Kozma Gjini: Myzeqarët e Tomorrit

930
Sigal

Vijon nga numri i kaluar:

“Myzeqarët e Tomorrit” reportazh nga Kozma Gjini…

 

Dhe ja një valle popullore, si të jetë një reklamë mes edicionit të lajmeve… na tërheq vëmendjen. Çohen në valle të gjithë dhe dikush kërcen dhe gotën me ujë e mban në kokë. Është Lamçja nga Plugu.

“Të na falënderoni ne skraparlinjtë”, bën shaka dikush -Sepse u mësuam të bëni raki Skrapari, …sepse po të mos donim ne, Devolli “Delli” nuk do të kalonte fshatrave të Myzeqesë për ta përdorur për bimët, … për të mos shkuar më tej se po të mos donim ne, Tomorri nuk e “hapte” portën e rrezeve të diellit që të binin në Myzeqe”…

Kurse, tashti, “Delli” duket sikur thotë:”Këtu kam qenë, jam e do të jem… Nuk jam si Danubi që përshkon…10 shtete të Evropës, por disa fshatra të Myzeqesë i mbaj me ujë, kështu që të paktën mos më ktheni në kontejner”.

Myzeqeja e shumë viteve më parë tregoi mikpritjen e saj, u hapi derën skraparlinjve dhe ata u integruan në shoqëri. “I shpërnguluri i parë që e tërhoqi këmbën zvarrë për në Myzeqe… ka qenë Jashar Qazim Buba nga Blezënca, 1849. Zanati i tij ishte “baruti”…do të thoshte z. Selfo Nebiu.

Djali i Jasharit, Aliu, 1895, mbeti familje patriote. Atje ka bujtur Spiro Mojsiu e Xhoxhi Robo. Ai e mbajti miqësinë me Xhoxhi Robon, Kol Bozon, Miti Bozon, Rahman Ruçin…etj.

Aliu kishte mik edhe: Zylyftar Veleshnjën, Kahreman Yllin, Myqerem Fugën, Skënder Malindin, Xhoxhi Robon, Skënder Libohovën etj…

Një diskutim këputet në mes, sepse një melodi vajtuese skrapariote hynë në mes. Kënduar kaq bukur me dridhje zëri sikur të imitonte artistin Demir Zyko:

…Më zunë sytë, moj nëne

një djalë beqar

Oi oiiiiii….

Qaj moj zemra ime, qaj….

Dhe e dredh zërin në refren “oiii-oiii” sa të dridhet zemra në kraharor.

Më tej, z. Ëngjëll Musai, kryetar i shoqatës Atdhetare-kulturore “Tom

orri” në rang kombëtar u komunikon miqve se shumë shpejt do të zhvillohet një organizim i madh në Tiranë. Kemi marrë mendime për disa nga dekorimet e artistëve të trevës sonë dhe me këtë urim dëshiroj që të mblidhemi dhe herën tjetër me të njëjtin profil, me të njëjtat urime për shoqatën e Lushnjës dhe do të piketojmë kë mendoni juve për t’i propozuar, qoftë kuvendit, qoftë presidencës, për t’u dhënë tituj nderi figurave të spikatura të trevës sonë. “Dua së pari të komplimentoj prof. Bashkim Sulçen, i cili ka bërë një organizim të shkëlqyer me këtë takim madhështor. E kam thënë edhe në aktivin kombëtar se ai është modeli dhe pasqyra më e mirë e një njeriu patriot, i sakrificës, një njeri që ka vlera kulturore dhe këto vlera e lartojnë figurën e shoqatës sonë dhe i japin vlerë edhe mbarë kombit. Faleminderit, prof. Bashkimit që jeni modeli dhe simboli i shoqatës!

