Gugash Magani: Me Kamzën për t’u kualifikuar, Kupa është prioriteti ynë

441
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” trajneri i Teutës, ja si e ka përgatitur ndeshjen e sotme të turit të dytë të Kupës
Pas humbjes me Partizanin, si është gjendja tek skuadra e Teutës?
Nëse e keni fjalën për gjendjen emocionale, është shumë e mirë, sepse me Partizanin kemi humbur një ndeshje, dhe asgjë më shumë. Ndërsa në anën fizike, them me bindje se skuadra është plotësisht e gatshme për ndeshjen e radhës. Humbja me Partizanin ka kaluar, nuk kemi kohë për ta qarë atë.

Çfarë keni rikuperuar në raport me ndeshjen e javës së kaluar në kampionat?
Ne e kemi vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje, jo vetëm se kemi shënuar gol në fushën e Kamzës, por edhe pse është një kundërshtar i fortë. Na ka marrë tri pikët dy javë më parë në ndeshjen e Kampionatit, ndaj them se kualifikimi mbetet i hapur.

Është për ju Kupa e Shqipërisë prioritet në synimet e këtij sezoni?
Patjetër që po. Teuta ka vite që nëpërmjet Kupës së Shqipërisë është përfaqësuar edhe në Evropë, dhe në këtë kompeticion ka vlerësim maksimal në të gjitha turet që luan. Duke qenë prioritet i synimeve tona, ndeshja e nesërme (sot) me Kamzën vlerësohet si finale.

Barazimi në ndeshjen e parë në Kamzë, ju favorizon ju, apo kundërshtarin?
Unë ju deklarova më sipër, se kualifikimi mbetet i hapur për të dyja skuadrat, përpos barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Kamzë. Vetë specifika që kanë ndeshjet e Kupës, në rezultatet të tilla, nuk të favorizon në letër, çdo gjë zgjidhet në fushë.

E keni studiuar Kamzën para kësaj ndeshje të dytë të turit të dytë të Kupës?
Kjo është hera e katërt që ndeshemi me Kamzën në këtë sezon, pasi kemi zhvilluar dy ndeshje kampionati dhe një ndeshje të kupës. Nga këto përballje, natyrisht që, si unë edhe homologu im, i kemi njohjet tona respektive, e natyrshëm kemi përgatitur skuadrat mbi këto njohje teknike.

Mendoni se, ndaj jush në këtë përballje sot për kupën, Kamza ka më shumë pika të forta, apo të dobëta?
Në vlerësimin tim, Kamza i ka pikat e forta në të gjithë fushën. Duke qenë se luan në bllok në çdo repart, edhe ne i kemi marrë masat tona që ti përgjigjemi lojës së tyre, por që nëpërmjet saj, ti imponojmë lojën tonë. Kjo e bën të vështirë sfidën.

Pas kësaj ndeshjeje, e mendoni Teutën të kualifikuar apo…?
Duke qenë se Kupa e ka specifikën e vet, unë ja u deklarova më sipër se kualifikimi mbetet i hapur. Por, kjo nuk nënkupton se Teuta e humbet synimin për fitore e kualifikim. Ndaj jo vetëm unë, por e gjithë skuadra është e bindur se do të kualifikohemi, falë edhe përvojës në raport me kundërshtarin.

Në këtë periudhë 4-mujore të edicionit në vazhdim 2017-2018, si i ka realizuar synimet skuadra e Teutës?
Në Kampionat, jemi të zhgënjyer me pikët që kemi marrë, sepse skuadra në të gjitha ndeshjet ka zhvilluar lojëra të mira, përmes të cilave duhet të kishte 5 apo 6 pikë më tepër. Nuk jemi skuadër për mbijetesë, ndaj meritojmë më shumë, por nuk i kemi humbur shpresat për një renditje më sipër.

Po për Kupën e Shqipërisë, si i mendoni synimet tuaja në këtë sezon?
Kupa është në proces, dhe ne deri më tani objektivat mendojmë se janë të realizuara. Pasi të kalojmë edhe ndeshjen e nesërme (sot) me Kamzën, është e natyrshme që rriten vështirësitë, por që synimi ynë vazhdon deri në fitoren e këtij trofeu.
Kualifikimi mbetet i hapur për të dyja skuadrat, përpos barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Kamzë. Vetë specifika që kanë ndeshjet e Kupës, në rezultate të tilla, nuk të favorizon në letër, dhe çdo gjë zgjidhet në fushë

TEUTA-KAMZA (1-1)
Trajneri i Kamzës, Ndreu: Barazimi nuk na ndal synimin
Në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, Kamza barazoi 1-1 me Teutën në fushën e saj, dhe ky rezultat në dukje e komplikon kualifikimin për kamzalinjtë. Por trajneri i kësaj skuadre, Ramadan Ndreu, mendon ndryshe. “Ne shkojmë për kualifikim në Durrës, dhe ky është synimi ynë final për sfidën e dytë të Kupës. Do të luajmë me formacionin tonë të plotë, edhe pse në fokus është edhe ndeshja e radhës në Kampionat me Vllazninë në Shkodër”, kështu theksoi dje për gazetën “Telegraf” trajneri i Kamzës, Ramadan Ndreu, i cili deklaron më pas, se Kupa është prioritet i tyre. “Natyrisht që Kupa është një prioritetet tona në këtë sezon, ndaj vazhdimësinë e mendojmë pas kualifikimit në Durrës”.
Sigal