Edgar Çani: “Erdhi ora, për të treguar sa vlej!”

202

Sulmuesi shqiptar i Katanias do të aktivizohet kundër Interit, të të dielën e ardhshme në Serinë A

 Më në fundi momenti i shumëpritur erdhi. Edgar Çani do të jetë në dispozicion të trajnerit të tij, Rolando Maran, duke filluar nga ndeshja e radhës së Katanias, ajo kundër Interit. Lajmin e bëri të ditur vetë sulmuesi i Kombëtares përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, të publikuar në shqip dhe italisht. “Të dielën do të jem i gatshëm të luaj në Serianë A! Një ndeshje kundër një ekipi të madh si Interi do jetë e vështirë, por jo e pamundur, pasi Katania ka treguar që brenda fushës ka arritur të bëjë shumë rezultate pozitive. Nëse më jepet mundësia do të jem i gatshëm të jap më të miren time, qoftë dhe për disa minuta. Dua të fitoj zemrat dhe besimin e tifozëve dhe trajnerit!”, – shkruan sulmuesi. Gjykatësi i vetëm i “Komitetit të Statusit të Lojtarëve’, amerikani Çak Bllejzër, autorizoi më 22 shkurt (të premten e kaluar), federimin e Edgar Çanit për Katanian, pas çështjes që lojtari shqiptar hapi në FIFA kundër ish-klubit të tij në kampionatin polak, Polonia Varshava.  Edgar Çani u rikthye në Serinë A, pas eksperiencës së tij me Polonia Varshavën në kampionatin polak. Ai firmosi me Katanian një kontratë deri më 30 qershor të vitit 2016. Në Itali, sulmuesi 23-vjeçar, 192 cm, ka luajtur më parë me Peskarën, Palermon, Askolin, Padovën, Piaçencën dhe Modenën. Sulmuesi Edgar Junior Çani (zyrtarisht ka këtë emër, pasi i ati i tij quhet Edgar Çani) është lindur në Tiranë, më 22 korrik 1989, por mbërriti në Itali, me familjen e tij, kur ai ishte vetëm 11 muaj. Hapat e parë në futbollin profesionist i pati në sezonin 2007-2008, kur ende nuk i kishte mbushur 18 vjeç, duke shënuar tre gola në 11 ndeshje me Peskarën, asokohe në Serinë C1 (kategoria e tretë në Itali). Në Serinë A, Edgari debutoi më 27 prill 2008, në ndeshjen Palermo-Atalanta, duke qenë pjesë e sicilianëve, që kishin blerë kartonin e shqiptarit. Për tre sezone, nga 2008-2009 deri në 2010-2011, Çani u dha në huazim  dhe luajti në Serinë B: me Askolin, Padovën, Piaçencën dhe Modenën, duke u aktivizuar në 90 ndeshje dhe shënuar 15 gola. Më 18 korrik 2011, ai u transferua nga Palermo te Polonia Varshava, në kampionatin maksimal polak. Sezonin e kaluar, në 26 ndeshje realizoi 11 gola, duke realizuar edhe dy gola në Kupën e Polonisë. Tashmë, Edgari do të luajë për Katanian, që ndodhet në një pozicion shumë komod në Serinë A: vendi i 8-të. Qendërsulmues tipik, me fuqi të madh dhe zot në lojën në ajër, falë edhe lartësisë së tij të dukshme (192 cm). Çani është shndërruar tani në titullar të Kombëtares shqiptare, teksa numëron deri tani 8 paraqitje dhe 3 gola me përfaqësuesen e drejtuar nga trajneri italian, Xhani De Biazi. Edgari e firmosi golin e tij të parë, pikërisht në debutimin e tij, në miqësoren kundër Gjeorgjisë, më 29 shkurt 2012, ndeshje që përkoi edhe me debutimin e trajnerit De Biazi në bankinën e Shqipërisë. Në kualifikueset e Botërorit 2014, Çani është aktivizuar në katër ndeshje, duke realizuar dy herë: kundër Qipros dhe Islandës. Ai është golashënuesi më i mirë i Shqipërisë në këtë kompeticion ndërkombëtar.

