Përvetësimi i tokave në bregdetin e Durrësit Si u arrestuan 3 ish drejtues të hipotekës, 18 ish zyrtarë së bashku me 5 përfituesit e 68.000 metrave katrorë. Falcifikimi i vulave dhe skema e grabitjes në Kavajë, Ramëz, Lezhë dhe Karaburun. Ja emrat

668
Sigal

Investigimi/ Tre ish-drejtues të hipotekës së Durrësit dhe 18 ish-zyrtarë u arrestuan bashkë me 5 përfitues të 68 000 mijë metrave katrorë tokë në operacionin e koduar “Rodoni”. Ata akuzohen për falsifikim dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Përvetësimi i tokave në bregdetin e Durrësit. Falsifikimi i vulave dhe skema e grabitjes në Kavajë, Razëm, Lezhë dhe Karaburun

Policia e Durrësit njoftoi mëngjesin e të premtes se në sajë të përgjimeve dhe filmimeve në terren kishte dokumentuar veprimtarinë e një grupi në falsifikim dhe tjetërsim pronash. Policia njoftoi arrestimin e 18 personave, tre persona u shpallën në kërkim, ndërsa 6 të tjerëve iu komunikua detyrimi për paraqitje. Në njoftimin e shpërndarë policia thotë se ka arrestuar tre ish-drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës, Ardian lIjazaj, Edlira Nova dhe Adrian Kona, Sulejman Ibrahimi ish-kryetar të komunës së Ishmit dhe disa anëtarë të komisionit të ndarjes së pronave kryesisht nga fshati Bizë dhe ish-juristë të Hipotekës. Po ashtu janë arrestuar edhe pesë persona që akuzohen si përfitues të pronës.“Një hetimi proaktiv duke aplikuar metodat speciale të hetimit, si kryerje përgjimesh telefonike, filmime, përgjime ambientale dhe vëzhgime, rezultoi se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, “kanë tjetërsuar sipërfaqe toke prej 68 000 m2, nga tokë shtetërore pa fryt në tokë are dhe ua kanë shpërndarë personave të ndryshëm kundrejt përfitimit”, thuhet në komunikatën e policisë. Ndër të arrestuarit policia listoi edhe Sulejman Ibrahimin, ish-kryekomunar i Ishmit. BIRN gjeti se Ibrahimi bashkë me 6 persona të tjerë po gjykohet ndërkohë me akuza të ngjashme në Gjykatën e Durrësit. Po ashtu edhe disa nga të arrestuarit e të premtes janë akuzuar edhe më herët për falsifikim dhe tjetërsim prone. Policia pretendon se tjetërsimi është kryer përmes falsifikimit të dokumenteve dhe të akteve të marrjes së tokës në pronësi dhe në fund edhe të kartelave të pasurive në Regjistrat e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës. “Këtë sipërfaqe toke ua kanë shpërndarë personave me banim në Durrës, të cilëve nuk u takonte të merrnin tokë në pronësi sipas ligjit”, thuhet në njoftim. Policia thotë se zyrtarët e përfshirë në këtë aferë kanë vepruar nga viti 2013 deri në vitin 2018. “Gjatë operacionit nga policia janë gjetur dhe sekuestruar shumë prova materiale që shërbenin për ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal”, thuhet në njoftim. Po ashtu bëhet me dije se ndaj personave të arrestuar ka filluar edhe hetimi pasuror. Prokurori i çështjes Afrim Shehu i tha BIRN se bëhej fjalë për 7 praktika regjistrimi prone të cilat ishin denoncuar në mars të këtij viti nga Kadastra e Durrësit. Prokurori tha se praktikat e regjistrimit ishin bërë me dokumente të falsifikuara të cilat më pas ishin hequr nga arkiva e Kadastrës. Ai tha se bëhej fjalë për dy prona të ndryshme, një në Gjirin e Lalëzit dhe një tjetër në fshatin Draç në Durrës. Prokurori po ashtu korrigjoi komunikatën e policisë ndërsa tha se kishte pasur një lapsus pasi të arrestuarit nuk akuzoheshin për “grup të strukturuar kriminal”. Akuzat ndaj tyre janë për “falsifikim dokumentesh”, “shpërdorim detyre”, “korrupsion pasiv të zyrtarëve”, “përvetësim të produkteve të veprës penale” të kryera në bashkëpunim. Goditja e të premtes është e disata që prek Kadastrën e Durrësit gjatë muajve të fundit. Më herët drejtori i Kadastrës Liridon Pula u arrestua me akuzën për shpërdorim detyre, gjë që solli një përplasje të qeverisë me prokurorinë e Durrësit. Skema e goditur nga policia e Durrësit është e ngjashme me një sërë rastesh të tjera, të zbuluara në Kavajë, Vlorë, Shkodër dhe Lezhë, në të cilat ndër të tjerë janë gjetur të përfshirë pushtetarë lokalë, ndërsa nën akuzë është edhe një ish-deputet i Partisë Socialiste. Gjykata e Kavajës dënoi së fundmi 8 zyrtarë, që u akuzuan në një skemë të ngjashme tjetërsimi të 36 hektarëve.

