Qeveria tenton shkrirjen e Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuar

1291
Sigal

Institucionet publike nuk njohin librezat e anëtarësisë së Shoqatës. Iniciativat shtetërore po vënë në rrezik të drejtat e kësaj kategorie

 

Qeveria tenton shkrirjen e Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuar

 

*Nga Maksim Rushi

 

Prej disa muajve, funksionimi i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë është vënë në vështirësi serioze. Aktiviteti humanitar i saj në shërbim të personave me aftësi të kufizuar, aktualisht gjendet në kufijtë e mbijetesës. Rreziku i falimentimit është i pranishëm çdo çast. Nëse kjo gjë do të ndodhë realisht, atëherë mund të themi se jemi shumë afër me sistemin e para viteve 90, kur funksiononin Bashkimet Profesionale. Ne besojmë se në asnjë vend të botës demokratike nuk mund të ndodhë kështu, madje kjo do të ishte e patolerueshme. Krijimi i shoqatave dhe funksionimi i tyre është e drejtë e çdo qytetari dhe shoqërie të civilizuar në çdo vend demokratik. Sigurisht, ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta ndalur këtë rrezik.

Arsyeja e kësaj gjendjeje

Shkak për këtë gjendje është bërë mosnjohja e librezës së anëtarësisë së Shoqatës tonë nga institucionet private që ofrojnë shërbime publike fal taksave që paguajnë qytetarët shqiptarë. Ndodh kështu, sepse edhe qeveria ka nisur t’i pajisë me librezë, apo dëshmi siç i quan ajo, personat me aftësi të kufizuar. Për sa i përket iniciativës së Qeverisë, ajo është në të drejtën e saj dhe ne e përshëndesim nëse kjo dëshmi qeveritare shkon në të mirë të personave me aftësi të kufizuar, por nëse libreza në fjalë tenton të rivalizojë librezën e lëshuar nga Shoqata e Personave të Paaftë, kjo nuk mund të konsiderohet aspak demokratike, pasi me qëllim apo pa qëllim, çon në shkrirjen e shoqatave të personave me aftësi të kufizuar dhe në mosmbrojtjen e të drejtave të tyre. Për të qenë më të drejtpërdrejtë dhe më të kuptueshëm për publikun dhe qeveritarët tanë, po sjellim një shembull konkret nga jeta e anëtarëve të shoqatës tonë.

Në shërbimin urban Kombinat-Tiranë, ku operon shoqëria Shega Trans sha, me drejtor z. Kostandin Foni, faturinot e këtij shërbimi përveçse nuk njohin librezën e lëshuar nga Shoqata e Personave të Paaftë, ua sekuestrojnë ato. Por me ç’të drejtë e bëjnë këtë gjë, ata nuk denjojnë të japin asnjë shpjegim. Ndoshta kërkojnë dëshminë e lëshuar nga Qeveria, sepse, ndoshta sipas tyre, vetëm qeveritë nuk mund të korruptohen. Ky është kulmi i marrëzisë. Qeveria është në të drejtën e saj të kontrollojë, por jo të dublojë shoqatat.

Arroganca

Dhe e keqja nuk përfundon këtu: sekuestruesit e librezave i frikësojnë anëtarët e shoqatës tonë duke u thënë: “Do t’ju denoncojmë në organet kompetente për dokumente të falsifikuara!” Por kush janë këta zotërinj dhe me ç’të drejtë i quajnë ato të falsifikuara! A e dinë ata se ajo librezë ka një vlerë dhe është e ligjshme dhe kurrsesi nuk mund ta bëjë sekuestrimin e saj një faturino. Sigurisht, edhe për këtë veprim nga ana jonë do të ndërmerren të gjitha hapat e duhura me qëllim moslejimin e nëpërkëmbjes qoftë edhe të një anëtari të vetëm. I bëjmë thirrje shoqëria “Shega Trans” të mos ndërmarrë veprime të tilla në kundërshtim të hapur me ligjet e shtetit shqiptar. Që libreza jonë është e ligjshme ne kemi edhe një përgjigje zyrtare nga Drejtorja e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Merita Xhafaj; përgjigja e së cilës tekstualisht është kjo: Së fundmi sqarojmë se anëtarësimi në organizatat e shoqërisë civile dhe pajisja e individëve me aftësi të kufizuar me librezë anëtarësimi nga shoqatat është një e drejtë e garantuar me ligj, që dokumenton anëtarësimin e personit në këtë shoqatë. …

