Evdal Nuri: Përgatitja e Kongresit të Lushnjes dhe Besim Nuri

980
Sigal

Në sallën ku do të mblidheshin delegatët u vendosën dy foto e Skënderbeut dhe Ismail Qemal Vlorës

 Kongresi i Lushnjes dhe Besim Nuri… Me rastin e 100- vjetorin të “Kongresit Lushnjes”

 Përgatitjet për Kongresin e Lushnjes

Duke u nisur nga patriotizmi i popullit të Lushnjes, duke pasur besim se Kryetari i Katundarisë së Lushnjes (Kryetari i Bashkisë ishte një burrë patriot , por dhe i mençur), u vendos që në këtë qytet të zhvillohej një Kongres, që do të hynte në histori si “Kongresi i Lushnjes “.

Ky burrë quhej Besim Nuri. Ai ishte i “Zoti i Shtëpisë”. Ishte dhe Kryetar i Komisionit Nismëtar të Kongresit të Lushnjes

Atij i kërkohesh organizimi i këtij “Kuvendi të Madh”, me rëndësi të veçantë historike . I kërkohej pritja dhe përcjellja e burrave më të shquar të kombit. Mbarëvajtja e punimeve, shërbimi, ushqimi, fjetja, qetësia , siguria e gjithë delegatëve. Ky Kuvend i ”vuri kufirin tek thana”, Shteteve të Mëdha , që deshën ta copëtonin Shqipërinë midis shteteve fqinj. Ky do të ishte Kongresi themelues i shtetit modern shqiptar ose si do të quhej i “Pavarësisë së dytë të Shqipërisë” Ndaj, u dha dakordësia e krerëve të kombit me Aqif Pashë Elbasanin në krye.

Në Lushnjë nisën përgatitjet për organizimin e mbarëvajtjen e këtij kuvendi. U ngritë një komision iniciator me 22 anëtarë, burra patriotë të shquar me kryetar Besim Nurin. Nuk duhet të harrojmë se në atë kohë qyteti i Lushnjes numëronte një popullsi prej 2800 banorë. Pavarësisht numrit të vogël të haneve në qytet, shtëpitë e lushnjarëve të gjitha pa përjashtim, u treguan të gatshme për të strehuar dhe pritur delegatët. Theksojmë se bujaria dhe mikpritja lushnjare shprehej kudo. U zgjidh gjithashtu edhe problemi i furnizimeve me ushqim, ku përveç Lushnjes të gjitha fshatrat përreth saj, do kontribuonin me ushqime sipas mundësive.

Në sallën ku do të mblidheshin delegatët u vendosën dy foto. Njëra ishte e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti dhe tjetra e Patriotit Ismail Qemal bej Vlorës. Në qytet ishte vendosur rregulli për bukuri, sipas porosive të Kryetarit të Katundarisë Besim Nuri. Edhe alkooli ishte ndaluar në pijetoret. Xhandarmëria bënte patrullimet të shpeshta në rrugët kryesore të qytetit, aty këtu dukeshin edhe ushtarë italianë. Më 18 janar, filluan të vijnë në Lushnje, fuqitë e para vullnetare të armatosura. Po kështu me porosi të Aqif Pashës erdhën 100 veta të armatosur vullnetarë. Mbi 300 vullnetarë erdhën nga zona e Skraparit, nën komandën e Riza Cerovës. Të tjera forca erdhën edhe nga Korça, Mirdita, Shkodra, Dibra, Gjirokastra, pra nga e gjithë Shqipëria.

-Vendimet e rëndësishme të Kongresit të Lushnjes

Dita e parë e punimeve 21 janar. U bë shqyrtimi i letër-kredencialeve nga një komision i posaçëm.

Kryetar i Kongresi u zgjodh Aqif Pashë Elbasani, Nënkryetar u zgjodh Sotir Peci sekretarë u zgjodhën Koço Kota dhe Ferit Vokopola.

Ditën tjetër (22 janar) mbajti një referat Ali Këlcyra, mbi rëndësinë e këtij Kongresi. Kongresi propozoi që çdo veprim i qeverisë së Durrësit të shpallet ilegal. Në ditën që u vijua, Kongresi pas shumë diskutimesh vendosi, që të bëheshin protestat më të ashpra kundër vendimit të Fuqive të Mëdha, për zbatimin e Paktit të Fshehtë të Londrës, i 26 Prillit 1915, i cili sanksiononte copëtimin e Shqipërisë. Në dhjetor1919 , Fuqitë e Mëdha ishin marrë vesh të kënaqnin pretendimin e Italisë për sovranitetin ndaj Vlorës dhe të Greqisë që të pushtonte krahinën e Gjirokastrës si hap i parë drejtë aneksimit. Mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së Durrësit, si për situatën e brendshme, ashtu dhe në atë të jashtme. Në përfundim, u pranua që qeveria kishte vepruar jashtë programit , që ishte mbajtur në 25 Dhjetor të vitit 1918-të. Rëndësia e veçant e Kongresit Lushnjes ishte rimëkëmbja e shtetit shqiptarë, për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjen e tërësisë territoriale. Kongresi vendosi unanimisht, të shpalli të shkarkuar Qeverinë e Përkohshme të Durrësit, bashkë me të edhe delegacionin zyrtar të dërguar prej saj në Konferencën e Paqes. Ai caktoi një delegacion të ri të përbërë nga: Luigj Bumçi, Mehmet Bej Konica, Mihal Turtulli dhe Sulejman Delvina. Kongresi u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër çdo mandati të huaj. Në telegramin e protestës, që iu dërgua kryetarit të Konferencës së Paqes, shpallej botërisht, se shqiptarët ishin gati të bënin “të gjitha sakrificat, të derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut të tyre, kundër çdo vendimi që do të vinte në rrezik tërësinë tokësore dhe pavarësinë e tyre të plotë” . Kongresi miratoi aktin kushtetues, ku sanksionohej sovraniteti i plotë i shtetit Shqiptar dhe kjo u shpreh me organet që ngriti .

