Petro Luarasi: Nderim Morton Frederick Eden, “Qytetar Nderi”!

637
Sigal

100-vjetori i Kongresit Kombëtar të Lushnjes

Nderim ”Qytetarit të Nderit” Morton Frederick Eden! Në prag të 100-vjetorit të Kongresit Kombëtar të Lushnjes i shprehim mirënjohje të thellë mikut të shquar të shqiptarëve, konsullit britanik Morton Frederick Eden, ”Qytetar Nderi i Lushnjes”, frymëzuesit, organizatorit dhe mbrojtësit të Kongresit Kombëtar të Lushnjes. Shqiptarët nuk janë mosmirënjohës! Në këtë përvjetor historik, kombi shqiptar ka rastin të tregohet fisnik me mirënjohjen dhe nderimin e tij kundrejt miqve të shquar të huaj, të cilët me përkushtimin e tyre e ndihmuan të rilindë duke mbrojtur e shpallur vlerat e tij, përkundër përfoljeve e lakmisë së armiqve shovinistë. Atyre ua ka më të madhin borxh, jo vetëm për t’i përmendur, por dhe për t’i vlerësuar siç e meritojnë.

Petro Luarasi

Në vargun e miqve të shquar të huaj, përkatësisht atyre anglezë, prej Lord Bajronit deri tek shqiptarofilët e mirënjohur Hebrey Herbert e Mary Edith Durham, meriton nderimin e shqiptarëve edhe Morton F. Eden.

Morton Frederick Eden (16 qershor 1865 – 2 janar 1948) qe djalë i vetëm i familjes fisnike britanike të Charles Calvert Eden dhe Cecile Freiin von Sinner, të cilët patën edhe vajzat Evelyn e Violet. Mbas arsimimit të përgjithshëm, ai ndoqi traditën familjare, duke iu përkushtuar karrierës në fushën e shërbimit ushtarak dhe informativ. Në vitin 1889 u caktua të shërbente në Australi ku për 25 vjet u dallua si eksplorues i trevave të virgjëra të kontinentit. Udhëtimet plot aventura e vëzhgime të rëndësishme që ngërthehen në rajone të gjera në jug e lindje të Australisë, në Tasmani, Hong-Kong e SHBA, përgjatë periudhës 1890-1940, i ka përshkruar në ditarin e tij i cili gjendet në dorëshkrim në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Australisë. Kjo lëndë e ka frymëzuar shkrimtarin Jim Barrett për të shkruar librin mbresëlënës “The first bushwalker: the story of Fred Eden” ( “Eksploruesi i parë: historia e Fred Eden”)

Ndërkohë, si ushtarak, Morton F. Eden mori pjesë në luftën e Boerëve.

