“Vetingu” dosjeve financiare të ish-bashkive e komunave, çon në pranga 789 zyrtarë

665
Seleksionimi i tyre, që nuk u bë nga partitë politike, do të bëhet pas vetë-deklarimeve dhe kjo e fundit e detyruar prej SHBA dhe BE, me listë të gatshme individësh që duhen nxjerr nga postet në që ndodhen në krye të bashkive, por edhe të atyre “ishëve” që u duhen hapur “letrat”, me qëllim për t’i larguar nga jeta politike e administrative, ose për t’i ndaluar që të rifuten përsëri. Përveç “Vetingut” në drejtësi, po punohet për të pasur e madje ka nisur edhe një “Veting” tjetër që lidhet me pastrimin e zyrtarëve dhe të zgjedhurve lokalë, që kanë qenë në poste drejtuese në krye të bashkive e komunave dhe që shumica prej tyre vazhdojnë të jenë ende në këto zyra, si të zgjedhur edhe këtë mandat 4 vjeçar, por edhe si të emëruar në funksione të tjera. Ky “Veting”, ka lidhje me një “stuhi” arrestimesh për ish-drejtues e drejtues aktualë, por edhe zyrtarë të ish-bashkie e komunave, të cilët rezultojnë me prova si abuzatorë me fondet publike, nëpërmjet tenderëve dhe shpenzimeve të tjera nga buxheti i shtetit. 

Sipas burimeve të gazetës “Telegraf” nga Prokuroria e Përgjithshme, në listën e parë të arrestimeve, janë futur 57 ish-kryetarë bashkie e komunash, ndërkohë që nga 387 drejtues bashkie e komunash që ishin deri në qershor 2015, janë listuar 98 drejtues të skeduar si të përfshirë në korrupsion e abuzim me detyrën në fondet publike dhe pasuritë lokale, kryesisht në abuzime me ndarje tokash, licenca pyjesh, rezervuarësh, tenderë shkollash, rrugësh lokale etj. Skema për dekriminalizimin e pushtetit dhe politikës ka nisur prej 1 viti, por siç duket, politikës nuk i interesonte që të futej me këtë ligj në zgjedhjet lokale. Sipas listës që ka skeduar prokuroria në bashkëpunim me SHBA dhe BE, janë 21 kryetarë të bashkive të reja, që rezultojnë me “dosje të zeza”. Faktikisht ka emra që janë të lidhur me krimin. Seleksionimi i tyre, që nuk u bë nga partitë politike, do të bëhet në KQZ pas vetë-deklarimeve dhe kjo e fundit e detyruar prej SHBA dhe BE, me listë të gatshme individësh që duhen nxjerr nga postet në krye të bashkive, por edhe të atyre që u duhen hapur letrat, me qëllim për t’i larguar nga jeta politike e administrative, ose për t’i ndaluar që të rifuten. për këtë është hapur një dosje speciale me objekt: “Pasuritë e krye-komunarëve” e cila është skeduar nga zyrat e shërbimit të anti-krimit ekonomik-financiar policor, prej prokurorisë në rrethe e qarqe dhe prej shërbimeve të tjera hetimore, lidhur me pasuritë e drejtuesve të komunave, 55% e të cilave kanë vila e biznese, deri në SHBA. Dosja përmban të dhëna konkrete për pasuritë e ish-kryetarëve të 308 komunave të 20 viteve të fundit, numri i të cilëve ka qenë 1117 drejtues. Lënda kryesore, i përket hetimit të bërë për pasuritë e 732 kryetarëve që kanë drejtuar komunat në 13 vitet e fundit, pra deri në qershor 2015 në komunat e Shqipërisë! 

Hapja e dosjes së pasurive të kryetarëve të komunave, do të nis me pasuritë e 308 ish-kryetarëve e kryetarëve aktualë që janë ende në poste drejtuese në 61 bashkitë e reja. Skedimi i pasurive të secilit është bërë mbi vëzhgimet në terren, mbi evidentimet në zyrat hipotekare e banka, mbi verifikimet tek zyrat avokatore e noteriale për të zbuluar transaksionet, mbi bazën e informacioneve të grumbulluara e servirur prej SHISH dhe prej agjentëve të krimit ekonomik të hedhur për veprim në zona. Raporti hetimor për pasuritë e kryetarëve të komunave, pranon se deri tani janë zbuluar vetëm 40% e pasurive reale që kanë kryetarët e komunave, mbasi ato janë fshehur me mënyrat që tashmë dihen e lejohen edhe ligjërisht! Sipas raportit, rezulton se kryetarët e komunave janë pasuruar duke dhënë licenca e tapi tokash me 3-5 mbivendosje emrash e pronash. Janë pasuruar duke dhënë leje ndërtimi abuzive, duke shitur troje, duke dhënë licenca për dru që zhdukin pyjet, duke dhënë licenca për gurore që kanë zhdukur kodrat, duke zhvatur tokat e banorëve, duke dhënë licenca për rërë e zhavorr që kanë zhdukur lumenj e përrenj, licenca për tregje që kanë qelbur zonat, licenca për depozitim e përpunim plehrash që kanë helmuar dhe kancerizuar qendrat e banimit, licenca për varreza makinash e gjithçka që “prodhonte” miliona për ta e për shefat në krye të shtetit e partive, paçka se krijonte “xhungël” mjedisore e krim ndaj ligjit dhe ndaj jetës së komunitetit! Ky “Veting” ka si mision zbardhjen e figurës së ish-shtetarëve, me qëllim largimin atyre që janë në detyra dhe bllokimin atyre që kanë synim e bëjnë përpjekje për t’u rifutur në administratë, politikë e ligjvënie.
Sigal