Kongresi zgjodhi gjithashtu një Këshill Kombëtar, i cili do të luante rolin e parlamentit. U zgjodh edhe qeveria e kryesuar nga Sulejman Delvina Kryeministër. Në seancën e pestë, që u mbajt më 31 Janar pasdite, kongresi zgjodhi anëtarët e Senatit. Një vendim i rëndësishëm ishte: Tirana të jetë kryeqytet i Shqipërisë.

Rëndësia e vendimet e Kongresit Lushnjes u dukën që në ditët e më vonshme. U tërhoq ushtria Italiane nga Vlora. Shqipëria do të mbetesh automatikisht shtet i pavarur. Kjo ishte arsyeja që në shtator u pranua në Lidhjen e Kombeve. Ai mori në shqyrtim planet e Konferencës së Paqes së Parisit në lidhje me Shqipërinë, duke i quajtur ato të papranueshme. Kongresi i Lushnjes i tregoi botës se Shqipëria ishte e pavarur dhe e pandashme, çka do të thoshte se shqiptarët, trimat e Skënderbeut, do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut, për çlirimin e këtij vendi. Vetëm 45 ditë nga përfundimet e punimeve të Kongresit Lushnjes, Besim Nuri ndërmori një akt të një rëndësie historike . 3-“ Letra e Besim Nurit, Presidentit Amerikan Wilson…!” 17 mars 1920. Shkëlqesisë së Tij Wilson, kryetar t’Amerikës
I shteteve të bashkuem Vashington
Shqiptarët që kanë mbështetun tanë shpresat e gjallnisë mbi shtyllën apostole të parimevet fisnike të Sh. S’Uaj, sot iu luten të të pranoni falenderjet e paraqituna përkundrejt zanit të nalt e mëshir madh që jeni tye kryer për shpëtimin e atdheut tyne.
I nalti kryetar, shpëtoni nji popull që asht m’i Vjetri në Ballkan e që ka drejtu vështrimet e shpëtimit t’Ekselenca Juaj dhe mos i lini me derdhë gjakun e me vdek përpara lakmimevet imperialiste të fqinjëvet veç sigurimin e kufijvet 1913-es, ju lutem me fuqinë e shpirtit mos pëlqeni as pak krasitje të pa arsyeshme si mbi Kosovë e Çamëri, mbi kufijtë natyralë ethnografike. Nuk munde me kjen të ndara nga Mëma e tyre Shqipni.
Ju lutemi në emër të popullit pranoni nderimet tona krejt besnike. Kryetari Katundaris së Lushnjës

Lushnjë, më 17.3.1920 . Wilson-i i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshin ta arsyetonin planin e tyre, duke thënë se “populli shqiptar kurrë s’ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten”. Wilson-i fuqishëm refuzoi, siç tha vet Ai, “padrejtësinë” ndaj popullit shqiptar. Letra e dërguar Presidentit Wilson ndikoi që Shqipëria të mos copëtohej nga shtetet fqinj .

Besim Nuri ishte për Republikë Parlamentare, duke përkrahur Qeverinë Demokratike të Fan Nolit. Regjimi i Zogut si kundërshtar e arrestoi. Ai gjithë jetën ishte në krah të vegjëlisë. Është interesante që kur vegjëlia e Lushnjes mësoi se do gjykohej në Tiranë, ashtu si ishte i lidhur mbi një kalë e shoqëroi në këmbë deri në Tiranë. U akuzua për vrasje e u dënua me vdekje. Kjo akuzë nuk u provua dhe pas shtatë muaj doli nga burgu. Gjatë rrugës për Tiranë , por dhe nga kushtet e këqija në burg, kishte marrë të ftohtë, deklaron mbesa Nermini.

Vdiq në Lushnjë, më 17 mars 1935, në moshën 52 vjeç, fiks pas 15 vjetëve që i kishte dërguar letër Presidentit Wilson . As varri nuk i dihej për 79 vjet. Në 2014 u bë e mundur gjetja në vendin e quajtur “Kodra e Kalifas. Në gurin e varrit shkruhej: “Velhac Ylbaki. (Osmanisht). Pastaj vijon në shqip: “Qëndro o ti që paraks. fle Besim Nuri”. l. 8. 1883 vd. 17. m. 1935. Më saktë, shkrimi është: “Qëndro o ti, se para kësaj fle Besim Nuri”.

Lushnja e ka vlerësuar me bustin para Bashkisë, e me emrin e një rruge. Berati ku jetoi 24 vjet, s’është kujtuar jo me emrin e një shkolle, rruge apo rrugice, por dhe as me një Certifikatë mirënjohjeje!

Evdal NURI

Delegatet e Kongresit Lushnjes

Delegatët u mblodhën në Sallën e Mbledhjes në shtëpi të Z. Kaso Fugës. . Presidenti Wilson . Ëngjelli mbrojtes i Shqiperise .