Shqiptarët sot më shumë se kurrë kanë nevojë për atdhetarizëm. Qoftë në aspektin kombëtar dhe qoftë në atë ndërkombëtar, Shqipëria ka nevojë për bashkëpunim. Duhet të luftojmë ndasitë me njëri-tjetrit. Të gjithë të punojmë që të jemi të bashkuar, pa dallime partiake, fetare e krahinore. Qëllimi ynë është që gjithmonë të jemi të bashkuar. Të kemi parasysh se kur u krijua shoqata “Tomorri” ishin pikërisht këto shoqata që mbajtën gjallë frymën kombëtare. Ne nuk kishim shtet, ishim një shtet nën pushtimin otoman dhe i duhej pikërisht gjallëria fuqia e organizuar njerëzore vlera e atyre burrave të lavdishëm që e ngritën lart figurën e kombit shqiptar që ta njihte Evropa dhe bota. Këtë trashëgimi të vyer ne e kemi marrë nga brezat dhe duhet t’ua lëmë brezave që vijnë. Këtë mesazh t’ua transmetojmë edhe fëmijëve tanë. Shoqata të fuqishme, janë edukim dhe njeri i fuqishëm, që i bëjnë mirë të gjithë shqiptarëve. Ne nxjerrim edhe gazetën “Dielli i Tomorrit”, e cila u shërben gjithëve dhe është pjesë e trashëgimisë dhe kulturës së trevës së Tomorrit. Që në fillimet e saj, gazeta ka firmën dhe vulën e njërit prej njerëzve të penës, krenaria e shoqatës “Tomorri” poetit kombëtar, Xhevahir Spahiu. Ne duam që të ruajmë trashëgimin dhe të sigurojmë vazhdimësinë e traditave dhe në publicistikë. Kulturë-sport- art-letërsi etj. Kemi mbështetjen e specialistëve dhe ekspertëve për gazetën. Në veçanti të mikut e kolegut Bashkim Koçi. Kjo gazetë gjithëpërfshirëse ka të njëjtën strategji që ka edhe shoqata, duke mbledhur, dokumentuar dhe përçuar vlerat e trevës.

Nuk duhet t’i përdorim shoqatat në interes të partive nëpër fushata elektorale, kjo e dëmton imazhin e tyre. E kemi si qëllim që të qëndrojmë sa më larg politikës. Sepse primare është se shoqata mbron të drejtat e saj dhe ka karakter kombëtar”.

Afrohemi pranë një burri me një trup mesatar që sapo lë këngën, merr fjalën: Është artisti ose siç e ka quajtur poeti Xhevahir Spahiu, skulptori i poetizuar Haxhi Kalluci.

“Kam shumë mbresa dhe impresione lidhur me Myzeqenë dhe Skraparin, thotë Haxhiu. Vlerat tona janë sintetizuar edhe në veprat e krijimet artistike. E kanë thënë dhe personalitetet e kulturës kombëtare shqiptare se kush janë myzeqarët. Do të veçoja një interpretim që i ka bërë Dritëro Agolli Myzeqesë dhe Skraparit, por pa e veçuar këtë si një enklavë dhe trevë jashtë Shqipërisë.

Në një nga bisedat e tij, Driteroi, që java shtatë e ai tetë, vinte në Fier, ka thënë: “Myzeqeja brenda shtrihet mes tre lumenjve, nga veriu Shkumbini, në mes të Myzeqesë Devolli nga vjen vet Dritëroi me Osumin e Skraparit dhe në jug, lumi Vjosa. Në Myzeqe vijnë e rrjedhin të gjithë ujërat e trevave shqiptare. Për kuriozitet, Dritëroi pati ca kohë që donte të largohej me banim që nga Tirana dhe donte të vinte në Myzeqe. Në Fier? e paragjykuan. “Si mund ta ndërronte Tiranën me Myzeqenë Agolli? Dritëroi iu përgjigj: “Po përse duhet të jetoj unë në gropën e Ajdin Sejdisë? Që të dëgjoj këngën e zhabave. Përse të mos vij në Myzeqe ku mund të dëgjoj këngën myzeqare, të Skraparit, të Devollit, të Përmetit dhe të gjitha trevave së bashku këtu në Myzeqe.

Marrëdhënia e myzeqarëve me skrapariotët matet me shekuj. Ka një pikë që i bashkon. Aspektet etnokulturore kënga, vallja, veshjet, zakonet, traditat, kanë shumë gjëra të përbashkëta. Sikur ka një ngjizje mes tyre. Trualli i fushës dhe maja e malit kanë ngjyrimet e veta, ngjyrimet natyrore që janë dhe njerëzore. Bashkimi, ardhja e pritja ka qenë një akt human njerëzor… Edhe në këtë event sot jemi shumë të bashkuar, miqësor me bri njëri -tjetrit myzeqar dhe skraparlinj.

Myzeqarët e skraparlinjtë janë treva që kanë bashkëjetuar në miqësi e vëllazëri, në paqe e harmoni të plotë. Këto dukuri janë ngërthyer edhe në veprat e krijuesve të të dy këtyre krahinave.”

