Ylli Shehu: “Lëshimet e ndeshjeve, një fenomen i vjetër në Shqipëri”

514
Sigal

Ish-lojtari i Partizanit dhe i Kombëtares: “Kampionatit po i mungon cilësia dhe talentet”

Ylli Shehu, ish-lojtar i njohur i Partizanit dhe i Kombëtares,  tha për “Telegraf” se, futbolli shqiptar vuan nga cilësia, dhe se ndëshkimet e fundit të Komisionit të Etikës vetëm sa nxorën në sipërfaqe një problem shumë të vjetër që, ka të bëjë me lëshimet e ndeshje apo kompromiseve midis skuadrave. Shehu, një ish-sulmues i talentuar i viteve 1980-1995, tashmë në rolin e një trajneri, bëri dhe një skaner të tri javëve të luajtura të fazës së dytë, ku spikat forma jo e mirë e Skënderbeut, marshimi i Flamurtarit dhe rënia e Apolonisë. “Skënderbeu mund të ketë vend vetëkënaqësia, pasi ka lojtarë të mirë dhe për më tepër ka drejtues korrekt në lidhje me anën financiare. Ecuria e mirë e Flamurtarit është për meritë të grupit cilësore të lojtarëve që ka, por dhe punës së mirë që po bën trajneri Ernest Gjoka”, – tha Shehu për gazetën. Shehu ka drejtuar si trajner Teutën, Partizanin, Tomorin, Kukësin, Luftëtarin dhe Skraparin.

   – Zoti Shehu, janë zhvilluar tri javët e para fazës së dytë të  këtij edicioni të Kategorisë Superiore. Skënderbeu vazhdon të udhëheqë me diferencën me vendin e dytë, Teutën, por nuk e ka më atë shkëlqimin e fazës së parë. Në këndvështrimin tuaj, si e keni parë rifillimin e kampionatit?

 – Mendoj se, te Skënderbeu mund të ketë vend vetëkënaqësia, pasi ka lojtarë të mirë dhe për më tepër ka drejtues korrekt në lidhje me anën financiare. Ekipi është i kompletuat dhe fakti, që në këto tri ndeshje të para të fazës së dytë, i ka provuar të tre rezultatet, pra fitoren me Apoloninë (1-0), barazimin me Bylisin (2-2) dhe humbjen me Vllazninë (0-1), mund ta konsideroj si një shpërqendrim i skuadrës. E shoh favoriten kryesore për titullin kampion.

 – Flamurtari bëri një fazë të parë jo shumë të mirë, madje nga skuadra vlonjate u larguan dy trajnerë: Shkëlqim Muça dhe spanjolli Hulian Rubio, ndërkohë që po shkëlqen në këtë fillim të fazës së dytë. Si do ta vlerësonit?

 – Po, është e vërtetë. Në fazën e dytë, Flamurtari ka marrë tri fitore në po aq ndeshje, çka e çuar atë në vendin e tretë. Sipas meje, kjo është për meritë të grupit cilësore të lojtarëve që ka, por dhe punës së mirë që po bën trajneri Ernest Gjoka. S’duhet të harrojmë faktin se, në skuadrën vlonjate aktivizohet sulmuesi më i mirë i këtij kampionati, Migen Memelli, që me 14 golat e tij i ka dhënë shumë pikë të vlefshme. Objektivi i Flamurtarit është të kapë një vend në Europë, dhe me vendin e tretë apo dhe pjesëmarrjen e mundshme në katër ekipet më të mira të Kupës së Shqipërisë, i ka të gjitha mundësitë.

 – Teuta e vendit të dytë, po bën një sezon me dy pamje në kontrast me njëra-tjetrën. Shumë bindëse në kampionat dhe dobët në Kupë, teksa ka pësuar pesë humbje në po aq ndeshje në fazën çerekfinale. Pse ndodh kështu?

