Asnjë përfaqësues klubi nuk deklaroi pretendime për ndryshimet në grupe!

1776
Sigal

Nga Agron KAJA

KATEGORIA E PARË/ Dje në FSHF u hodh shorti për sezonin e ri 2018-2019, në Grupin B veçohen përballjet Pogradeci-Besa dhe Tomori-Lushnja

Ditë më parë, kur FSHF-ja deklaroi një lëvizje të skuadrave nga grupet e Kategorisë së Parë në sezonin e kaluar, disa klube, madje edhe trajnerë nga kjo kategori, shpejtuan të thoshin se kjo ishte një lëvizje e nxituar, me pretendimin se favorizohej Vllaznia. Ndërsa dje, kur u hodh pikërisht ky short, jo vetëm që përfaqësuesit e klubeve nuk folën fare për këtë lëvizje, por me vrap tërhoqën goglat e tyre, dhe më pas të qetë ju drejtuan kokteilit të zakonshëm që FSHF-ja organizon në takime të tilla. Me këtë atmosferë nisi kjo ceremoni, ku Shefi i Sektorit të Garave, Lysjen Nurishmi, dhe inspektori në këtë sektor, Marius Sulejmani, treguan fillimisht procedurën e shortit dhe të veçantat e tij. “Skema e Kategorisë së Parë për sezonin 2018-2019, nuk ka ndryshuar. Pra, do të jenë 20 skuadra pjesëmarrëse të ndara në dy grupe, A dhe B me nga 10 skuadra në përbërjet e tyre. Në dy fazat e para skuadrat do të ndeshen mes tyre me sistemin vajtje-ardhje, ndërsa në fazën e tretë, skuadrat ndahen në dy minigrupe brenda çdo grupi, ndërkohë që u përgjysmohen pikët e grumbulluara në dy fazat e para”, kështu e nisi këtë ceremoni Shefi i Garave në FSHF, Lysjen Nurishmi, i cili më pas kërkoi nga të pranishmit të sillnin ndonjë problematikë, por që nuk erdhi nga asnjeri prej tyre. Më pas, në Grupin A u veçuan numrat 1 dhe 6, me qëllim që Dinamo e Vora të mos përplaseshin në të njëjtën ditë zhvillimi të ndeshjeve të tyre, si skuadra të Tiranës. Në këtë sezon të ri, Kampionati Kombëtar i Kategorisë së Parë do të nisë më datën 9 shtator 2018. Në këtë ceremoni të shortit për Kategorinë e Parë, interesante ishte ndërhyrja e Shefit të Sektorit të Licencimit në FSHF, Astrit Maçi, i cili bëri një njoftim të rëndësishëm sa u përket bankinave të këtis sezoni futbollistik. “Të gjithë trajnerët që do të drejtojnë skuadra në të gjitha nivelet e futbollit shqiptar për sezonin e ri 2018-2019, duhet të bëjnë rinovimin e licencës. Licenca PRO në datat 31 gusht e 1 shtator, Licenca A në datat 29 e 30 gusht, dhe Licenca B në datat 27 dhe 28 gusht 2018”, ishte ky sqarimi i Astrit Maçit, i cili troket në informalitetin që mundet të sjellë moszbatimi i këtyre ditëve të rinovimit të licencave të trajnerëve.