Selfo Nebiu, kryetari i shoqatës “Tomorri” dega Lushnjë, tregon:

“…Para shekullit XIX ka pasur lëvizje sporadike të skraparlinjve. Ndër të parët kanë qenë dy miqtë e mi nga Koprencka, Sadik dhe Etem Koprencka, të cilët fillimisht emigruan në Libofshë dhe pastaj erdhën në Lushnje. Në pushtetin popullor, lëvizje ishin më të pakta më të kontrolluara, por megjithatë Lushnja si vend pritës dhe pozitë gjeografike të përsosur që mund të zhvillohej bujqësia dhe blegtoria, arritën që me mirëkuptim dhe strukturat e asaj kohe,1956, me vendim të Këshillit të Ministrave, u krijua sektori Dushk. Sektori u mbështet nga qeveria. Fillimisht në Dushk ka ardhur im atë, me specialitet kuzhinier, xhaxhai im, që punoi në ministrinë e Mbrojtjes si dhe drejtues sektori në Dushk. Dhe Xhavat Kolashi. Më vonë erdhën dhe të tjerë. Aty filluan dhe investimet e para. Në vitet ’60 përfunduan investimet. Kryesisht Dushku ka qenë banuar nga skraparlinjtë. Pas viteve ’60, kur puna për kultivimin e kulturave bujqësore, perimeve, vreshtave e agrumeve…po shtoheshin, u pa e nevojshme që të rriteshin edhe investimet. Dhe sipërfaqja e hapur ishte 1200 ha, e cila u mboll ullinj që nga nga ura e Rrogozhinës e deri në Golem. U mbollën gati 650 ha me vreshta dhe 200 ha agrume etj. Në këtë kohë erdhën edhe të tjerë banorë nga Skrapari, Pogradeci, Librazhdi, Përmeti, Labëria, Devolli dhe si të thuash, Dushku është fshati me përbërje heterogjene që banorët jetojnë në miqësi. Në fillim të viteve ’70 Dushku kishte 750 familje kishte dhe shkollë të mesme. Dushku realizonte detyrat dhe 60 për qind e rrushit shkonte për eksport. Tani, një pjesë e skraparlinjve sot janë larguar në emigrim, Tiranë e qytete të tjera. Pas viteve ’90 kanë ardhur të tjerë nga verilindja e Shqipërisë. Dushku më 2006 ka pasur popullsi prej 12.800 banorë. Atëherë fillonte nga Thanasaj, sektor Zhamë, Gramsh, Konjat, Dush, fshat dhe Dushk sektor. Dushku ka ndryshuar sa i përket gjendjes ekonomike. Skraparlinj sot mund të jenë 350 familje. Kryesisht skraparlinjtë janë shpërndarë në ish- ndërmarrjet Bujqësore si: Plug, Çermë, Grabian, Savër, Dushk, Rrapez dhe në fushë. Dushku mban vend të parë për popullsi nga Skrapari.

“Ne duhet të mblidhemi më shpesh si shoqatë, na thotë Bashkim Sulçe, ish-mësuesi i përkushtuar, kryetari i organizatës së pasardhësve veteranëve të Kolonjës dhe sekretar. i shoqatës “Tomorri”. Ai është një aktivisti i papërtuar i shoqatës dhe iniciatori i mjaft aktiviteteve me mësuesit pensionistë dhe të shoqatës. Nuk harron edhe të shkruajë në organe të ndryshme të shtypit.”Por e ka një të keqe, e ndërpret me shaka kolegu…se ky shkruan për pleqtë afër qindshes…që t’i gëzoj ata…por kur del gazeta, plaku ka ndërruar jetë…” “Të kujtojmë ku kemi qenë dhe ku jemi,vijon Bashkimi, prandaj të hartojmë plane për të ardhmen e fëmijëve tanë. Të forcojmë unitetin dhe dashurinë mes njerëzve. Të mblidhemi jo një herë në vit, po tre-katër herë, se sa më shumë të jemi të bashkuar, më shumë i shërbejmë forcimit të unitetit. Shoqata fuqizohet, organizohet dhe u vjen në ndihmë njerëzve…”

“Myzeqeja gjithmonë ka qenë mikpritëse”, na thotë Ilirian Bakiasi, pedagog:

Gjithmonë u ka hapur dyert të ardhurve, siç ka qenë edhe rasti i skraparlinjve ndër kohëra. Myzeqarët me skraparlinjtë janë bërë një, kanë bërë krushqi me familjet, gëzojnë respekt të ndërsjellë, bazuar në marrëdhëniet miqësore. Dita e sotme është si një festë e shoq. “Tomorri” dhe tregon se mbahen e ruhen traditat e popullit. Kjo tregon se ne jemi një popull, një kulturë, prandaj t’u themi brezave që do të vijnë, se shqiptarët janë një dhe të pandarë. Vlerat e intelektualëve të Skraparit janë shfaqur në art, kulturë, letërsi, në mbrojtjen e vendit në ekonomi e kudo. Ata kanë lënë gjurmët e tyre kudo që kanë qenë në Myzeqe e Shqipëri. Janë ruajtur traditat e zakonet e skraparlinjve kudo që ndodhen. Prandaj është shoqata, për t’i bashkuar njerëzit. Ashtu si të parët tanë që i kanë ruajtur zakonet edhe ne i ruajmë dhe i përhapim këto tradita”.