Atëherë si mund të quhen të falsifikuara librezat e anëtarëve të shoqatës tonë apo të çdo shoqate tjetër që ka aktivitet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, kur këtë të drejtë ua jep ligji?! Veç sa më sipër, znj. Xhafa shpjegon edhe qëllimin nxjerrjes së librezave nga qeveria. Ajo thotë: “Pajisja me librezë e të gjitha grupeve të aftësisë së kufizuar do të realizohet me qëllim vënien në kushte të barabarta të të gjitha grupeve me aftësi të kufizuar dhe shmangien e abuzimeve”. Por ndryshe nga sa pretendon znj. Xhafaj, libreza u nxorën vetëm për Shoqatën Shqiptare të Personave të Paaftë, dhe kjo e vërtetë, flet shumë.

 

Shoqata jonë më e madhja në vend

 

Shoqata Shqiptare e Personave të Paaftë është më e madhja në vend. Numri gjithsej i personave me aftësi të kufizuar shkon 68,315 vetë, nga të cilët 19,060 i përkasin grupit të parë. Ndaj dhe qeveria shqiptare (kështu besojmë ne), mori përsipër të bëjë edhe punën e Shoqatës, duke i pajisur ata me dëshmi, kur kjo gjë nuk është e nevojshme, pasi çdo person i paaftë ka një dosje te Shërbimet Sociale dhe KMCAP-in e lëshuar nga komisioni mjekoligjor përkatës. Qëllimi parësor i saj është kujdesi për kategorinë e qytetarëve me dëmtim fizik e pluridefekt, të cilët janë persona që nuk janë mbuluar nga skema e sigurimeve shoqërore. Aktualisht shoqata ka shtrirje në të gjithë vendin. Punën e Shoqatës nuk mund ta zëvendësojnë dot asnjë qeveri, sido që të jetë e ajo, qoftë edhe më e përkryera. Shoqata është jetësore për anëtarët që bëjnë pjesë.

 

Në vendet demokratike, shoqatat janë të pazëvendësueshme

Po, shoqatat në vendet demokratike janë të pazëvendësueshme; të ardhurat që mblidhen nga kuotizacioni, mundësojnë gjallërimin e jetës së një komuniteti të caktuar, kolektivitetin, marrjen e iniciativave, mbrojtjen e të drejtave të tyre, organizimin e aktiviteteve të ndryshme, festave, përvjetorëve apo udhëtimeve. Shoqata është një organizëm ku ata mund të shprehin çdo shkelje që mund t’u bëhet të drejtave të tyre që ua jep ligji. Edhe pse fondet e siguruara janë të vogla; për këta njerëz që jetojnë në një vend të varfër me pagesa mjaft të vogla, shoqata është një mundësi e patjetërsueshme. Që nga dita e krijimit të kësaj shoqate kanë kaluar 6-7 vjet, por nga ana e qeverisë nuk ka pasur asnjë dhënie fondi, qoftë dhe modest për t’u ardhur në ndihmë personave me aftësi të kufizuar, thjesht për t’i ndihmuar në gjallërimin e jetës së tyre. Kurse tashmë, po përpiqet që me librezën e saj t’i shkrijë edhe ato shoqata që ekzistojnë. Kjo nuk është demokratike dhe nuk ndihmon askënd. Shteti nuk mund të nxjerrë libreza për të eliminuar shoqatat.

*Kryetar kombëtar i Shoqatës Shqiptare të Personave të Paaftë