Armand Duka: Nuk jam i qetë, e falënderoj trajnerin më të mirë në kombëtare

75
Nga Agron KAJA
PRESIDENTI FSHF/ Sikurse edhe e paralajmëroi të martën në intervistën për “Telegraf”, dje pranoi zyrtarisht dorëheqjen e De Biazit
Sikurse edhe e kishte paralajmëruar, dje Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, doli në konferencë shtypi, në një reagim të tij pas asaj dalje që një ditë më parë bëri trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi. Që në hyrje të fjalës së tij, Presidenti i FSHF-së deklaroi se, dorëheqja ishte vendimi i tij, por që Dukën e kishte surprizuar. “Deklarimi i trajnerit dje (të martën), që tha se ka vendosur të mos e vazhdojë kontratën pas këtij edicioni, personalisht më surprizoi, por jo vendimi. Ka qenë një diskutim i përbashkët i imi dhe trajnerit. Sipas trajnerit, cikli i tij ka mbaruar, por kjo nuk është bindja ime. Duke qenë se ky njoftim u dha, menduam bashkërisht që trajneri ta bëjë zyrtare. Dua ta falënderoj trajnerin për kontributin në ekipin kombëtar, në futbollin shqiptar dhe në të gjithë punën e FSHF-së. Jam jo i qetë, i emocionuar, sepse kemi kaluar pesë vite punë, pesë vjet që i kanë pasur të gjitha, shumë emocione, por edhe debate. Mbi të gjitha, me një sukses të pazakontë, që do të lerë shenjë në jetën time, si një nga sukseset më të mëdha që kemi arritur, falë punës, angazhimit dhe asaj që injektoi Xhani. Kur emëruam zotin De Biazi në krye të Kombëtares, edhe pse kishim disa alternativa, besuam se do të arrinim diçka. Sot, edhe pse jo një ditë normale dhe jo e mirë, sepse ndahemi nga një bashkëpunëtor, por ndahemi me bindje pozitive, sepse bëmë mirë dhe bëmë zgjidhjen e duhur. Edhe pse nuk e mendoj se, si trajner, cikli i tij ka përfunduar”, kështu theksoi Presidenti i FSHF-së në deklarimin e tij, duke shprehur më pas edhe idenë e bashkëpunimit të mëtejshëm, por edhe elozhet për punën e De Biazit. “Nuk kam thënë asgjë, se kontrata duhet të vazhdojë, duke menduar se gjithmonë negociatat për kontratë dëmtojnë qëllimin kryesor, ekipin kombëtar. Është e njëjta sjellje që kemi bërë gjithmonë, dhe jo vetëm në këtë rast. Në asnjë moment nuk kam menduar që të mos vazhdonim më tej. De Biazi është trajneri më i mirë i Kombëtares shqiptare, më i miri deri më sot, dhe për sukseset e arritura dua ta falënderoj. Nga pikëpamja humane dhe miqësore, nuk kemi humbur asgjë, sepse do të vijojmë të jemi miq. Madje, nga sot e tutje, do të jemi edhe më tepër miq. Prej ditës së konferencës së trajnerit, kam qenë i emocionuar. Vendimi për ndërprerjen e marrëdhënies nuk ka qenë i konsoliduar, përkundrazi, mendonim të shikonim së bashku drejt së ardhmes”. Ndërkohë që mbyllja e deklaratës së Dukës, ka qenë më tepër një mirënjohje e dytë për De Biazin në stolin e Kombëtares sonë. “Pas Luksemburgut, nuk e mendova atë që mendoi trajneri, për largimin. Nuk kam gjykuar asnjëherë vetëm bazuar në një rezultat. Trajneri, për të mirën e ekipit mendon të largohet menjëherë. Nuk ka oferta, por trajneri mendon që pasardhësi i tij duhet të ketë kohën e mjaftueshme për tu përgatitur drejt kualifikueseve të vitit 2020. E njoh shumë mirë De Biazin, dhe nëse do të kishte një ofertë, do të më thoshte. Ja kam thënë se, FSHF-ja nuk do ta cenonte asnjëherë karrierën e tij si trajner”.
Kjo është shifra me President të FSHF-së Armand Dukën, nga marrja e mandatit të parë të tij në shkurt 2002, e deri dje, 14 qershor 2017
Nuk kam menduar asgjë për emra konkretë për trajnerin e ri. Nga sot do të nisë kjo punë. Opsioni shqiptar? Nuk e kam mbyllur asnjëherë këtë mundësi. E rëndësishme është që Kombëtarja të ketë një trajner të mirë. Kurrë mos thuaj kurrë!