Mësuesi pensionist, Isuf Liço, përfaqësuesi i trevës me banim në Divjakë, ngre një shëndet për miqtë… “Skraparlinjtë janë të shpërndarë në fshatin Mizë dhe Divjakë. Të parët janë përqendruar në Mizë. Pastaj u shpërndanë në fshatrat përreth. Në Divjakë erdhën të tjerë. Ne, si fis, kemi ardhur në vitin 1965. Fillesën e parë të ardhurit që nga Skrapari e patën në Qerret qysh nga viti 1936. Na tërhoqi xhaxhai. Kryesisht të parët janë përqendruar në Mizë. Në Divjakë jemi bërë rreth 15 familje. Kemi qenë fis i rregullt, pa probleme dhe s’kemi pasur asnjë përplasje me ligjin apo fqinjët”.

“Kam shumë shok nga Skrapari, flet me dashamirësi biznesmeni Arben Çuko.-. Sot mora një ftesë nga miku Haxhi Kalluci për të ardhur këtu mes miqve tanë të Tomorrit dhe ndjehem i privilegjuar. Këtu u promovua dashuria, miqësia, respekti mes njerëzve të disa krahinave. Këngët e sjella në gojën e popullit, vallet dhe zakonet e traditat që erdhën përmes tregimeve, janë dëshmi e unitetit të popullit. Gëzohemi që skraparlinj dhe myzeqarë jemi një e të pandarë.

Kemi tradita të afërta me njëri-tjetrin. Përpjekjet e gjyshërve tanë për këtë trevë na bëjnë që të ndjehemi krenar”.

Ramiz Hamzallari, sek. i shoq. “Tomorri” dhe kryetar i degës së Tiranës, i cili ka mbaruar konservatorin, ka qenë dirigjent në ansamblin e ushtrisë dhe pas disa vitesh në Poliçan, ka punuar si drejtues artistik, dirigjent dhe drejtor, tregon: “ Më 1996 u riktheva në Tiranë. Atje jam aktivizuar në jetën politike dhe shoqërore e kulturore dhe në forumet, kam qenë kryetar i këshillit bashkiak i zonës së njësisë bashkiake nr 6 dhe më pas kam punuar 8 vjet në ministrinë e Energjetikës. Pas kësaj jam marrë me shoqatën kulturore “Tomorri”. Ku kam krijuar degën e Tiranës para 6 vjetësh. Shoqata ka shumë vlera. Kjo shoqatë u organizua në Shqipëri më 1999. Nuri Çuni ka qenë një nga themeluesit e saj. Para 9 muajsh bëmë zgjedhjet e forumeve drejtuese. Shoqata jonë ka një shtrirje në të gjitha rrethet e vendit. Kjo shoqatë nuk përfaqëson vetëm krahinën e Skraparit, por ka nga të gjitha trevat: Nga mali i Tomorrit, përfshi Beratin, Kuçovën, Gramshin, Elbasanin, Kolonjën, Pogradecin, Korçën, Përmetin, fshatrat e Tepelenës e shumë krahina të tjera. Ka një dimension shumë të madh si dhe ka degët e saj në Tiranë, Durrës, Kavajë, Lushnjë, Fier, Vlorë, Berat, Sarandë, Përmet dhe së afërmi dhe në Shkodër dhe në disa qytete të tjera. Veçanti e kësaj shoqate është se promovon vlerat atdhetare, kulturore e artistike. Krenohemi me ansamblin artistik “Demir Zyko”, që drejtohet prej 6 vitesh nga unë si drejtues artistik. Ansambli ka marrë pjesë në disa aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare. Një ndër aktivitetet ka qenë aktivizimi në 33 rrethe të Shqipërisë dhe trevave mbarëshqiptare: Kosovë, Maqedoni e Mal i Zi, ku ansambli ynë mori çmimin e parë dhe kupën e festivalit. Skrapari shquhet për lëvrimin e vlerave kulturore-artistike të trevës. Ky ansambël dhe gazeta “Dielli i Tomorrit” që del nën kujdesin e z.Ëngjëll Musai, janë dy arsyet e promovimit të vlerave të trevës dhe shoqata “Tomorri”. Një nga figurat më kryese të kësaj shoqate është poeti Xhevahir Spahiu. Ai ka një kontribut të veçantë për rithemelimin e kësaj shoqate. Njëherësh është dhe president nderi i “Tomorri-t”. Ka edhe figura të tjera me kontribut të spikatur si prof. dr. Ajli Alushani, Bashkim Hoxha, Bashkim Koçi…etj”

