Sigal

Ahmet MEMETI

Historia e të drejtave ligjore të minoritetit etnik shqiptar në Greqi, të çamëve, është një shkelje flagrante e të gjitha normave të së drejtës të vetë shtetit grek si dhe të drejtës ndërkombëtare. Kjo gjendje filloi me aneksimin e Çamërisë në shtetin grek, në nëntor të 1913-s në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, pas Protokollit të Firences dhe vazhdon deri sot. Në periudhën 1 – 14 nëntor 1913 u hartua dhe nënshkrua Traktati i Paqes i Athinës midis Turqisë dhe Greqisë ku përcaktohet qartë se banorët e territoreve të aneksuara nga kjo e fundit do të ruajnë administrimin e lirë të pasurive të tyre dhe të drejtat për t`i disponuar ato pa pengesa. Plot 4 vjet më vonë, në të njëjtën datë, më 14 nëntor 1917, miratohet ligji nr. 924 dhe me dekret mbretëror, në mars të 1918-s, në zbatim të tij, ndalohet rreptësisht shitja dhe tjetërsimi i pasurive të paluajtshme që gjendeshin në territorin e aneksuar nga Greqia pas Luftërave Ballkanike. Kjo masë thellësisht e padrejtë që ishte në kundërshtim me nenin 6 të traktatit të paqes e detyroi popullsinë myslimane shqiptare të krahinës së Çamërisë të shikojë veten në perspektivën e trishtuar të të qenit të detyruar të mërgojë duke lënë pasuritë e tyre të paluajtshme dhe fushat e tyre që përbënin, për shumicën dërrmuese, pasurinë e vetme. Në këto kushte kryetari i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris Luigj Bumçi (atëherë peshkop i Lezhës) i drejtohet kryetarit të kësaj konference Zhorzh Klemanso, më 25 korrik 1919, të ndërhyjë tek shteti grek për shfuqizimin e dekretit mbretëror dhe për pasojë pengimin e dëbimit të shqiptarëve myslimanë, ku thekson se Traktati Turko – Grek “përputhet me parimet më të shenjta të drejtësisë” dhe “asnjë pengesë të mos vihet nga qeveria greke për tjetërsimin e lirë të pasurive të tyre të luajtshme e të paluajtshme”. Një vit më vonë u nënshkrua Traktati i Sevrës (10 gusht 1920) midis Aleatëve dhe Turqisë, si pjesë e negociatave të Konferencës së Paqes të Parisit. Për sa u takon shqiptarëve të Çamërisë në artikullin 2 të këtij traktati midis të tjerave theksohet, “Greqia pranon të sigurojë mbrojtje të plotë për jetën dhe liritë e të gjithë banorëve të Greqisë pa dallim origjine, kombësie, gjuhe, race apo përkatësie fetare”. Për më tepër në artikullin 8 të po këtij traktati konfirmohet qartë:

“Qytetarët grekë që u përkasin minoriteteve racore, fetare apo gjuhësore, do të gëzojnë të njëjtin trajtim dhe siguri, me ligj dhe zbatim si dhe qytetarët e tjerë grekë. Në artikullin 1 të Traktati të Sevrës theksohet “Greqia pranon se kushtet e përshkruara në artikujt 2 dhe 8 do të njihen si ligje themelore dhe asnjë ligj, përmirësim apo veprim ligjor nuk do të konfliktojë apo do të ndërhyjë me këto kushte, po ashtu asnjë ligj, përmirësim apo veprim ligjor nuk do të mbizotërojë mbi to” Më në fund Greqia me një dokument ndërkombëtar njeh de jure praninë e minoriteteve kombëtare dhe të drejtat e tyre, por Traktati i Sevrës që nga koha e nënshkrimit e deri sot nuk u zbatua asnjëherë nga shteti. Një sfilitje torturuese ishte periudha 1923 – 1926 për shqiptarët e Çamërisë, në kohën e Traktatit të Lozanës (24 korrik 1923) midis Turqisë e Greqisë për shkëmbimin e popullsive. Megjithëse bëhej fjalë për grekë e turq, shteti grek me një mori pafund spekulimesh shfrytëzoi rastin të vinte në jetë Megali idenë për çrrënjosjen e shqiptarëve si turq, nga trojet mijëvjeçare. U desh ndërhyrja e fuqishme e shtetit shqiptar dhe e vetë çamëve që vunë në lëvizje të gjitha organizmat ndërkombëtare për shmangien e pjesshme të spastrimit të dytë etnik (pas atij të periudhës së Konferencës së Londrës), megjithatë u shpërngulën 35 000 shqiptarë autoktonë nga zonat e Konicës, Kosturit e Follorinës si dhe mbi 15 000 të tjerë nga Çamëria. Në periudhën që pasoi diskriminimi ekonomik dhe heqja e mjeteve të jetesës ishte një tjetër mënyre efikase për t`i detyruar shqiptarët të largoheshin nga vendi i tyre. Një varg ligjesh dhe aktesh nënligjore të komplikuara qëllimisht drejtoheshin kundër shqiptarëve myslimanë. Kështu ligji numër 3250 sanksiononte zhvlerësimin e tapive prej 100 vjet e tutje.