Në mesin e vitit 1915, ai u caktua në vartësi të shtabit të përgjithshëm të forcave aleate me qendër në Selanik. Si anëtar i stafit të Misionit Britanik u ngarkua për të ndjekur ngjarjet në Shqipëri deri në nënshkrimin e armëpushimit mes palëve ndërluftuese. Në vitet 1916-1919 veproi në Korçë si agjent i shërbimit anglez Inteligence Servic dhe në periudhën 1919-1920 u gjend në stafin e Gjeneral Phillips-it, komandant i trupave angleze në përbërje të forcave aleate me qendër në Shkodër. Për aktivitetin e gjerë dhe meritat e spikatura, në vitin 1919 u vlerësua Anëtar i Urdhrit të Perandorisë Britanike (M.B.E) Në këtë kohë Morton F. Eden u shqua në ndërgjegjësimin e atdhetarëve shqiptarë për fatet e vendit në momentet delikate të mbarimit të luftës, për qartësimin e tyre mbi synimet e vërteta të diplomacisë evropiane dhe të fqinjëve shovinistë, për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e Kongresit të Lushnjes, për ndihmesën gjatë luftës së Vlorës në dëbimin e trupave italiane nga Shqipëria, për forcimin e shtetit dhe ushtrisë shqiptare etj. Anglezi Morton F. Eden, eksploruesi trim, ushtaraku i rreptë, agjenti dinak dhe politikani mendjehollë, në kontakt me popullin dhe realitetin tragjik, shfaq dhembshurinë e humanizmin prej miku të përkushtuar me mish e me shpirt për shpalljen dhe mbrojtjen e të drejtave thelbësore të kombit shqiptar, duke rrezikuar edhe jetën. Pas katër vjet veprimtarie të suksesshme në Shqipëri, më 1920, ai u zgjodh anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqërisë Anglo-Shqiptare, me kryetar Sir Aubrey Herbertin dhe sekretare Ms. Mery Edith Durham. Sipas dëshmive të ndryshme, ai erdhi disa herë në Shqipëri dhe bashkëpunoi me mjaft personalitete shqiptare si Sulejman Delvina, Aqif Pashë Elbasani, Ahmet Zogu, Fan Noli, Abdi Toptani, Abdyl Ypi, Hafiz Ibrahim Dalliu, Qazim Koculi, Ali Këlcyra etj. Sipas atdhetarit A. Këlcyra sinqeriteti i ndjenjave të Morton F. Edenit shprehej në interesimin dhe simpatinë që tregonte vazhdimisht për problemet shqiptare gjatë shumë viteve edhe kur nuk kishte asnjë lidhje pune. Rëndësia e informacioneve të Morton F. Edenit dëshmohen edhe në librin “Miku më i madh i Shqipërisë: Aubrey Herbert dhe bërja e Shqipërisë moderne. Ditare dhe dokumente” (f. 218) “Albania’s Greatest Friend: Aubrey Herbert and the Making of Modern Albania: Diaries and Papers” 1904-1923) të përgatitur për botim nga studiuesi Bejtulla Destani. Atje paraqitet edhe një letër që Aubrey Herbert i dërgon përfaqësuesit britanik të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Sir Eyre Crowe, më 22 shtator 1919, në lidhje me gjendjen në frontin e Shqipërisë Jugore. Sir Herbert shkruan: “Siç nuk kemi dyshim, ju do të dëshironit që grekët të posedonin territoret e tyre dhe shqiptarët të Shqipërisë. Ne mendojmë se një test i ndershëm etnik duhej të bëhej meqë grekët kanë djegur qytete e fshatra. Ata i kanë djegur, sepse këto ishin të populluara nga një kombësi e huaj. Në qoftë se do të lexoni raportin e Mr. Morton F. Eden (në atë kohë sekretar pranë shtabit të gjeneralit Phillips në Shkodër), i cili ka qenë në ato anë tre vitet e fundit, ndonjë dyshim që ju mund të kini rreth kombësisë do të tretet. Evidenca amerikane është veçanërisht e vlefshme, meqë ata kishin njohuri të para luftës mbi vendin.” [Këtu Sir Herbert ka parasysh informacionet e çiftit Kenedi (Kenedy) përkatësisht Violeta (Violett) dhe Fines (Phineas) misionarët e parë protestantë amerikanë në Shqipëri, të vendosur në Korçë më 1908].

Personaliteti i Morton F. Eden, ndjeshmëria dhe përkushtimi i tij ndaj çështjes kombëtare shqiptare shpalosen edhe në korrespondencën e tij që gjendet në fondin e Edit Durhamit në Institutin Antropologjik Mbretëror, Londër (Royal Anthropological Institute, 50 Fitzroy Street, London W1T 5BT, United Kingdom, Durham, Mary Edith “collection” MS 57). Atje gjendet edhe një letër e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen e Kosovës, e nënshkruar nga Fan Noli, i cili ia drejton Komandantit të Trupave Aleate në Shkodër Gjeneralit Phillips dhe letra apel që Morton F. Eden i dërgon në gusht 1920 kryeministrit Lloyd George mbi invazionin e trupave serbe në Shqipëri. Gjatë okupacionit fashist ai u bëri thirrje patriotëve shqiptarë që të ktheheshin një orë e më parë në atdhe. Ali Këlcyrës i tha: “Kam besim dhe bindjen e plotë se Ju mund t’i bëni më shumë shërbim çështjes kombëtare në Shqipëri, sepse ajo rishtazi ka për të shpëtuar si në vitet 1912 dhe në 1920, me luftë në malet e saj dhe prej djemve të saj. Këto nuk janë vetëm mendimet e mia, por edhe të disa qarqeve politike londineze që merren me çështjet e Shqipërisë dhe të Ballkanit e sidomos miqve të Shqipërisë”. Morton F. Eden kontribuoi familjarisht në luftën kundër fashizmit duke mbetur me mendje e zemër pranë kombit shqiptar deri sa u nda nga jeta në moshën 82 vjeçare. Morton F. Eden njihet pak dhe i dyzuar ndër shqiptarët e sotëm. Ai vlerësohet në disa shkrime gazetash e opinione të viteve ’20-’30, haset si “agjent i huaj” tek ndonjë memuar, korrespondencë a dokument arkivor të botuar vitet e fundit. Sidoqoftë, personaliteti i tij, humanizmi dhe dashuria për shqiptarët, provohen nga sa dëshmojnë bashkëpunëtorët e tij, por dhe më shumë nga kundërshtarët, të cilët theksojnë se ai vepronte me ndërgjegje e jo pse ia kërkonte pozita e misioni si zyrtar britanik.