Nga shteti te pushtetarët: Skema e grabitjes së 36 ha tokë në bregdetin e Kavajës

Dokumentet e siguruara tregojnë se një duzinë zyrtarësh lokalë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin tjetërsuan përmes dokumentesh të falsifikuara 36 hektarë tokë publike dhe përmes kontratash fiktive të shitjes apo dhurimit ia kaluan ato familjarëve të tyre apo rrethit familjar të ish-drejtuesve të pushtetit vendor në Kavajë, Elvis Rroshi dhe Gentian Daja.

Gjiri i Durrësit. Foto: Ivana Dervishi

Rreth 2 vjet më parë, Spiro T., banor i fshatit Rreth Greth të Rrogozhinës u informua nga ish-agronomi i komunës, Ilir Kaja se do të bëhej pronar i 3 mijë metrave tokë në bregdet.“Meqenëse je hallexhi dhe keq nga gjendja ekonomike do të të pajisim me rreth 3 mijë metra katrorë tokë,” i ka premtuar Kaja gjatë një takimi mes tyre në qendër të fshatit. Në dëshminë e tij për Prokurorinë e Kavajës, Spiro T. ka pohuar se nuk kishte parë asnjë dokument pronësie dhe as nuk e dinte se ku ndodhej toka “e premtuar”. Por Kaja i kishte sugjeruar në një takim të dytë që bashkë me të shoqen dhe djalin të paraqiteshin te noteri për të bërë shitjen dhe ai ishte bindur. Dokumentet e hetimit të siguruara tregojnë se Spiro T. firmosi aty ku i tha noteri, duke e ditur se po shiste 3 mijë metra tokë për 1.5 milionë lekë dhe mori me këste dorazi nga Kaja 1.2 milionë. Sipas Prokurorisë, ai nuk ishte në dijeni se në emër të tij ishin tjetërsuar 15 700 metra katrorë tokë në bregdetin e Spillesë – pjesë e një sipërfaqe prej 36 hektarësh që iu vodh shtetit përmes një kapice dokumentesh të falsifikuara nga disa institucione lokale, për të cilët akuzohen 11 zyrtarë. Spiro T. ishte vetëm njëri prej 108 banorëve të zonës, emrat e së cilëve u përdorën në skemën e tjetërsimit të tokave përmes dokumenteve të falsifikuara. “Banorët kanë përfituar tokë dhe që më pas e kanë shitur apo kryer transaksione të tjera, nuk janë njohur me asnjë lloj dokumentacioni për tokën, por vetëm kanë kryer aktin e shitblerjes së tokës, ku noteri u ka shkuar në shtëpi dhe kanë firmosur në mirëbesim,” thuhet në dokumentet e hetimit të Prokurorisë, të cilat iu dorëzuan gjykatës për vlerësimin e masave të sigurisë. Dokumentet e hetimit tregojnë se toka e tjetërsuar fillimisht në emër të banorëve të zonës u kaloi përmes kontratave të shitjes apo të dhurimit të afërmve të pushtetarëve lokalë të Kavajës, ku kryeson rrethi familjar i ish-kryetarit të Bashkisë, Elvis Rroshi. Burime të Prokurorisë thanë se rrethi i ngushtë familjar i Rroshit përfitoi më shumë se 1 hektarë tokë në bregdet, ndërkohë që sipërfaqe të konsiderueshme toke përfituan edhe familjarë të ish-kreut të PS, Gentian Daja, ish-nënprefektit të Tiranës, Fatos Kaja, ish-kryetari i komunës Kryevidh, Behgjet Pjeçi apo zyrtari i Kadastrës, Nezir Leçini. Të pyetur nga BIRN, burime të Prokurorisë mohuan që hetimet e deritanishme të kenë përfshirë në rrethin e të akuzuarve edhe Rroshin apo Dajën, ndërsa shtuan se “hetimet vazhdojnë”. BIRN u përpoq të kontaktonte përmes telefonit me ish-kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Rroshi dhe ish-kreun e PS së Kavajës, Daja, por e pati të pamundur të komunikonte me ta.