 Katër shqiptarët e Serisë A

Edgar Çani është lojtari i katërt shqiptar që do të luajë këtë sezon në Serinë A. Sulmuesi Erjon Bogdani, golashënuesi më i mirë i Kombëtares shqiptare, luan për Sienën. Bogdani luan në Itali nga viti 2000. Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Lorik Cana, është në sezonin e dytë te Lacio dhe tashmë e ka gjetur veten. Portieri Samir Ujkani tani luan për Kievon, pas transferimit nga Palermo. Më parë ka luajtur edhe për Novarën

 Vlonjatët kanë korrur katër fitore dhe një barazim. Lideri Skënderbeu, tre fitore, një barazim dhe një humbje

 Flamurtari, më i miri i pesë javëve të fundit

 Flamurtari është ekipi më i mirë i pesë javëve të fundit të Kategorisë Superiore. Vlonjatët kanë korrur katër fitore dhe një barazim, duke grumbulluar 13 pikë nga 15 të mundshmet. Është kjo arsyeja që, kuqezinjtë tashëm ndodhen në vendin e tretë me 28 pikë, dy më pak se Teuta e vendit të dytë (30) dhe nëntë më pak se Skënderbeu kryesues (37). Madje, Flamurtari i Ernest Gjokës është i vetmi nga 14 ekipet e Superligës që, ka regjistruar tri fitore ne po aq ndeshje të luajtura në fazën e dytë. Pas një fillimi shumë të dobët të kampionatit dhe largimit të dy trajnerëve: Shkëlqim Muça dhe spanjolli Hulian Rubio, tani Flamurtari po punon me ritme të larta nën drejtimin e Ernest Gjokës, një tekniku fjalëpakë, por punë shumë. “Saki”, siç e thërrasin tifozët vlonjatë, duke bërë një paralelizëm në ngjashmëri me ish-trajnerin e famshëm të Milanit dhe të Kombëtares së Italisë, Arrigo Saki, ka regjistruar në shtatë ndeshje që, tiranasi drejton Flamurtarin: gjashtë fitore dhe vetëm një humbje. Pas Flamurtarit, ecurinë më të mirë në pesë javët e fundit e kanë Skënderbeu dhe Teuta, me nga 3 fitore dhe 1 barazim dhe 1 humbje.

 NDESHJET – Qysh kur pësoi atë humbje 3-1 me Skënderbeun, në Korçë, më 21 nëntor 2012 (java e 11-të), Flamurtari ka një ritëm të jashtëzakonshëm. Pas një kryesimi 0-3 me Vllazninë në Shkodër (me golat e Osmanit (a), Muzakës dhe Pepës), vlonjatëve u iku nga duart fitorja vetëm në minutat e fundit, kur sulmuesi kosovar i Vllaznisë, Kastriot Rexha, shënoi golin e barazimit 3-3 në minutën e 90’+5, në sekondat e fundit të takimit. Në atë ndeshje, në stol ishte spanjolli Hulian Rubio (ndërsa tek Vllaznia, Shpëtim Duro). Pas asaj ndeshje: katër fitore rresht. Me Apoloninë 3-1 (po nën drejtimin e Rubios), me golat e realizuar nga Muzaka, Memelli (p) dhe Lena. Kjo ishte edhe ndeshja e fundit e spanjollit në drejtimin e Flamurtarit, në kampionat, pasi Rubio dha dorëheqjen pas humbjes 0-1 me Bylisin, në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë (9 dhjetor 2012). Pas, këtij momenti nis “epoka” e Ernest Gjokës. Ish-trajneri i Apolonisë, Tomorit dhe Kamzës, e nisi me dy fitore rresht në Kupë (ndaj Teutës dhe Laçit). Faza dimërore e kryer në Turqi, përgatitja serioze dhe dy miqësore të zhvilluara, e kompaktësuan grupin e lojtarëve, të cilët asimiluan më mirë idetë taktike të Gjokës. Dhe suksesi erdhi, me nisjen e fazës së dytë. Fitorja 3-0 në kampionat me Bylisin (edhe pse ballshiotët toleruan në fund të ndeshjes), me sulmuesin Migen Memelli, që i shënoi të tre golat. Në javën e 15-të, Flamurtari fitoi 2-1 në Laç, me golin e Rafael Sozëz dhe autogolin e Emiljano Çelës, për të ardhur te fitorja tenistike 5-2 ndaj Tomorit të Beratit. Memelli dhe Muzaka shënuan secili nga dy gola, ndërsa te rrjeta shkoi edhe Hair Zeqiri. Takimi i radhës është ai kundër Shkumbinit, në Peqin.

MEMELLI

Sulmuesi pogradecar i Flamurtarit, Migen Memelli, është shndërruar në një makinë golash, dhe tani ai kryeson listën me 14 gola, tri më shumë se kroati Pero Pejiç i Skënderbeut, 11. Memelli fitoi “Këpucën e Artë” të sezonit 2008-2009, kur ai luante për Tiranën, ekip me të cilin doli edhe kampion. Në katër ndeshjet e fundit, midis kampionatit dhe Kupës, Migeni ka realizuar shtatë gola.

PESË NDESHJET FUNDIT TË FLAMURTARIT

Java 16: Flamurtari-Tomori           5-2

Java 15: Laçi-Flamurtari        1-2

Java 14: Flamurtari-Bylis       3-0

Java 13: Flamurtari-Apolonia    3-1

Java 12: Vllaznia-Flamurtari    3-3