Temperaturat e larta, si të shmangni efektet negative në shëndet

684
Sigal

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik kanë ndarë disa këshilla për të shmangur efektet shëndetësore negative të ditëve të nxehta që po përjeton vendi ynë.

Sipas ISHP-së, në mënyrë që të shmangni efektet shëndetësore negative këshillohet të evitohet ekspozimi në diell, sidomos në pikun e temperaturave, nga ora ‪11:00 deri në ‪17:00.

“Ambienti në të cilin jetojnë të jetë i freskët  dhe i ajrosur mirë, nëpërmjet ajrit të kondicionuar, ventilatorëve ose nebulizatorëve për lagështimin e ajrit. Të vendosen perde të errëta sidomos në dritaret e ekspozuara ndaj rrezatimit diellor. Të vendosen termometra për matjen e temperaturës së ambientit ku shpenzojnë më shumë kohë. Të pihen sa më shumë lëngje, kryesisht ujë. Evitoni pijet shumë të ftohta, ato me gaz, me shumë sheqer dhe aditivë të tjerë. Të konsumohen vakte ushqimore të shpeshta, në sasi të vogla, të ftohta dhe me përbërës ushqimorë lehtësisht të tretshëm. Të vishen me rroba të lehta, me ngjyra të hapura dhe prej pambuku ose linoje. Për personat që përdorin medikamente, të mos e ndërpresin apo ndryshojnë atë, pa u konsultuar me mjekun përkatës. Rekomandohen dushe të shpeshta me ujë të vakët dhe pa u tharë me peshqir”, -rekomandojnë ekspertët.

Sikurse gjithë vendet e Evropës Perëndimore dhe të Mesdheut qendror, edhe Shqipëria është prekur nga i nxehti në rritje për shkak të anticiklonit afrikano-verior.