Ky ligj shkelte Traktatin greko – turk të Athinës. E ashtuquajtura “Reforma Agrare” u bë mjet për t`i hequr myslimanëve çamë çdo bazë ekonomike. Ky shpronësim nuk u bë në favor të refugjatëve të ardhur nga Turqia por të çamëve ortodoksë për t`i futur në armiqësi dy komunitetet me kombësi të njëjtë. Shpronësimi do të bëhej kundrejt një shpërblimi që s`u dha kurrë. Ndërkohë vazhdonte mos lejimi për shitjen ose dhënien me qira të pronave të tyre. Ligji i reformës agrare i hapi rrugë arbitraritetit dhe grabitjes të popullsisë myslimane shqiptare. Kështu një rrënjë ulliri merrej me 25 dhrahmi kur vlera e saj në atë kohë ishte 3000 dhrahmi dhe shpërblimi do të bëhej për 30 vjet. Spekulime u bënë në matjet e sipërfaqeve të tokave, p.sh., fshati Goricë që kishte në fakt 7000 dynym u përllogarit 1400 dynym, Januri nga 5000 në 1500, Turkopallku nga 5500 në 1500, Kanellaqi nga 8000 në 1800 etj., kështu pronarët myslimanë u shndërruan në argatë, pa tokë, pa asnjë shpërblim. Ndaj kësaj gjendjeje të padurueshme u ngritën në protesta intelektualët e shquar çamë Ali Dino, Haki Sejko etj., duke iu drejtuar kryeministrit Pangalos, i cili për të zbutur gjendjen e acaruar në kulm pranoi: “Në Epir kemi disa mijëra çamë, të njohur prej nesh dhe që formojnë në shtetin tonë minoritetin shqiptar. Periudha e Luftës së Dytë Botërore dhe spastrimi etnikofetar i tretë dhe i fundit i 35000 shqiptarëve myslimanë nga Çamëria ishte akti final i zbatimit të Megali-idesë nga forcat e armatosura të shtetit grek. Krimet e luftës dhe gjenocidi i pashoq i ushtruar ndaj njerëzve të çarmatosur dhe të pa fajshëm u kushtoi jetën rreth 2900 vetëve të vrarë e të masakruar dhe rreth 2400 të tjerëve që vdiqën rrugëve nga sëmundjet, uria dhe të ftohtit gjatë spastrimit etnik. Megjithëse mbi 1000 çamë morën pjesë në dy batalione në forcat antifashiste, njeri në Shqipëri dhe tjetri në Greqi, 2 500 (dymijë e pesëqind) të tjerë si vullnetarë për vetëmbrojtje nga shfarosja dhe mbi 230 (dyqind) vetë ranë dëshmorë, propaganda shtetërore greke mohon kontributin e shquar të tyre duke ngulur këmbë në akuza false për bashkëpunim me armikun, vetëm e vetëm për të fshehur Krimet e Luftës dhe për të justifikuar shpërnguljet masive me dhunë e gjenocid. Këto akuza dhe gjyqet false, që vetë gjykata greke i ka përgënjeshtruar për mungesë provash, u kanë hapur rrugë vendosjes së ligjeve drastike në kundërshtim me kushtetutën greke dhe të drejtën ndërkombëtare. Me administrimin e pasurisë së grabitur të çamëve u morën autoritetet lokale duke spekuluar me ligjin 1539/ 1938, Art.34. Sipas Prof. Kyriakos D. Kentrotis, në vitin 1947 çamëve iu hoq shtetësia greke në mënyrë kolektive me dy protokolle: Nr. 49 343 / E / 2 / 29.10.1947 i autoriteteve për çështjet juridike në Ministrinë e Jashtme dhe Nr. 3976 / 8.11.1947 i Ministrisë së Brendshme. Të dy protokollet janë bazuar në akuza false për “bashkëpunim dhe veprime kundër interesave të popullit grek” Grabitja e pasurive të shqiptarëve u bë për të realizuar kolonizimin e ëndërruar dhe planifikuar të Çamërisë qysh në vitin 1844 me famëkeqen Megali-ide duke jua ndarë tokat dhe pasuritë e tjera të shqiptarëve kolonëve grekë dhe duke proceduar me Kishën Greke dhe Bankën Bujqësore. Aktualisht të ardhurat nga grabitja e pronave të shqiptarëve të Çamërisë përdoren për ekspansionin vorioepirot kundër Shqipërisë. Mjafton të kujtojmë aktivitetin e ethshëm të Kishës Greke si dhe kërcënimet e herë pas hershme të ministrave grekë deri tek presidenti. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto akte ligjore e nënligjore, në vitet 1966 dhe 1998 shteti grek miratoi edhe dy ligje të tjera me numra përkatësisht 4506 dhe 2664. Ironia e këtyre dy ligjeve qëndron në atë se mbështeten në Ligjin famëkeq të Luftës me Shqipërinë nr. 2636 / 1940, kur çamët ndodheshin në vendet e tyre në Greqi dhe “gëzonin” të gjitha të drejtat si qytetarë grekë. Por rasti më flagrant i kohëve të fundit është ligji nr. 2664 “Mbi Kadastrën kombëtare dhe rregulla të tjera”, dekretuar më 27 nëntor 1998 nga presidenti Kostandin Stefanopullos dhe firmosur nga 8 ministra. Ky ligj u miratua pas nënshkrimit të Traktatit të Miqësisë Shqipëri – Greqi të vitit 1996, ku në pikën 15 theksohet lehtësimi i marrjes së pronave të shtetasve të të dy vendeve në vendet respektive. Deri tani Greqia nuk ka ratifikuar Konventën Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare dhe as e ka firmosur Kartën për Gjuhët Rajonale ose të Minoriteteve.