Besnik Imeri: Vlora është si një qytet në Afrikën e Veriut, beton dhe ka shumë pak gjelbërim

1062
Sigal

Por Vlora ka nevojë për investime serioze jo vetëm për kanalizimet, por edhe për Ujësjellësin,

Vlora është si një qytet në Afrikën e Veriut, tulla, beton dhe shumë pak gjelbërim

Besnik Imeri

Tek Aulona, tek “samsatë”, “gurabiet”, janë mbjellë hunj pa gjethe; ndërkohë, që ja kishte vend në Vlorë, ku mund të bëhej një “pyll” i gjelbëruar, ishte vetëm ky. Jo vetëm kaq. Por edhe rrugicat që janë bërë, nuk janë me pllaka, por me çakull dhe të ecësh në to duhet të kesh këpucë alpine, pasi pleqtë dhe nënat e reja me karroca më fëmijë ta harrojnë se mund të ecin në to. Por çfarë është bërë aty? Janë mbjellë disa hunj si ata të vreshtave të rrushit. Kjo sepse projektuesi belg, një i roitur nga mentë e kokës, donte, që nga fluturakët dhe dronët të dukeshin “samsatë” dhe rrugët e bardha me çakull. Pa çka se ky investim nuk u shërbente qytetarëve të Vlorës. Të vetmet pemë që gjelbërojnë aty, janë ato që ka mbjellë Shpëtim Gjika dhe që i ka ruajtur zoti nga dora prishëse e dashnorëve të betonit, lekaneve dhe çakullit. Qeveria dhe bashkia kanë shansin që të rregullojnë imazhin e keq të tyre; dhe këto vite që u kanë mbetur të mbjellin aty pemë  me gjethe shumë, të rregullojnë rrugicat me pllaka dhe pse mos të vendosin edhe stola druri me mbështetëse për pensionistët, ashtu si i kishte vendosur Shpëtim Gjika, që këta i hoqën.

        Dy fjalë edhe për shëtitoren me zeje guri Skelë-Uji i Ftohtë.

Që janë mbjellë pisha, është një gjë shumë e mirë. Por që u shkapërderdhën paratë për: drita në bythë të pishës, stola digjitale, kamera, është një gjë shumë e keqe. Nuk e dimë fatin e pishave që janë mbjellë si lulet në saksi, pasi ato janë  mbjellë në saksi betoni, ku nuk kanë kontakt me tokën dhe për rrjedhojë nuk do të rriten,  por do të qëndrojnë aq sa janë, si qëndrojnë lulet në saksi. Megjithatë investimi nga qeveria është i mirë. Po apo e mirëmban bashkia? Duke filluar me tubat plastikë që i vadisin këto pisha, pjesa më e madhe e tyre ka dalë jashtë funksionit, për  rrjedhojë një pjesë e mirë e pishave nuk ujiten, të tjerave uji u ikën në kalldrëm dhe nuk shkon tek pisha. Bashkia është në gjumin e vapës. Pishat e mbjella tek Aulona, meqënëse ndodhen në korridorin e erërave që vijnë nga “Qafa e Ravenës”, kur fryn erë e fortë nga J-P me shpejtësi mbi 60 km/orë, tri herë janë shkulur. Rrjedhoja. Ato janë tharë. Çfarë i kushton bashkisë që t’i rimbjellë dhe t’i mbrojë me kabull të fortë, ashtu siç i mbron firma “Fusha” në shëtitoren Vlorë-Skelë. Ose t’u vendosë platforma hekuri, si ato që u janë vendosur pishave në Himarë dhe Jalë nga Jorgo Goro. Meqenëse zumë në gojë shëtitoren Vlorë-Skelë, shumë e mirë është bërë. Por për ato ‘bithgurët’ që janë vendosur kryq në trotuar nga “Kali i Trojës” deri në Skelë,  kujt i ka vajtur në mëndje? Mos atij projektuesit të jashtëm të shkarë nga trutë e kokës. I vini drejt o të bekuarit e perëndisë në drejtim të lëvizjes së njerëzve dhe  përsëmbari, se po pengohen populli dhe nuk ecin dot, pasi kanë zënë plot tri-katër metra trotuar.  Tani edhe për Lungo-Maren. U bë si u bë, me 100 hektar beton në Skelë dhe 2000 ha deri në Ujë të Ftohtë, por të paktën gjelbërojeni. Bëni një “tunel” me rrepe nga  Skela deri në ujë të Ftohtë se po u bie damllaja njerëzve nga vapa. Dhe ato akaciet moj e nderuara bashki, kujt ja ke lënë që të kujdeset, bashkisë së Rrogozhinës? Thyhen, këputen, thahen, nuk do t’ia di njeri. Kryetari i bashkisë shikon filma tek “Lekania” në Skelë. Mirë që na kujtuat kinemanë. Si ka mundësi që Vlora është i vetmi qytet në Shqipëri që nuk ka Kinema. Kur ka ndërmend ta ngrejë një, bashkia dhe qeveria, apo më 2044?!!!

       Vlora turistike “bilbilos” kryetari i bashkisë.

Po ku ka qytet dhe fshat turistik në botë pa semaforë o kryetar mavria! Trans-Ballkanikja ka që në kohën e Saliut që është bërë ‘rruga e vdekjes” në Vlorë. Kur ka ndërmend bashkia dhe qeveria, që të vendos semaforë ose mbikalime të lehta prej konstruksioni metalik?!!!