 – Teuta, për mendimin tim, është një skuadër standarde dhe me një strategji të qartë. Edhe sezonin e kaluar ajo e mbylli në vendin e dytë, dhe po kështu këtë vit ndodhet në këtë pozicion. Skuadra është e përgatitur mirë fizikisht, ka disiplinë. Luan shumë me djem të rinj. Fakti që, në Kupë nuk po del te loja më e mirë e saj, ka të bëjë, sipas meje, me mungesën e eksperiencës që kanë lojtarët. Dihet që ndeshjet e Kupës janë si finale më vete, ndoshta psikologjikisht ata lojtarë të rinj nuk kanë mundur ta përballojnë. Kupa ka tjetër sistem nga kampionati.

 – Zoti Shehu, në futbollin shqiptar po flitet gjithmonë e me tone të larta për fiksim rezultatesh apo lëshime ndeshjesh. Madje ditët e fundit, Komiteti i Etikës i Federatës Shqiptare të Futbollit dënoi me 1.5 milion lekë gjobë Bylisin dhe Kastriotin, për “komplotim dhe influencim të rezultatit”. Pyetja është e drejtpërdrejtë: a ka shitje ndeshjesh në Shqipëri?

 – Dyshimet ekzistojnë, për të thënë të vërtetën. Gjithsesi, kjo nuk është se ndodh për herë të parë në Shqipëri. Është shumë e hershme, por më shumë është shfaqur në formë e lëshimit të ndeshjes, apo të ndonjë aleance midis klubeve, apo kthim nderesh dhe favoresh. Ka shumë arsye. Fakti që, Bylisi dhe Kastrioti u ndëshkuan nga Komisioni i Etikës, mendoj se do të kenë pasur arsye dhe të dhëna të mjaftueshme për të dalë në atë konkluzion.

 – “Telenovela” e ndërrimit të trajnerëve në vendin tonë vazhdon ritualin e saj. 12 nga 14 skuadrat e Supërligës i kanë ndryshuar të paktën një herë ata, ndërkohë që vetëm Skënderbeu (me Mirel Josën) dhe Kukësi (me Armando Cungun) nuk i ka zëvendësuar. Përse ndodh kaq shpesh tek ne?

 – Çështja e trajnerëve ka të bëjë me punën e tyre; rezultatet që merr skuadra; me marrëveshjen specifike që ata kanë me klubin apo presidentin me të cilën kanë gjetur gjuhën e përbashkët përpara se të merrnin në dorëzim skuadrën. Puna e tyre lidhet dhe me fatin e tyre. Kjo është diçka që ndodh dhe në botë.

 – Shehu, në përfundim të këtij sezoni të Kategorisë Superiore do të dalin katër skuadra. Apolonia, me rezultatet dhe pikët e grumbulluara duket se e ka prerë biletën për në Kategorinë e Parë…

 – Duhet të kemi të qartë një gjë, vetë formula e përzgjedhur nga ana e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, natyrshëm të krijonte bindjen se do të kemi luftë të fortë, pasi asnjë nga skuadrat nuk dëshiron të bjerë një kategori më poshtë. Apolonia me rezultatet e saj negative është kandidatja kryesore për të rënë nga Kategoria Superiore. Në dhjetë javët e mbetura nga ky sezon, parashikoj një luftë të fortë midis katër apo pesë skuadrave për të mos rënë nga kategoria, pra Tomorit, Luftëtarit,   Shkumbinit, Besës dhe ndonjë tjetër. Të njëjtën luftë pres dhe nga skuadrat që do të luftojnë për zonën europiane. Kampionati ka ende në lojë 30 pikë, kështu që nuk mund ta parashikosh dot.

 – Kukësin të gjithë po e konsiderojnë një skuadër surprizë të këtij edicioni. A ndani të njëjtin mendim?

 – Në një farë mënyrë pritje një performancë e mirë e Kukësit. Investimet e mëdha në merkato, futbollistë me përvojë, entuziazëm dhe mbështetje të madhe. I mungon disi tradita, por duhet të presim përfundimin e sezonit për të nxjerrë një konkluzion më realist. Gjithsesi, besoj se objektivin e tyre madhor, pra qëndrimin në Kategorinë Superiore duket se kanë realizuar. Tani, me kualifikimin edhe në gjysmëfinalet e Kupës shpresojnë dhe për një vend në Europë.

