Saranda e nëndheshme/ Rrëfen Vangjel Dhima: Ju tregoj tunelin mbi 1km, ku është ndërtuar Sranda e nëndheshme. Çfarë ka në brendësi dhe inspektimet nga Kadri Hazbiu dhe Adil Çarçani

2024
Sigal

Bisedë me zotin Vangjel Dhima, ish-shef i sektorit të ushtrisë në komitetin e PPSH-së së Sarandës për punimet e tunelit

 

Tuneli 1080 m i gjatë, ku është ndërtuar Saranda e nëndheshme

 

Poshtë kodrës së Manastirit të 40 Shenjtorëve, në kryqëzim tek rrapi në hyrje të qytetit të Sarandës, zë fill tuneli ku shtrihet Saranda e nëndheshme, tunel që përfundon në kodrat e Volloderit. Vangjel Dhima, ish shef i ushtrisë pranë komitetit të PPSH-së së Sarandës, shprehet ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”, se si dhe pse u ndërtua ky tunel me qytetin e nëndheshëm dhe shpreh çudinë e heshtjes së deritanishme dhe mosshfrytëzimin e tij.

  1. Vangjel, flitet se ekziston një tunel i nëndheshëm në Sarandë ku brenda tij shtrihen institucionet kryesore të qytetit në raste emergjencash civile. Ç’mund të na thoni për lexuesin e gazetës “Telegraf”?

-Po. E vërteta është se ekziston një tunel i tillë. Ndërtimi i tij filloi në vitin 1974 dhe përfundoi në vitin 1981-shin.. E veçanta është se ky tunel u bë pa fonde të qeverisë, me kontribut vullnetar dhe qeveria nuk e dinte se këtu po bëhej një tunel i tillë…

Si dhe pse u mbajt kaq sekret, kur flitet për një kohë që ekzistonte një shtet që kontrollonte gjithçka?

-Vendimi për këtë tunel u morr nga shtabi i mbrojtjes së rrethit të Sarandës ku në përbërje të tij ishin kryetar sekretari i parë i komitetit të partisë, zv/kryetar kryetari i komitetit ekzekutiv, komandanti i divizionit, komandanti i forcave vullnetare, kryetari i degës së punëve të brendshme etj. Qe koha e viteve të ashpra të Luftës së Ftohtë dhe fortifikimi qe në plan të parë. Duheshin marrë masa për strehimin e popullatës në raste agresioni apo fatkeqësive natyrore. Ishte detyrë kryesore. Ku do shkonte ky popull në situata të tilla. Në këto kushte dhe situata u mendua që tuneli ekzistues 70-80 metra të dilte në anën tjetër të kodrës, në Qafë-Gjashtë tek kodrat e Volloderit, në një shesh përball fshatit Bregas. Kështu u vendos, po ku do gjendeshin fondet? Por dhe kjo gjeti zgjidhje. Duke bërë planifikimin e fortifikimit me qendra zjarri dhe qendra mbrojtëse nga çdo ndërmarrje, që atëherë ishte e ligjshme, vendosëm tu shkurtonim numrin e ndërtimit të këtyre qendrave në këmbim të fuqisë punëtore në dispozicion të Brigadës së MCR-së që do merrej me hapjen e tunelit. Dhe kështu u veprua. Kontribut të madh dha parku i mallrave, ndërmarrja komunale, NPN-ja, miniera e kripës etj. Ky kontribut zgjati pesë vjet deri sa përfundoi ky tunel-qytet.

Ç’farë ka në brendësi të tunelit?

-Siç e thashë tuneli përfundoi në vitin 1981 dhe është 1080 metra i gjatë, 3.5 metra i gjerë dhe 3.5 metra i lartë. Topografin i cili planifikoi dhe drejtoi punimet e shpimit tej për tej, Niko Qiricin, na i dha miniera e kripës në dispozicion. Në çdo anë të tunelit ka hapje sheshesh ndërtimi për spital në kohë lufte, shtypshkronjë, furra buke, fabrika e miellit, janë plot 35 dhoma të përfunduara dhe në gatishmëri të situatave emergjente, me komitet partie e komitet ekzekutiv. Dhomat janë të siguruara me dyer çeliku, hermetike për tu mbrojtur nga goditjet kimike e atomike. Po kështu të gjitha instalimet elektrike janë bërë hermetikisht të izoluara për mosdëmtim nga lagështia. Tuneli ka dy hyrje kryesore dhe një degëzim që del tek këto dhoma si dhe një shesh që janë ndërtuar 20 dhoma të komandës së forcave vullnetare. Për këto dhoma në sheshin tek dalja e tunelit hodha idenë për azil pleqsh, po nuk më dëgjoi njeri. Më vjen çudi pse sot nuk shfrytëzohet ky tunel, qoftë si aset turistik, por kam hedhur dhe idenë e kalimit të tubacionit të ujësjellësit duke kursyer miliona që u përdorën për ndërtimin e depos së ujit rreth 600 mijë euro. Por edhe si rrugë automobilistike përdoret duke shkurtuar goxha rrugë e lehtësuar trafikun e rrënduar në qytet. Pranë këtyre shesheve të nëndheshme mund të vendosen tabela ku të tregohet se si do të funksiononin në kohën e luftës. Mundësitë janë të shumta, por është lënur në harresë. Kjo tregon se çfarë është në gjendje fuqia njerëzore të bëj me kontribut vullnetar.

Megjithëse shumë e guximshme kjo që t’i mbahej sekret një ndërtim i tillë shtetit të asaj kohe, kur e morën vesh, ç’farë thanë?

-I pari erdhi Kadri Hazbiu dhe përshkoi tunelin nga hyrja në dalje duke na falënderuar dhe shprehur, se paskemi bërë një mrekulli. Më pas erdhi Adil Çarçani dhe i shprehu sekretarit të parë të komitetit të partisë Jashar Menzelxhiut, se keni bërë kryevepër dhe pa shqetësuar qeverinë për fonde, sepse kur u bë tuneli i Sasajit u mor e gjithë byroja politike me të. Kurse ju nuk kërkuat asgjë nga ne, Ju lumtë! Sot duket sie pa vlerë, por mund të shfrytëzohet për strehim popullate në raste fatkeqësish natyrore e jo të lihet pas dore. Ai tunel është shpëtimi i qytetit të Sarandës dhe jo ta braktisin sa në dalje të tij e kanë mbuluar ferrat. Dhe një kuriozitet tjetër, sa mistik aq dhe i vërtetë. Gjatë ndërtimit të tunelit u hap vetvetiu në mënyre vertikale një oxhak 500 metra që na shërbeu si ventilator. Nga brendësia e tunelit shikohej qielli. Ky oxhak natyror pastronte ajrin nga ndotja e barominave dhe eksplozivit që përdorej. Ata punëtorë qenë heronj dhe u shpreh mirënjohjen. Ju faleminderit zoti Vangjel!

Bisedoi Agron MEMA