Prof. Dr. Jovan Basho: Për mjeshtrin e gazetarisë Thimi Nika

210

Në kujtim të Thimi Nikës, në përvjetorin e parë të mungesës së tij

 

Jovan BASHO*

 

Thimi Nika u lind më 11 shkurt të vitit 1949. Origjinën familjare e kishte nga Muzina e Sarandës, arsimin e mesëm e kreu në qytetin e Beratit, ndërsa Universitetin e Tiranës në degën Shkenca Politike e përfundoi në vitin 1970. Ka punuar në detyrën e gazetarit dhe sekretarit të kolegjiumit në gazetën “Zëri i Popullit”, ndërsa më pas ishte drejtor i Radio Tiranës, punonjës dhe drejtor i Institutit të Diasporës pranë Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë. Për një periudhë disavjeçare ka drejtuar botimin e gazetave “Afër dhe larg”, “Alternativa SD”, “Poli i Qendrës” etj. Kudo ku punoi, u dallua për korrektësi, profesionalizëm të lartë dhe karakter të fortë. Ai ishte studiues këmbëngulës e me vullnet të paepur, në sajë të të cilave bëri shkrime e studime pafund dhe mbrojti tituj shkencorë.

 

Thimi Nika

01

 

Me Thimin më lidhi filatelia. Ashtu si unë edhe ai trashëgonte një koleksion të pasur pullash e materialesh postare, trashëguar nga babai i tij Kostandin Nika. Unë iu bashkova disi vonë grupit të koleksionistëve elitarë të Tiranës të periudhës para e gjatë Demokracisë, të përbërë nga Shefik Osmani, Ferrik Ferra, Robert Ballauri, Niko Xharra, Vasil Xhitomi, Bajram Peçi e të tjerë. Midis tyre, Thimi dallonte për shkrimet e shumta të botuara dhe për kulturën dokumentare të historisë së filatelisë shqiptare. Pas vitit 2010, kur unë fillova të jem më aktiv në këtë hobi, trashëguar nga paraardhësit e familjes, ne filluam të shihemi më shpesh me njëri tjetrin, madje caktuam edhe ditën e martë në mbrëmje për tu takuar e biseduar për çdo gjë interesante që kishim gjetur, për ekspozitat e shpeshta ballkanike, evropiane e botërore që zhvilloheshin e mundësitë për të marrë pjesë në to me koleksione, apo si pjesë e komisionerëve të ekspozitave etj. Thimi ishte ai që nuk mungonte asnjëherë, krahas Vasilit, Nikos, Bajramit, Emi Gimjanit, Edmond Budos, Kozma Dashit, Julian Demetit, Xhoan Gugës etj. Rasti e solli që të banonin fare pranë njëri tjetrit dhe i kujtoj si sot ato kthimet në shtëpi pas takimeve të të martave, kur rruga nga Qendra e Tiranës ku takoheshim deri te Kompleksi “Concord” në rrugën “5 maji”, ku të dy banonim, na shkonte ndonjëherë edhe dy ore, deri afër mesit të natës. E çfarë nuk kemi biseduar! Nga gjërat më të rëndomta të jetës deri te hollësirat historike të Shqipërisë që lidheshin me filatelinë dhe Postën Shqiptare, për tematikat filatelike, për vlerat, pullat taksë e fiskale, për gabimet në shtypje, për filatelistë të shquar etj. Sa shumë kemi mësuar nga njëri tjetri, por kryesisht unë prej tij. Më kishte ftuar disa herë për të parë koleksionin e pullave dhe të pikturave të tij dhe unë vija re se si transformohej ai njeri kur fliste për ato tema, duke të imponuar respekt për ta dëgjuar.

