Sigal

Flitet aq shumë për ekipet kombëtare të moshave a thua se ne jemi në 5 më të mirët e kontinentit. Ky luan në Itali, ky tjetri në akademinë e Barcelonës, një i tretë në Greqi, Suedi, Zvicër, Gjermani etj., etj., dhe ti nis e mendon se, lum si ne për këto talente dhe e nesërmja e Kombëtares Kuq e Zi është në duar të sigurta dhe në rrugën e duhur. Por çfarë fshihet pas kësaj fasade false të deklaratave, opinioneve e mburrjeve tona pa doganë? Dhe ku janë këto Talente, që na mbytën, që nuk arrijnë të shënojnë më shumë se 1 gol të vetëm në 6 ndeshje evropiane në fushë të vet, që nuk arrijnë të marrin qoftë edhe një barazim të vetëm po në fushë të vet, që regjistrojnë 6 humbje radhazi po në fushë të vet e që pësojnë 14 gola po në fushë të vet? Talente ”alla shqiptare” që etiketohen më së shumti nga vetë prindërit e tyre. Shqipëria ka talente e ka pasur me shumicë e pa doganë, prej vitesh, por rezultatet flasin për të kundërtën e të vënë me shpatulla pas murit, ndaj shqetësimi dhe pyetja ime është: Po trajnerët që administrojnë këto lloj ”talentesh” ku janë?

Çfarë bëjnë? Sa i ndjejnë këto rezultate skandaloze dhe çfarë përgjegjësie konkrete mbajnë? Ndoqa me vëmendje turneun evropian të U-19, zhvilluar në Durrës dhe Lushnjë. Ashtu sikurse edhe një edicion më parë Shqipëria sigloi 3 humbjet e radhës dhe po sikurse një vit më parë po në shtëpinë e vet, 0-1 me Ukrainën, 0-3 me Sllovakinë dhe 0-1 me Norvegjinë. Asnjë gol i shënuar , 0 pikë e vendi i fundit në grup. Një vit më parë, 0-1 me Malin e Zi, 0-1 me Ukrainën dhe 1-7 me Norvegjinë. Vetëm një gol i shënuar, 0 pikë e vendi i fundit në grup me tre humbje e po në fushën tonë. Në dy vitet e fundit bilanci në 10 ndeshje, 8 humbje, 6 gola të shënuar e 19 të pësuar e vetëm dy fitore, 1-0 me Gjibraltarin dhe 2-1 me Kosovën, ndërkohë edhe 2 humbje të tjera 3-2 me Gjermaninë dhe 1-0 me Irlandën e Veriut. Djalë i mirë boll është trajneri ynë i 19-vjeçarëve Erion Bogdani, edhe si futbollist e si sulmues po i mirë boll ka qenë dhe meriton respektin e konsideratën maksimale, por kur gjërat shkojnë kësisoj, minimumi i asaj që duhet bërë është kurajë qytetare e profesionale për të thënë, Mjaft, po largohem, kështu nuk shkon dot më. Le të vijë dikush tjetër dhe lus zotin ta bëjë më mirë se unë. Sepse kësisoj, jo që nuk duhet të kemi më gojë të flasim për të ardhmen e për të nesërmen e Kombëtares së të rriturve Kuq e Zi, por në të kundërtën, na zë tmerri tek mendojmë se ç’po ndodh sot me kombëtaret e moshave ku gjendja është po njësoj, madje edhe më e keqe si tek 15 e 17-vjeçarët po kështu edhe tek ekipi Shpresave. E nesërmja duket blozë dhe gri e errët. Dikush duhet të ndërhyjë urgjentisht, madje fort, që të shpërndajë sa më parë këto re të dendura që kanë kohë që po e lënë futbollin shqiptar të moshave vetëm në errësirën e Netëve të frikshme, pa mundur dot t’i garantojnë e sigurojnë agimin e një dite të re me diell e shpresë, me besim e optimizëm konkret e real tek e nesërmja.