Të akuzuarit për tjetërsimet

Hetimi i Prokurorisë për falsifikimin e 36 hektarëve tokë në bregdetin e Kavajës u materializua të martën në gjykatë, ku u firmosën 11 urdhër-arreste dhe një arrest shtëpie për personat të cilët akuzohet se qëndrojnë pas falsifikimeve. Në pranga përfunduan Fatos Kaja, ish-zyrtar i njësisë administrative Kryevidh që deri në maj 2017 mbante postin e nënprefektit të Tiranës si dhe dy ish-zyrtarët e së njëjtës komunë, Behgjet Pjeçi dhe Dashnor Çullhaj, drejtori i ALUIZNI Kavajë, Altin Çoba dhe ish-shefi i Kadastrës, Nezir Leçini, Dritan Kazazi, hartograf, ZVRPP, Kavajë, Andi Gjeçi, jurist, ZVRPP, Kavajë, Ilir Kaja, zyrtar i Njësisë Administrative Kryevidh, Kavajë, Agron Xhelezi, ish-kryetar i Komisionit të Ndarjes së Tokave, Kavajë, Enver Duqi, ish-drejtor i Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, Kavajë. Gjykata urdhëroi gjithashtu arrestimin e kryetarit të Hipotekës Kavajë, Seid Cikalleshi, por policia nuk mundi ta arrestojë atë.

Fotografi të një sipërfaqeje toke të tjetërsuar në dosjen e Prokurorisë, pas aksionit të INUK në 2016.

Sipas dokumenteve që disponohen, Prokuroria e Kavajës i ka nisur hetimet pas një pengese që kishte dalë për Inspektoratin e Ndërtimit që shkoi të prishte një ndërtim pa leje në plazh në vitin 2016. Të zotët e ndërtimit pretenduan se kishin pronësi mbi tokën, ndërsa letrat që ata paraqitën, sipas prokurorisë u bënë shtysë për të filluar hetimet. Gjurmimi e çoi prokurorinë të zbulonte se toka që është edhe sot e gjithë ditën ranishte dhe pyll me pisha, siç tregojnë edhe ekspertizat që BIRN i ka, ishte tjetërsuar në tokë arë dhe më pas ishte ndarë sipas ligjit 7501. Prokuroria thotë se duke mos qenë tokë bujqësore kjo e fundit nuk mund të përfitohej në bazë të këtij ligji. Prokuroria dyshon se më shumë se 1 kilometër vijë bregdetare rreth 40 metra e gjerë kishte filluar të tjetërsohej që prej fillimit të viteve 2000. Ndërsa shit-blerjet te persona të tretë kanë filluar pas vitit 2010 deri në nëntor një vit më parë, kur ZVRPP-ja e Kavajës i kërkoi këshillit të Qarkut të Tiranës të konfirmonte kalimin e një sipërfaqeje nga “tokë pa fryt” (pyll) në “tokë arë”. Ky duket se ishte edhe gabimi tjetër i grupit të akuzuar. Të dhënat e Prokurorisë tregojnë se kreu i Këshillit të Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi zbuloi se në emër të tij ishin firmosur dhe vulosur dy dokumente dhe e kallëzoi rastin në Prokurori në nëntor 2016. Verifikimet dhe më pas ekspertiza e prokurorisë, zbuluan se vula dhe firma e përdorur ishin false, ndërkohë që nuk kishte ekzistuar asnjë korrespondencë e mëparshme mes ZVRPP-së së Kavajës dhe Këshillit të Qarkut në Tiranë për këtë çështje. Kallëzimi i Këshillit të Qarkut e ndihmoi prokurorinë të kuptonte se praktikisht thuajse të gjitha shkresat e përfshira në këtë tjetërsim të pronës, kishin kaluar dorazi dhe jo përmes institucioneve. Prokuroria thotë se nuk ka gjetur shënime në protokollin e institucioneve që duhej të kishin kryer verifikimet për këto regjistrime pronash. Dëshmia e protokollistes së ZVRPP-së thotë se dokumentet e këtyre parcelave nuk kalonin si normalisht përmes postës, por vinin dorazi dhe pasi firmoseshin nga krye/regjistruesi Seid Cikalleshi regjistroheshin në protokoll. Kjo i bënte dokumentet të paplota, por Seid Cikalleshi, i shpallur në kërkim si ish-drejtues i ZVRPP-së i ka thënë prokurorisë gjatë një marrjeje në pyetje, se ai vetëm kishte sigluar këto dokumente duke ua lënë përgjegjësinë specialistëve që duhej të verifikonin. Prokuroria megjithatë gjeti se Cikalleshi i kishte firmosur dokumentet, edhe pse këto ishin të paplota dhe të pa konfirmuara nga Këshilli i Qarkut, i cili rezultoi që nuk ishte pyetur zyrtarisht për këto prona.“Ish-krye/regjistruesi i Hipotekës së Kavajës, në bashkëpunim me disa zyrtarë të institucionit të tij si edhe me mbështetjen e ish-zyrtarëve të komunës Kryevidh kanë ndryshuar zërin kadastral nga “ranishte” në “tokë arë”. Më pas, këtë tokë ua kanë shpërndarë familjeve të ndryshme, të cilat kanë pasur qëllim tjetërsimin e menjëhershëm të saj, nëpërmjet shitjes”, njoftoi prokuroria. Prokuroria bën me dije se ishte vënë në dijeni të procesit të shpejtë të tjetërsimit kohë më parë dhe në korrik 2017 kishte ndërhyrë “duke e vendosur nën sekuestro sipërfaqen e ranishtes për të penguar përkeqësimin e situatës në terren”. Burimet i thanë BIRN se janë duke vijuar hetimet edhe për një parcelë të 5-të në plazhin e Spillesë, në të cilën në hetim janë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë Rrogozhinë.