Me këto që thashë nuk dua të mohoj investimet e mëdha që janë bërë në Vlorë si ato në fushën e shëndetësisë (Spitali, Ambulanca. Autoambulancat, të cilat për hir të vërtetës janë nga më të mirat në shërbim të qytetarëve), Qendra Historike, rrugët moderne të tipit europian: Rruga “Ismail Qemali” ( se mos i ndërroni emrin mor të paudhë), Rruga “Demokracia”, Rruga “Veledin Kollozi”, Rruga “Sulejman Delvina”, Rruga e Kaninës, Rruga e Konomajve dhe ndonjë tjetër, që nuk më bie në mendje.

Por Vlora ka nevojë për investime serioze jo vetëm për kanalizimet, por edhe për Ujësjellësin, ku ngritja e një depoje tjetër të madhe është emergjente. Vlora ka nevojë për investime serioze për gjelbërimin, pasi zonat e gjelbëra në qytet janë si oazet në shkretëtire: tek “Avni Rustemi” (ku një pjesë të mirë e ka zënë kafeneja), tek Varri i Ismail Qemalit (ku edhe ajo vetë ka nevojë për investime ripërtëritëse, tek Universiteti, tek “Kali i Trojës”, tek “Fabrika e Tullave”, tek “Uji i Ftohtë” dhe nuk ka më. Por edhe këto oaze kanë nevojë për investime ripërtëritëse me pemë të reja, stola dhe rrugica. Kaq janë oazet e gjelbëra në Vlorë. Bashkia dhe qeveria dhe aty ku kanë pasur mundësi, kanë mbjellë beton dhe pllaka si tek “Mesapliku”, “Tri racat”, etj. Megjithatë bashkia dhe qeveria e kanë një rast, që të na mbyllin gojën. Kjo është fusha e krijuar tek “Shkolla e Marinës” (vetëm po patën ndonjë “mëndje të keqe” për të ngritur shumëkatëshe aty). Aty është një vend ideal për të bërë një park dhe pyll të vogël me pemë të larta dhe me gjethe, rrugica dhe stola, ku vlonjatëve që u zihet fryma nga Lungoi-Mareja, të shplodhen pak. Do zoti na dëgjojnë dhe e bëjnë! Fol o zot dhe mos le djallin që të flasë!

Pak histori për qytetin e Vlorës

Qytet i lashtë dhe një nga portet kryesore te Shqipërisë. Ndodhet ne jugperëndim te vendit, buzë Adriatikut. Në lashtësi njihej me emrin Aulona. Gjurmët më të hershme i takojnë shek. VI p.e.s. Në shek. IV rrethohet me mure guri të latuar. Duke qenë një nyje e rrugëve tokësore e detare, i njohur për verën, ullinjtë e kripën, u bë porti kryesor i Ilirisë pas rënies së Apolonisë e Orikumit. Në mesjetë fatet e qytetit lidhen me kështjellën e Kaninës. Më 1081 u pushtua nga normanët, më 1205 nga Venediku, pastaj kaloi në sundimin e Hohënshtaufëve gjermanë dhe më 1272 u përfshi në mbretërinë e Arbërisë. Gjeografi arab Ibn Batuta e përmend në qindvjetin e Xtë si një ngulim të rëndësishëm. Gjatë dy luftërave të perandorit Aleksi I Komneni kundër Robert Guiskardit dhe Bohemondit, Vlora përmendet shpesh, ndërsa pas një përkatësie thuajse shtatëqindvjeçare bizantine, pushtohet nga normanët që e qeverisën vetëm katër vjet.

Sundimati i Vlorës dhe i qytetit, krahinës dhe kështjellës së Kaninës ishte pjesë e Perandorisë Bizantine, i nënshtrohej pushtetit të një sebastokratori, që sipas Eqrem bej Vlorës e kishte selinë në kalanë e PloçSevasterit (pranë Kudhësit), por në vitin 1205 ra nën pushtetin e Despotatit të sapoformuar të Janinës.[2] Më 1258 Vlora është ndër zotërimet që i kalojnë si pajë mbretit të Napolit, Manfredit të Hohenshtaufënve, pasi mori për grua Helenën e despotit Mihal II. Pasi vdiq Manfredi më 1266, kështjellari i Vlorës, Jacques de Baligny, nuk ia dorëzoi kështjellën Anzhuinëve në mars 1272 dhe për sa qe gjallë mori prej Karlit I Anzhu „castrum Canine, Caninian et Avelloman cum archondiis“. De Baligny ndejti vetëm për një vit pasi mori disa vende në krahinën e Beratit dhe Bazilikatës në Itali në këmbim të Kaninës dhe Vlorës. Nga viti 1315 deri në vitin 1320 u pushtua sërish prej bizantinëve dhe pushtetar i saj qe sevastokrator Dhimitër Ganza, të cilin e pasoi i biri, Nikolla. Më 1345 qyteti ra në sundimin serb, edhe vëllai i mbretit Aleksandër të Bullgarisë, Johan Azen Komneni, arriti të futej në Vlorë.[2]Më 1357 Këshilli i Lartë i Senatit të Venedikut i lejonte qytetarët e vet të zgjidheshin për kryetarë e nëpunës (pro rectoribus et officialibus) në Vlorë dhe vende të tjera të despotatit (locus Avalone et alia loca despotatus). Më 1372 Johan Azen Komnenin e dëbojnë Balshajt dhe Muzakajt. Kaloi në shek. XIV nën sundimin e Balshajve, por pas vdekjes së Balshës II më 1385 në betejën e Savrës, nuk mund ta mbanin më. Pas vdekjes së Balshës, vendin e pasoi e veja, Komita Muzaka-Komnena, e bija e despotit të Beratit dhe Vlorës. Ishte e dëgjuar për punimin e hekurit, të shpatave, të mëndafshit, për nxjerrjen e kripës etj