Zbardhet raporti zyrtar 15- faqesh i Qeverisë: Ja pse “zhveshëm” Nishanin nga kompetencat

459
Sigal

Relacioni: De facto dhe de jure, buxhetin e shtetit, punonjësit dhe pronat e shtetit i menaxhon Këshilli i Ministrave

Pas një debati tepër të ashpër për “zhveshjen” nga kompetenca të Nishanit për drejtimin e ushtrisë, Ministria e Mbrojtjes ka përgatitur edhe projektligjin prej 15 faqesh, ku në 7 faqe shpjegohet posaçërisht vetëm marrja e kompetencave Presidentit nga Kryeministri. Madje dy ditë më parë, Presidenti Nishani do të ankohej dhe te ambasadorët e NATO-s për heqjen e kompetencave. Sipas një media shqiptare, në relacionin e qeverisë, thuhet se, institucioni i dytë më i rëndësishëm, në kuadër të autoriteteve të komandimit e drejtimit të FA-ve është Presidenti i Republikës dhe se ai në kohë paqeje e ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes.

Ndryshimet dhe sqarimi i qeverisë

Ndër ndryshimet që kanë pësuar kompetencat e Presidentit, në këtë projektligj, janë kalimi te Kryeministri i së drejtës së miratimit të strukturës organizative dhe planit të përhapjes dhe vendosjes të FA-ve. Një ndryshim i tillë është bërë duke pasur parasysh se, si përcaktimi i strukturës së FA-ve, ashtu dhe përcaktimi i planit të përhapjes, që ka të bëjë me administrimin e pronave të FA-ve, janë më tepër çështje të ekzekutivit sesa të Presidencës. “De facto dhe de jure, buxhetin e shtetit, punonjësit e administratës shtetërore (ku përfshihen dhe Forcat e Armatosura), si dhe pronat e shtetit i menaxhon Këshilli i Ministrave drejtpërdrejt, si dhe nëpërmjet ministrive apo strukturave të veçanta në varësi të tij. E thënë ndryshe, duke qenë se planifikimi i një strukture dhe i një plani përhapjeje kërkon të mbahen parasysh elemente të tilla si, numri limit i punonjësve buxhetorë, shpenzimet financiare që kërkohen, si dhe pronat e asetet e ndryshme në dispozicion, është menduar se zgjidhja më e drejtë dhe efektive është kalimi i kësaj kompetence te Kryeministri” ,- theksohet në relacion. Sipas qeverisë, delegimi i autoritetit operacional të njësive ushtarake te komandat aleate, me të cilat forcat tona kryejnë operacione të përbashkëta, është kaluar te ministri i Mbrojtjes. Një kompetencë e tillë faktikisht ka qenë e dyzuar, pasi paraqitej e njëjtë si te Presidenti, ashtu dhe te ministri i Mbrojtjes.

Kompetencat e Nishanit për shkarkimet

Në relacionin 15 faqesh theksohet se, ndër ndryshimet e sjella vlen të theksohen edhe kompetencat e Presidentit në raport me emërimet, shkarkimet etj., të ushtarakëve me grada madhore (gjeneralët). “Aktualisht, çdo gjë që ka të bëjë me sistemin e karrierës së gjeneralëve është prerogativë e Presidentit, pra që nga gradimi, emërimi, lirimi nga detyra e deri te nxjerrja në rezervë ose lirim. Në këtë mënyrë, karriera e oficerëve me grada madhore në FA ishte “monopol” i Presidentit të Republikës. Në projektligjin e ri është menduar që të bëhet një balancim dhe baraspeshim i menaxhimit të karrierës së oficerëve me grada madhore të FA, duke i ndarë kompetencat mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit. Kuptohet që peshën kryesore sërish do ta ketë Presidenti në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të FA-ve, megjithatë, një sërë kompetencash do t’i kalojnë Kryeministrit”,- thuhet në relacion. Qeveria shpjegon se, menaxhimi i gjeneralëve me kompetencat kryesore në drejtimin e FA-ve, të cilat, për më tepër, janë dhe institucione kushtetuese do të jenë ekskluzivisht kompetencë e Presidentit. Për sa u përket emërimeve dhe lirimeve nga detyra të gjeneralëve të tjerë (të komandave mbështetëse apo përfaqësuesve në institucionet ndërkombëtare), këto do të bëhen nga Kryeministri me propozimin e ministrit të Mbrojtjes. Po ashtu edhe nxjerrja në rezervë ose lirim i të gjithë gjeneralëve të FA-ve do të jetë kompetencë e ndërthurur e Kryeministrit dhe e ministrit të Mbrojtjes.

Këshilli i Sigurimit dhe çështja “Basha”

Një tjetër pikë është dhe ajo e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ku në media pati debat kohët e fundit se pse Nishani kishte ftuar edhe Lulzim Bashën në tavolinë dhe Majlinda Bregun. “Ky këshill do të mbështetë Presidentin e Republikës në ushtrimin e kompetencave të tij. Ai do të vijojë të konceptohet si një organ këshillimor, i cili do të kryesohet nga Presidenti i Republikës dhe do të thirret prej tij sa herë që e gjykon të nevojshme. Në projektligj janë përcaktuar anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit Kombëtar, si dhe është përcaktuar që, në raste të veçanta, Presidenti i Republikës mund të ftojë dhe pjesëmarrës të tjerë. Këshilli i Sigurimit Kombëtar do të diskutojë dhe do të japë mendime për çështje të sigurisë, të mbrojtjes dhe të armë-kontrollit. Ky këshill nuk do të marrë vendime si dhe do të zhvillojë mbledhje të mbyllura”, thuhet në relacion.

Kompetencat e Edi Ramës

Kryeministri, sipas hierarkisë së dhënë në projektligj, është përgjegjës para Kuvendit dhe Presidentit të Republikës për drejtimin dhe gjendjen e Forcave të Armatosura në kohë paqeje. Kompetencat e tij kanë të bëjnë, kryesisht, me propozimin te Presidenti i Republikës për emërimin, gradimin, lirimin nga detyra, nxjerrjen në rezervë apo lirim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve, si dhe me miratimin e strukturës organizative dhe organikës analitike të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve dhe strukturave të varësisë së drejtpërdrejtë të tyre. Në projektligj parashikohet gjithashtu kompetenca e Kryeministrit në emërimet dhe lirimet nga detyra të gjeneralëve të komandave mbështetëse apo përfaqësuesve në institucionet ndërkombëtare, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes. Po ashtu, edhe nxjerrja në rezervë ose lirim i të gjithë gjeneralëve të FA-ve do të jetë kompetencë e ndërthurur e Kryeministrit dhe e ministrit të Mbrojtjes.

Autoritetet e drejtimit

1. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë;

2. Presidenti i Republikës;

3. Këshilli i Ministrave;

4. Kryeministri;

5. Ministri i Mbrojtjes;

6. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;

7. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura;

8. Komandantët e forcave tokësore, detare e ajrore;

9. Komandantët e strukturave mbështetëse;

10. Komandanti i Forcave të Armatosura, në kohë lufte.