Derbi Tirana-Partizani, heshtja e stadiumit shuan dhe golat

451
Sigal

Është mbyllur në barazim ndeshja e shumëpritur Tirana-Partizani, Kukësi rrëmben fitoren në Fier

Super ndeshja e javës së gjashtë, derbi i “heshtur” Tirana-Partizani, është mbyllur me rezultatin 0-0, pa gola, pa fitues dhe pa tifozë. Ashtu siç pritej, asnjë tifoz nuk u lejua të ishte prezent në stadium, çka  në fillim të linte idenë se po luhej një ndeshje stërvitore dhe jo derbi i Shqipërisë. Ndeshja fillon me gabime nga të dy palët, me Partizanin që duke shumë mirë të vendosur në mbrojtje dhe me idenë për të mos pësuar gol. Gjatë gjithë ndeshjes janë lojtarët e Tiranës që përpiqen të shënojnë por pa arritur të finalizojnë sulmet e tyre. Në fund të ndeshjes trajneri i Partizanit, Duro, nis skuadrën në sulm por përsëri nuk do të ketë asnjë shenjë për gol. Ky rezultat ju jep të dyjave nga një pikë duke shkuar baras në kuotën e 11 pikëve dhe duke ndarë vendin e parë bashkë, të paktën deri në përfundim të ndeshjeve të sotme. Ndeshja hapëse e javës së gjashtë të kampionatit ishte ajo e orës 17:00 mes Apolonisë dhe Kukësit në Fier. Një ndeshje që rikthen Kukësin tek fitorja pas dy humbjeve rresht dhe e ngre në kuotën e 10 pikëve. Kjo ndeshje ka filluar qetë nga të dyja, pa raste të mëdha në pjesën e parë deri, në shënimin e golit nga Pero Pejiç, një minutë para mbylljes së pjesës të parë. Pjesa e dytë ka folur më shumë në lojë për Apoloninë, me shumë raste, por pa mundur të preknin portën kundërshtare. Një ndryshim skenari për të dyja palët solli dalja me të kuqe e Lushtakut të Kukësit në minutën e e 56, çka solli spostimin e lojës së fierakëve në gjysmëfushën kundërshtare por pa mundur të provonin si duhej, ndërsa kuksianët vetëm u mbrojtën me shpresën se do të kishin raste kundërsulmi, por në fund rezultati mbeti i vulosur vetëm nga goli i Pero Pejiç që i jep fitoren skuadrës së vet dhe për tu vendosur përsëri mes pretendenteve me 10 pikë, një më pak se kryesuesit. Tri ndeshjet e tjera të javës së gjashtë luhen sot, me Vllaznia-Elbasani që luhet në ora 16:00 dhe Teuta-Skënderbeu dhe Flamurtari-Laçi në ora 19:00. Përballje interesante që të tria me Vllazninë që pret në  një “Loro Boriçi” të boshatisur të fundit e tabelës së renditjes, Elbasanin, që akoma nuk ka arritur të grumbullojë pikë në këtë sezon. Fitorja duket një detyrim për Vllazninë që kalendari i ofroi ndeshjen e dytë rresht në shtëpi. Ndeshja tjetër, ajo mes Teutës dhe Skënderbeut do të luhet vetëm për fitore nga të dyja, pasi asnjëra nuk është e kënaqur me vetëm një pikë, si Teuta që u mund Partizani dhe i duhet një fitore ashtu edhe Skënderbeu që dëshiron të vazhdojë serinë e fitoreve pas asaj ndeshje me Kukësin në Korçë, dhe sigurisht pas barazimit të Tiranës dhe Partizanit ka shansin të ngulet në krye të renditjes. Përmbyllësja për këtë javë është Flamurtari-Laçi, një ndeshje që ka dhënë gjithmonë emocione, një përballje e shpeshtë mes tyre që e ka bërë Laçin deri diku si ‘tersin’ e vlonjatëve duke ju marrë fitore të rëndësishme që vlenin edhe për titull. Ndeshja e sotme në asnjë mënyrë nuk mund të anashkalohet nga vlonjatët dhe sidomos pas fitores së kurbinasve ndaj Tiranës javën që shkoi. Edhe në këtë ndeshje, ashtu si në Teuta-Skënderbeu, fitorja është një detyrim për secilën palë, me Flamurtarin që nuk dëshiron ta lëshojë kreun dhe me Laçin që, ne krahasim me vlonjatët, deri diku nuk ka asgjë për të humbur, por nuk do i vinte keq të fillonte një seri fitoresh.