“Unë kam lindur në Ballsh, jam rritur në Plug të Lushnjes dhe banoj në Tiranë, tregon Vladimir Dyrmishi. Një pjesë të gjatë kohe kam jetuar në Plug. Prindërit e mi kanë lëvizur që herët. Im atë ka qenë oficer në Vermosh Kur u lidh me mamanë, bënë një jetë në lëvizje: Vermosh, Rinas, Ballsh, Lushnje, Më 1960 e liruan nga detyra. Babai është pjesëmarrës në LANÇL dhe invalid i Luftës, mban disa dekorata”

 

Bektash Lame nuk e ka tradhtuar Savrën

“Prindërit e mi kanë ardhur në Lushnje në vitin 1948 që nga Stërneci i Skraparit, thotë ai. U vendosën në Savër ku jetojmë edhe sot. Jam i vetëm nga vëllezërit. Prindërit më kanë vdekur. Një vëlla e kam në Lushnje, një në Greqi, një në Tiranë, ish-pedagog Dr. Prof Perlat Lame, Gëzim Lame etj. Jemi bërë një fis i madh tani. Kam dy fëmijë. Dy vëllezërit kanë nga dy fëmijë, plus nga xhaxhai, Sulo Lame, pjesëmarrës në Luftë për çlirimin e vendit, i cili ka rritur gjashtë vajza dhe një djalë. Jetojmë prej shumë vitesh në mes të myzeqarëve dhe në miqësi me ta. Shkojmë në harmoni, sikur jemi vendalinj e kaluar vendalinjve.”

“Kam lindur në Vlush të Skraparit dhe banoj në sektorin Dushk, tregon Flamur Mançe. Isha dy vjeç kur prindërit e mi erdhën nga Skrapari dhe u vendosën në Dushk, më 1958. Mundohemi të jemi një, myzeqar e skraparlinj. Myzeqarët na kanë pritur mjaft mirë. Unë gruan e kam myzeqare. Janë njerëz që shikojnë punën e tyre, njerëz të arsyeshëm”.

Pas kësaj dite të gëzuar, të ngarkuar me emocionet e takimit mbresëlënës dhe përcjellës i

mesazheve të miqësisë mes njerëzve, mes miqsh të trevës së Tomorrit dhe jo vetëm, , sërish vete gjuha tek dhëmb dhëmbi…tek tymnajat që krijojnë “tufët’ mbi luftën dhe luftëtarët e lirisë …Kjo përbaltje e lëshuar qëllimisht ditët e fundit nga qarqe të caktuara ekstremistësh…, e indinjon në rrugëtim e sipër edhe Dashnor Lamen. Ai është disa herë nip i luftëtarëve të lirisë dhe krenohet me gjyshërit e tij, që luftuan me armë në dorë për lirinë e mëmëdheut.

Ashtu siç indinjohet me propagandën keqdashëse që shtrembërojnë vlerat e Luftës për çlirimin e vendit. Partizanët luftuan për një ideal të përbashkët, për çlirimin e Shqipërisë. Ashtu siç bënë tërë vendet fqinje të bashkuar me koalicionin antifashist. Kushdo që hedh baltë mbi Luftën, është antikombëtar. Unë jam disa herë nip i luftëtarëve për liri. Jam nip i Vezir Lames, ish-partizan. Ai ka tre djem dhe katër vajza që punojnë me ndershmëri kudo që u ka rënë fati. Skënder Lame, është kuadër i vjetër i Luftës dhe ka tre djem që jetojnë e punojnë në Vlorë. Po kështu nga mamaja kam gjyshin Hajri Hajçe, dëshmor, i cili ka rënë në përpjekje me bandat e armikut në vitet e para pas çlirimit”.

“Nuk kishte luftë civile në Shqipëri,-shprehet Dashnori duke iu referuar shkrimtarit Dritëro Agolli, i cili thoshte: “Në vendin tonë nuk kishte luftë civile, por kishte luftë kundër fashizmit. Luftërat civile nuk bëhen në pushtim, por bëhen pasi ikën pushtuesi, ku palët kërkojnë të marrin pushtetin…”