Ai ishte shembulli më domethënës se si mund të krijohet një koleksion i pasur, në kushtet e një njeriu me të ardhurat e zakonshme të një intelektuali. Është shembulli më kuptimplotë i asaj që koleksionin në radhë të parë e bën pasioni, pasuar me seriozitetin, ndershmërinë dhe kulturën e duhur. Megjithëse trashëgoi një koleksion të pasur nga i ati (i cili i kishte lënë dy gjëra të rralla: pullën lokale të Beratit të vitit 1915 dhe pullat telegrafike të Vlorës, të cilat i kemi edhe ne prej tij në koleksionet tona dhe që hyjnë në rrallësitë e koleksionit filatelik shqiptar, tepër të kërkuara, veçanërisht nga të huajt që koleksionojnë Shqipërinë), ai e pasuroi pandërprerë gjatë viteve koleksionin e tij, gjë e cila i mundësoi të marrë pjesë në ekspozita konkurruese kombëtare e ndërkombëtare, duke u nderuar me çmime e medalje të merituara. Kultura filatelike e grumbulluar dalëngadalë gjatë viteve, profesioni i gazetarit, koleksioni i pasur që zotëronte, si dhe puna e palodhur hulumtuese në Arkivin e Shtetit i dhanë mundësi të shkruante librin “Historia e Filatelisë Shqiptare”, libër i cili u botua fillimisht shqip në vitin 2013 e pas një viti edhe anglisht. Libri përbën studimin më të plotë të botuar deri më sot mbi filatelinë shqiptare dhe historinë e saj dhe nderon çdo bibliotekë filatelike. Për këtë studim Thimi u vlerësua me medalje ari në Ekspozitën Filatelike Ballkanike, në Vidin, Bullgari 2014, në Balkanfila 2016 të organizuar në Tiranë si dhe në Ekspozitën e Literaturës filatelike të organizuar në Verona, Itali me rastin e 100-vjetorit të mbarimit të Luftës së Parë Botërore (nëntor 2018). Për vite me radhë, Thimi ishte anëtar i Komisionit Shtetëror të Pullës Postare, duke dhënë ndihmesën e tij të vyer. Ai pati shkruar: “Pullat janë nishane të shtetit, ashtu si flamuri kombëtar, stema, monedhat e kartëmonedhat. Në qoftë se bën një “rrugëtim” të gjatë nga emisioni i pare filatelik shqiptar, më 5 maj 1913 dhe deri te më i fundit aktualisht, emocionet që përfton janë thuajse të njëjta me ato kur lexon tekstin e Historisë së Shqipërisë. Pullat janë pasqyrim adekuat i historisë. Ndryshimi qëndron në faktin se historia nëpërmjet pullave përvijohet përmes imazheve, kurse nëpërmjet tekstit përmes fjalës së dokumentuar”. Prej vitit 2007 e deri sa vdiq, Thimi ishte kryeredaktori i revistës “Koleksionisti”, revistë që del dy herë në vit dhe përgatiti shumë numra të kësaj reviste, në të cilën binin në sy artikujt e shkruar prej tij. Me Thimin si kryeredaktor, revista shënoi vetëm rritje. Ai ishte i kujdesshëm për të mos i shpëtuar asnjë hollësi lidhur me shkrimet apo materialet e botuara. Vlen të theksohet se puna studimore dhe koleksionet e pasura të filatelistëve shqiptarë, veçanërisht vitet e fundit, bënë që bërthama e këtyre studimeve dhe materiali filatelik shqiptar, të zhvendosen përfundimisht nga vendet evropiane në Shqipëri. E në këtë fushë, Thimi Nika zë një vend parësor e plotësisht të merituar. Veç filatelisë, ai ishte tepër i pasionuar edhe pas pikturës. Nuk kishte autor shqiptar, veçanërisht ata pas Luftës së Dytë Botërore, prej të cilëve të mos kishte të paktën një pikturë apo vizatim. Ai çeli shumë ekspozita të përbashkëta dhe vetjake me veprat e artit që dispononte, në Tiranë dhe në qytete të tjera, kishte miq thuajse të gjithë artistët dhe piktorët dhe e njihte me hollësi jetën dhe veprën e tyre. Ai koleksionoi edhe monedha e kartëmonedha, kartolina, fotografi dhe telekarta shqiptare.

 

Me Thimin në Pejë, Kosovë (shtator 2017)

 

02

 

Vitet e fundit të jetës së tij, jemi takuar mjaft shpesh, e kjo lidhej jo vetëm me filatelinë, por edhe me afërsinë e banimit dhe qenien time mjek. Ai ishte tepër i kujdesshëm sa i takon anës shëndetësore, tepër aktiv, lëvizte në këmbë e me biçikletë, e askujt (as mua si mjek) nuk i shkonte në mend që vdekjen e kishte aq pranë. Iu ndodha pranë edhe në momentet e tij të fundit, kur bashkë me ekipin e Urgjencës së Tiranës u përpoqëm me kot ta risillnim në jetë pas atij ataku kardiak fatal. Sa herë që e kujtoj atë skenë më vjen instinktivisht ndërmend, çka jo më kot, është shkruar në Bibël:

“Cili gëzim i Jetës, nuk është i përzierë me hidhërimin?

Cila Lavdi mbi Dhe, qëndron e pa zhvendosur?

Të gjitha janë më të remta se ëndrrat!”

Thimi Nika u largua para kohe, por i qetë nga kjo botë, duke lënë pas një emër e kujtim të madh për të gjithë ne që e njohëm, u mrekulluam nga bisedat e takimet me të dhe që do ta kujtojmë përherë, jo vetëm sa herë që do të kemi nevojë të konsultohemi me ç’ka ai ka shkruar e botuar, por edhe si njeri me një botë të madhe shpirtërore e me kulturë të gjerë.

* Prof. Dr. Jovan BASHO, mjek, filatelist, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë