Vangjel Tavo: Rivalët e kundërshtarët politikë të Metës, inskenues të përbaltjes dhe shpifjes

29
Deputeti i LSI Vangjel Tavo në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se pas përlyerjes së imazhit të Ilir Metës janë rivalët dhe kundërshtarët politike, tek të cilët është rritur frika e sukseseve të Ilir Metës dhe LSI. Për Spitalin e Traumës, ish ministri i Shëndetësisë Tavo shprehet kategorikisht kundër vendimit të qeverisë dhe i bën thirrje që ta rishikojë. Për marrëdhëniet PS-LSI zoti Tavo shprehet se “Koalicioni PS-LSI është një koalicion racional. Si LSI ne nuk mbështetemi tek emocionet e ngrohta, apo të ftohta. Emocionet janë për amatorët që e shohin politikën si hobi dhe jo për partitë më të mëdha të vendit.”. 
– Zoti Tavo pse pikërisht tani doli publikisht akuza e një avokati të huaj të OSHEE për përfshirjen (gjoja) te Metës në përvetësimin e miliona euro nga mbledhja e borxheve të CEZ? 
– Më lejoni t’a nis përgjigjen e kësaj pyetje me një thënie të Ëinston Churchill, i cili ka thënë: “Nëse ke bërë armiq, shumë mirë. Kjo do të thotë që ke ngritur zërin për dicka të rëndësishme në jetë.” Z. Meta ndiqet nga një histori suksesi, si në drejtimin e LSI, ashtu edhe në përvojën dhe performancën e tij si Kryeministër, Ministër i Jashtëm dhe Kryetar i Kuvendit. Në të gjithë karrierën e tij politike ai ka ngritur zërin e tij në mbrojtje të qytetarëve dhe partia që ai drejton ka dëshmuar nga njëra zgjedhje tek tjetra që mbështetja e qytetarëve shqiptarë po vjen gjithnjë në rritje spektakolare, të paprecedentë në historinë politike të këtij vendi. Nëse Z. Meta nuk do përfaqësonte asgjë, ju siguroj që askush nuk do merrej me të. Por si politikan profesionist dhe i suksesshëm, drejtues i partisë më dinamike në vend, inspiruesi dhe mbështetësi më i madh politik i rinisë shqiptare, pa dyshim që ka kallur frikë tek i gjithë spektri politik shqiptar. Nuk ka asnjë dyshim që kjo histori është vetëm një sulm ndaj imazhit dhe figurës së Z. Meta. Sa më shumë rritet LSI, aq më shumë shtohen sulmet politike. Sa më shumë sajesa ndaj Z. Meta dhe LSI, aq më shumë përkrahje dhe mbështetje kemi nga qytetarët shqiptarë. Ndërkohë që nuk ka asnjë provë kundër Z. Meta, kemi provën e 260,000 votuesve, të cilët besojnë tek integriteti i Z. Meta dhe tek vlerat europiane që ka LSI. 
– Kush qëndron pas kësaj shpifjeje ndaj Ilir Metës?
– Sigurisht që studio ligjore dhe kryeministria e përgënjeshtruan, pasi në këto akuza nuk ka asnjë të vërtetë. Ata e dijnë që pas përbaltjes së imazhit të Z. Meta, fshihet frika që rivalë, apo kundërshtarë politikë kanë ndaj tij. Z. Meta ka vendosur një standart të ri në politikën e vendit. Ai, dhe e gjithë LSI, kanë patur një ndikim të jashtëzakonshëm në stabilitetin politik të vendit. Por, mbi të gjitha, si në opozitë ashtu edhe në mozhorancë kemi ngritur zërin në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë, si për ekonominë ashtu edhe për shëndetësinë, punësimin, etj. Jemi tërësisht të vetëdijshëm që sa më shumë ne e ngrejmë zërin në mbrojtje të qytetarit aq më shumë ai na ka mbështetur dhe do të na vlerësojë në të ardhmen. Ky raport fisnik që ne kemi me shqiptarët shton xhelozinë dhe frikën tek i gjithë spektri politik. 
– Zoti Tavo, përse kryetari i PD Basha ( për të dytën herë) nxiton të kërkojë dorëheqjen e Metës nga kreu i Kuvendit, pa pritur të thotë fjalën drejtësia?
– Opozita është e përhumbur në labirinthet e pasigurisë së drejtimit dhe kaosit të veprimit të saj. Ajo, jo vetëm që e ka humbur sensin e drejtësisë, por ka mbetur peng e një fjale të vetme, siç është dorëheqja. Mungesa e argumentave, e një platforme opozitare, e një qendrimi serioz në opozitë bërje, ka degjeneruar maksimalisht, duke gjetur strehë vetëm tek fjala dorëheqje. Çdo lajm veror, shpifje mediatike, sajesë rrjetesh sociale, etj, shoqërohet me thirrje për dorëheqje. Ne sapo nënshkruam një marrëveshje të re me popullin, në të cilën mozhoranca fitoi bindshëm, ndërsa opozita pësoi humbje të rëndë. Ka zëra brenda opozitës që kërkojnë dorëheqjen e Bashës. Ne nuk e kërkojmë, këtë pasi ai ka kohë që është i dorëhequr, jo vetëm nga drejtimi i PD, por edhe nga standarti më minimal i bërjes opozitë. 