Bashkia e qytetit të Lushnjes e vlerësoi me titullin “Qytetar Nderi”, me motivacionin: “Misionar i Shqipërisë në kohë të vështira, dha kontribut të veçantë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjes”. Nga ana e tij Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Cannon, të cilit iu dorëzua ky titull, u shpreh: “Shteti im ka qenë prezent me trupin diplomatik për të stabilizuar fatet e Shqipërisë. Ndërsa Konsulli Eden ka një kontribut të veçantë personal në ruajtjen e punimeve të Kongresit në momentet kur ekzistenca e shtetit shqiptar vihej në rrezik.”

Morton F. Eden “Shqipëria…”
– Shqiptarët janë banorët autoktonë të Ilirisë, Epirit e të Maqedonisë dhe një nga racat më të moçme në Evropë. Ata i bënë rezistencën më të gjatë dhe më të dëshpëruar përparimit të turqve drejt Perëndimit për të dalë në Adriatik dhe kështu i bënë një shërbim pamasë të madh Europës së krishterë.

– Kur kushtet e Traktatit të Fshehtë (të Londrës) të motit 1915 u botuan prej bollshevikëve pas Revolucionit Rus, austriakët i përkthyen ato në gjuhën shqipe dhe i bënë të njohura në Shqipëri… Traktati i Fshehtë (i Londrës) i motit 1915, në pikën VII të tij shprehte, se një pjesë e Shqipërisë do të hynte nën sundimin serb, një pjesë nën Greqinë, ndërsa Italia do të aneksonte Vlorën dhe do të kishte mandat mbi pjesën tjetër të Shqipërisë.

-Shqiptarët nuk e kanë humbur besimin në popullin e Britanisë së Madhe dhe të Shteteve të Bashkuara, duke u kapur ende pas idesë, që qeveritë e këtyre vendeve do të ushtrojnë influencën e tyre në favor të tyre:

Së pari, sepse Shtetet e Bashkuara nuk janë të lidhur me traktatin e fshehtë dhe,

Së dyti, sepse ata mendojnë se opinioni publik në këto vende anglo-saksione, gjer tani të informuar keq dhe të çapëlyer shtrembër prej propagandës së fqinjëve të tyre ballkanas do të jetë në favor të shqiptarëve, në qoftë se do të shpjegohet pozita reale dhe do të bëhet e njohur e vërteta.

-Është mirë që publiku në Shtetet e Bashkuar dhe në Britaninë e Madhe t’i dijë motivet reale të atyre që dëshirojnë të prishin Shqipërinë, ta peshojnë mirë pozitën e tashme në atë vend dhe shkaqet prej të cilëve rodhi kjo gjendje.

-Shtetet fqinj ballkanas dëshironin ta përpijnë për vete Shqipërinë, e cila po të lejohej të bëhej e pavarur, mund të rritej në përmasat reale, sepse vetitë e shqiptarëve si ushtarë, burra shteti dhe tregtarë të zotë njiheshin mirë nga të gjithë. Po të lejoheshin shqiptarët të bashkoheshin atëherë energjitë e talentet e atyre burrave, që gjer tani qenë shtrënguar të gjenin fushë për aktivitetin e tyre në vise të huaj, do të përdoreshin për të zhvilluar atdhenë e tyre.

-Popullsia e këtij vendi të prapambetur, por jashtëzakonisht inteligjente, do të bënte përparim të shpejtë po të kishte udhëheqës që t’i prinin në drejtimin e duhur.

-Tani dëshira e shumicës së shqiptarëve është për një bashkim kombëtar brenda kufijve të përshtatshëm etnografikë, dhe ata janë të përgatitur të japin garancira të arsyeshme për liri religjioze, për të gjitha fetë dhe për çdo minoritet që përmblidhet brenda kufijve të tyre. Ndaj këto dëshira legjitime meritojnë konsideratë.

-Gjendja e pakënaqshme në Shqipërinë e sotme, është krijuar nga fakti që nuk u është dhënë konsiderata e duhur aspiratave të popullit shqiptar, për shkak të interesave të fuqishme që synojnë prishjen e Shqipërisë