Dje

Apolonia 0-1 Kukësi

Tirana 0–0 Partizani

Sot

Vllaznia 16:00 Elbasani

Teuta 19:00 Skënderbeu

Flamurtari 19:00 Laçi

Renditja

1. Tirana                 6       11

2. Partizani             6        11

3. Flamurtari         5       10

4. Skënderbeu         5       10

5.   Kukesi              6        10

6. Laçi                     5        6

7. Vllaznia               5        5

8. Teuta                   5        4

9. Apolonia              6        4

  10  Elbasani              5        0

   Serbia i thotë ‘Jo’ pranisë së shqiptarëve në stadium

 Duket se prania e tifozëve shqiptar në stadiumin e Serbisë, po kthehet në një çështje të ndërlikuar, me palën serbe qe nuk garanton sigurinë e tifozëve dhe me palën tonë që shprehen të bindur se ndeshja duhet të luhet me tifozët e të dy kombëtareve. Pak ditë më parë ishte edhe zoti Duka që siguroi mbështetje për të gjithë tifozët që duan të jenë prezent në stadiumin serb më 14 tetor, duke argumentuar se qëllimi i futbollit është të shuajë grindjet dhe të mbyllë hendeqet e krijuara nga politika. Por duket se nuk mendon kështu Federata serbe, ose më saktë opinioni i gjerë serb, pas një fushate jo edhe aq të ndërlikuar mediatike, që shpreheshin kundër tifozëve shqiptar në stadium. Aktualisht bëhet e ditur se Federata serbe e futbollit, bashkë me policinë nuk kanë garantuar sigurinë e tifozëve dhe për të shmangur çdo të papritur të pakëndshme është vendosur që mos të ketë tifozë shqiptar në Serbi. Por ekziston edhe një mundësi tjetër që dy federatat të kenë rënë dakord bashkë mbi këtë çështje, pasi në një media serbe “Novosti” ka folur një komisioner i sigurisë i Federatës serbe dhe është shprehur se- “Sipas marrëveshjes më të hershme në parim të dy federatave, asaj të Serbisë dhe Shqipërisë, është parashikuar që tifozët udhëtues të mos vijnë në Beograd, por edhe që tanët të mos udhëtojnë për në Tiranë (Elbasan)”. Pra në bazë të kësaj deklarate (gjithmonë nëse është e vërtetë) kemi një ujdi mes dy Federatave, që sigurisht është bërë për të shmangur çdo gjë që nuk ka lidhje me futbollin,pasi sipas tyre është e vështirë që kjo ndeshje të mos pasohet me konflikte sado të vogla qofshin. Deri më tani është marrë ky vendim nga pala serbe, por ndoshta do të kemi ndonjë ndryshim në ditët në vijim.

Danimarka në alarm për ndeshjen me Shqipërinë

Duket se jo çdo gjë po shkon mirë për Olsen dhe danezët e tij, pasi deri më tani numërohen plot katër futbollistë të dëmtuar dhe që mendohet se, nuk do ja dalin dot për ndeshjen me Shqipërinë me 11 tetor. Aktualisht ndodhet i dëmtuar Lase Shone i Ajaksit, Kasper Kusk i Tventes, Jakob Ahlman i Alborgut dhe Morten Rasmusen i Midtjylland. Në fakt mungesa e Lase Shone është një plus për ne pasi futbollisti njihet për cilësitë e tij organizative të lojës. Por pavarësisht këtyre mungesave, Danimarka ka përsëri  në përbërje një grup futbollistësh si Eriksen, Pierr Emil Hojberg, Ager, Bendtner, Kjaer etj., që do i nxirrnin probleme çdo skuadre.