion ndodhen këto dy skuadra të mëdha në futbollin tonë.

Sot luhen ndeshjet e javës së 24-ët, si i parashikoni dhe i vlerësoni të pestë çiftet?
Përveç çiftit Skënderbeu-Lushnja, të gjithë të tjerët do të jenë të luftuar. Priten ndeshje të forta e duele interesante. Për mendimin tim, surpriza mund të vijë vetëm në ndeshjen Kukësi-Teuta, ndërsa tek të tjerat, favorite më shumë janë skuadrat pritëse.
Gara është e hapur deri në fund, e duke qenë 39 pikë në lojë për të gjitha skuadrat, edhe Partizani ka mundësinë që të synojë një vend në zonën e Evropës. Në fundin e renditjes, ndoshta do të shfaqen edhe ato aleancat fluide, se cila prej tyre do t’i ketë më të forta, ajo do të mbijetojë

Ndeshjet-Java e 24-t
E shtunë, 10 mars 2018
Kukësi-Teuta 14:00
Laçi-Flamurtari 14:00
Kamza-Vllaznia 14:00
Partizani-Luftëtari 17:00
Skënderbeu-Lushnja 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 23 53
2. Kukësi 23 39
3. Flamurtari 23 36
4. Luftëtari 23 34
5. Laçi 23 33
6. Partizani 23 32
7. Kamza 23 32
8. Vllaznia 23 25
9. Teuta 23 22
10. Lushnja 23 10
Sigal