 – Ylli, ju një nga lojtarët e njohur të Partizanit të viteve 1980-1990, dhe për më tepër një lojtar i Kombëtares. Nëse do të bënim një krahasim të nivelit të kampionatit të tanishëm, me ato të viteve tuaja si futbollist, si do t’i konsideronit?

 – Një gjë është e vërtetë dhe e pranuar nga të gjithë, në ato vite, pra flas kur unë kam luajtur futboll kanë qenë kampionate më të forta. Kishte më rivalitet. Nuk ndaheshin ekipet si tani që, qysh në fillim të kampionatit dihet kush do të dalë kampion. Përveç tri skuadrave të kryeqytetit, Partizanit, Tiranës dhe Dinamos, kanë qenë edhe Vllaznia, Flamurtari, që luftonin për titull. Edhe Skënderbeu, Teuta apo Tomori rivalizonin.

 – Ju jeni vlerësuar si një talent i lindur. A shihni talente në futbollin shqiptar?

 – Edhe tani mund gjesh lojtarë të talentuar, por që për fat të keq shuhen shumë shpejt, pasi pak u japin mundësi. Nëse në kohën tonë, një lojtar spikaste dhe bëhej pjesë e skuadrës së parë, edhe në moshën 17-18 vjeç, dhe raste të tilla ka pasur plot, tani një futbollist shfaq vlerat e tij në moshën 22-23 vjeç. Një pjesë e madhe e lojtarëve që nxjerrin skuadrat e moshave në kryeqytet përfundojnë në ekipe të dorë së dytë, apo nuk luajnë kurrë me ekipet e para. Në vitet kur unë kam luajtur futboll, ka qenë një brez i tërë që spikaste qysh në moshën 17-18 vjeç, kurse tani nuk i gjen as te të rinjtë.

 – Numri i lojtarëve të huaj do të ulet në katër për sezonin e kaluar. A do të ndikojë kjo në aktivizimin e sa më shumë lojtarëve nga prodhimet e skuadrave të moshave të vetë klubeve?

 – Sigurisht, që është një gjë e mirë. Por, unë kam frikë se do të funksionojë i njëjti sistem vlerësimi. Pak lojtarë të rinj shohim nëpër ekipe. Duhen rregulluar shumë gjera. Është e vështirë, pasi ne nuk u referohemi sistemit të vlerave. Lojtarët e rinj, duke u huazuar nëpër ekipet e kategorive inferiore, më shumë ballafaqohen me dhunën sesa me futbollin. Ka shumë dhunë në kategoritë inferiore, sidomos në ekipet periferike.

 Shiu shtyn Partizani-Elbasani

 Kryendeshja e javës së 18-të e Kategorisë së Parë, e planifikuar të luhej në orën 18:00 të së hënës nën dritën e projektorëve të “Qemal Stafës” është shtyrë për një kohë tjetër. Shkak për këtë është bërë moti i keq që ka përfshirë kryeqytetin, ku shiu i dendur që nuk ka pushuar së rëni e ka rënduar së tepërmi tapetin e blertë të ndërkombëtarit tonë. Duke qenë se aty luajti të shtunën në mbrëmje edhe Tirana ndaj Teutës, ishte e pamundur që në kaq pak orë distancë të rikuperohej fusha dhe të luanin në të edhe të kuqtë me verdheblutë, në kushte normale. Dhe meqë bëhet fjalë për një ndeshje të rëndësishme për këtë kategori, FSHF-ja ka vendosur edhe me miratimin e dy klubeve që ta shtyjë zhvillimin e saj, në një moment kur fusha dhe moti do të ofrojnë kushte të përshtatshme.

 Laçi-Skënderbeu

 Ndeshja Laçi-Skënderbeu, e vlefshme për javën e 17-të të Kategorisë Superiore do të luhet ditën e premte, datë 1 mars, në orën 14:00.