Përfituesit e tokës

Ish-kryetari i PS së Kavajës, Gentian Daja dhe ish-kreu i Bashkisë, Elvis Rroshi me ministrin e Financave, Ahmetaj ne një takim elektoral para zgjedhjeve të qershorit.

Sipas hetimit të Prokurorisë, skema e tjetërsimit të tokave ka nisur në vitin 2000 nga Agron Xhelezi, krye/agronomi dhe kryetari i Drejtorisë së Trajtimit me Tokë në ish-komunën Kryevidh, ish-krye/komunari i kësaj komune Behgjet Pjeçi dhe më pas ka vijuar dhe me zyrtare të tjerë. Ish-kryetari i komunës Behxhet Pjeçi ka përfituar sipërfaqe toke vetë, duke i dhënë tokë shtetërore bashkëshortes, të birit dhe një kushërire. Po të njëjtën gjë ka bërë dhe ish-kryetari i komunës Haki Veza, duke i dhënë familjarëve të tij tokë shtetërore. Po ashtu përfitues është edhe Ilir Kaja, ish-kryeagronom, i cili i del prokurorisë edhe si ndërmjetës në shit-blerjet që janë bërë më pas si dhe Nezir Leçini, dhe ky zyrtarë lokal i dënuar njëherë në dhjetor për një falsifikim të ngjashëm në një zonë tjetër të Kavajës. Duke ndjekur gjurmët e kontratave, prokurorët gjetën se përfitues ishin edhe prindërit e ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi dhe rrethi familjar i bashkëshortes së tij. Familjarët e Rroshit që u largua nga detyra vitin që shkoi, pasi u kap nga ligji i dekriminalizimit, sipas një dokumenti që BIRN e ka lexuar, kanë përfituar rreth 1 hektarë prej kësaj toke. Në një rast një grua e identifikuar si H. I. Elmadhi pasi ka fituar 4300 metra katror tokë në këtë zonë, ia ka dhuruar atë sipas prokurorisë me kontratë noteriale “Azem dhe Nazije Rroshit”. Në të njëjtën mënyrë edhe të afërm të ish-kreut të PS Kavajë Gentian Daja, sipas prokurorisë, kanë blerë sipërfaqe më të vogël të kësaj toke. Në total sipas prokurorisë janë 135 praktika që pasi kanë marrë AMTP nga ish-komuna Kryevidh, kanë filluar hipotekimin e sipërfaqeve tokësore me pyll në bregdetin e Spillesë. “Të 135 praktikat e falsifikuara tashmë janë sekuestruar dhe bllokuar në hipotekë dhe në terren nga prokuroria e Kavajës, ku bëhet fjalë për katër parcela mjaft të mëdha të cilat mbulojnë të gjithë bregun ranor dhe pyll në plazhin e Spillesë”, thotë prokuroria. Sipas prokurorisë, përfituesit e parë të këtyre sipërfaqeve janë kryesisht fshatarë të zonës ose të afërm të personave të përfshirë. Në shumë raste këta fshatarë nuk kanë pasur dijeni për vendndodhjen e pronës që kishin përfituar dhe ose e kanë dhuruar ata para një noteri, ose e kanë shitur atë. Në një rast Shkëlzen H, i tha prokurorit se në gusht-shtator të vitit të kaluar, Kaja që akuzohet se ka kryer pjesën më të madhe të transaksioneve, i kishte kërkuar të shkonte te noteri për të firmosur dokumente të shitjes së tokës dhe më pas në një llogari bankare i është hedhur shuma prej 4.4 milionë lekësh. Ky banor, ashtu si edhe të tjerët ka thënë për Prokurorinë se nuk kishte dijeni për dokumentet e pronësisë dhe as për vendndodhjen e tokës.