Sinan Idrizi: Kemi bërë tre oferta të mëdha, njera prej tyre është edhe Ekuban, ne e presim në Vlorë

641
Sigal

Nga Agron KAJA

KATEGORIA SUPERIORE/ Te Flamurtari po përgatiten për një goditje “BIG” në merkato. Administratori Idrizi e konfirmon për “Telegraf”

Që Flamurtari këtë sezon po kërkon të jetë protagonist në Kategorinë Superiore, vetëm ndërhyrjet që ka bërë dhe mendon të realizojë deri më 31 gusht, tregojnë qartazi synimin e skuadrës vlonjate. Pasi janë larguar nga sezoni i kaluar 12 lojtarë, por janë afruar 11 të tjerë së bashku me trajnerin Ilir Daja, Administratori Sinan Idrizi duket si i pa “ngopur” me merkaton që ka bërë në këtë sezon. Pas ndeshjes me Teutën në Durrës, ku barazimi i bardhë 0-0 e bëri që ai të shikojë edhe goditjet e fundit, dje ka deklaruar në median e shkruar se ka bërë oferta për tre lojtarë cilësorë, mes tyre edhe ganezin Kaleb Ekuban, ish-sulmuesi i Partizanit dy sezone më parë. “Po, është e vërtetë që ne si klub ende nuk e kemi menduar të mbyllur merkaton, sepse me trajnerin kemi biseduar për të afruar dy-tre futbollistë cilësorë. Tregu tashmë dihet, dhe njëri prej tyre është Khaleb Ekuban. Në këtë periudhë nuk kemi dashur ta bënim shumë publike, ndërsa Ekubanit i kemi kërkuar kontakt përmes agjentit të tij, dhe jemi në situatën që presim përgjigjen përfundimtare. Sepse Ekuban duhet të vijë në Vlorë që të shohë konkretisht ofertën tonë, e më pas të vendosë”, ishte kjo deklarata e djeshme e Administratorit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, i cili këtë sezon është duke ndërtuar një skuadër cilësore, që sipas tij, do të jetë pretendente për të gjitha trofetë e sezonit që sapo ka nisur. Burime të tjera zyrtare në klubin e Flamurtarit, dje për gazetën “Telegraf” e konfirmuan këtë lajm, ku si detaj është se, Khaleb Ekuban mund të firmosë për Flamurtarin, por duke ardhur në Vlorë në formë huazimi nga Lids Junajtid në Championship-in e Anglisë (Liga e Dytë). Vetë Lidsi është gati ta huazojë ganezin, por duke i paguar vetëm gjysmën e kontratës, ndërsa pjesën e mbetur duhet ta japë Flamurtari. Bëhet fjalë për 180 mijë euro në vit, një shumë që vlonjatët kanë dalë garant për t’ia dhënë lojtarit. Për të bindur futbollistin, zyrtarë të FK “Flamurtari”, dje konfirmuan se Administratori Idrizi ka dërguar në Londër menaxherin shqiptar që e solli lojtarin dy vite më parë në Shqipëri, fierakun Elton Marini. Ai nga dje ka nisur negociatat me futbollistin në fjalë, si dhe përfaqësuesit e klubit të Lidsit. Nisur nga vlerat që Ekuban tregoi me fanellën e Partizanit në sezonin 2016-2017, ku në 34 ndeshje shënoi 17 gola, te Flamurtari shohin “gjahtarin” e duhur të golit. Por me Lidsin në Championship të Anglisë, Ekuban nuk ka gjetur shumë hapësira, pasi në sezonin e kaluar u aktivizua më shumë si zëvendësues në 20 ndeshje, duke shënuar vetëm 1 gol. Ulja në bankinë e Ilir Dajës, tre herë Kampion me Skënderbeun, është arsyeja e dytë pse ky Flamurtar duhet besuar për këtë merkato të madhe në futbollin shqiptar. Në javën e parë të Kategorisë Superiore 2018-2019, Flamurtari barazoi pa gola, 0-0 në Durrës, dhe marrja e Ekuban bëhet më evidente për sulmin vlonjat.