– Cilët luajnë fijet e prapaskenave kundër Metës?
– Në politikë sulmohen vetëm të suksesshmit. Askush nuk merret me humbësit. Suksesi personal politik i Z. Meta, si një politikan i kalibrit të lartë, bashkë me rezultatet gjithnjë e në rritje të LSI, e kanë bërë atë shënjestër të sulmeve të herëpashershme dhe sajesave për të përdhosur imazhin e tij. Por, këto e kanë bërë Z. Meta më të fortë, dhe LSI më të dashur nga shqiptarët. Ne jemi të çliruar nga frika, pasi kemi mbështetjen e qytetarit. Frikën dhe xhelozinë ia lëmë atyre që dëshirojnë të notojnë në to natë e ditë. 
– Pardje nënkryetari i LSI kundërshtoi hapur vendimin e qeverisë që Spitali i Traumës të kalojë nën kompetencën e Ministrisë së Mbrojtjes. Koha e menjëhershme e shpifjes ndaj Metës mos ka lidhje për njëfarë reagimi ndaj kritikave të LSI ndaj politikave qeverisëse? Kujtojmë që LSI ka kritikuar edhe politikën fiskale të qeverisë.
– LSI nuk e ngre zërin e saj në të mirë të qytetarit dhe çështjeve të rëndësishme të vendit, duke përllogaritur kohën, vendin apo rrethanat politike. Ne nuk përdorim zërin e qytetarit për komplote apo sulme politike. Ne e kemi për detyrë dhe misionin tonë ta ngremë zërin sa herë që i shërben interesave të shqiptarëve. 
– Ju vetë si ministri i Shëndetësisë që firmosët ligjin e kalimit të Spitalit të Traumës në kompetencat e Ministrisë së Shëndetësisë, tani si e gjykoni rikthimin e Traumës tek MM?
– Kalimi i Spitalit të Traumës nën varësinë e Ministrisë së Shëndetësisë hyri në fuqi me 1 janar të vitit 2013. Ky kalim u arrit në saj të një progresi të vazhdueshëm të kësaj qendre ndër vite dhe u themeluan standarte tejet profesionale në fushën e traumës. Gjithashtu u mor mendimi i specialistëve më të mirë dhe profesionistëve, duke iu përshtatur kështu sa më mirë boshtit të sistemit tonë spitalor dhe universitar. Qëndrimi im është se rikthimi nën kompetencat e Ministrisë së Brendshme është një kthim mbrapa dhe mungesë profesionalizmi dhe vizioni për shëndetësinë shqiptare dhe që nuk përputhet me politikat e qeverisë për shëndetësinë. Ndiej keqardhje që në vend të ecjes përpara dhe përballjes me sfidat e së ardhmes në shëndetësi bëhen hapa regresive, të cilat cënojnë shërbimin mjekësor ndaj qytetarit. Unë shpresoj që qeveria të reflektojë me maturi dhe jo ta marrë me nxitim këtë çështje. Ajo duhet të marrë mendimin e specializuar, dhe konsultohet më gjerë, pasi me keqardhje e them se vërtet është një hap prapa. 
– Zoti Tavo në Qarkun e Gjirikastrës si janë marrëdhëniet LSI-PS? Në qarkun e Vlorës thuhet që socialistët reagojnë se LSI ka punësuar më shumë njerëzit e saj në raport me socialistët.
– Në qarkun e Gjirokastrës marrëdhëniet LSI-PS janë shumë të mira. Punuan së bashku dhe fituam bindshëm. Në lidhje me punësimet, ju siguroj që zbatimi i ligjit, forcimi i reformave për shërbimin civil, ngritja e një administrate publike profesionale dhe jo partiake, kanë qenë shtysa e vetme në çështjen e punësimit. Misioni i LSI është të sigurojë më shumë shërbim dhe punësim për qytetarët ndaj për ti arritur këto të dyja duhet një administratë e kualifikuar dhe profesionale. 
– Cili është mendimi juaj për marrëdhëniet PS-LSI? Pas zgjedhjeve të 21 qershorit a kanë rënë hije dyshimi për sabotime të mosmbështetjes të PS për kandidaturat e LSI për kryebashkiakë?
– Qëndrimi im është se rikthimi nën kompetencat e Ministrisë së Brendshme është një kthim mbrapa dhe mungesë profesionalizmi dhe vizioni për shëndetësinë shqiptare dhe që nuk përputhet me politikat e qeverisë për shëndetësinë. Ndiej keqardhje që në vend të ecjes përpara dhe përballjes me sfidat e së ardhmes në shëndetësi bëhen hapa regresive. Përpara emocioneve tona njerëzore, të cilat mund të ikin e vijnë, ne kemi përgjegjësinë që na kanë vënë mbi supe shqiptarët. Ndaj, çdo hap që ne bëjmë, bazohet mbi logjikën e mirë dhe racionalitetin që i shërben vendit, duke zbatuar me besnikëri kontratën që kemi me qytearin shqiptar. Ky racionalizëm, përkushtim, dhe energji për ta çuar vendin përpara ka siguruar një mbështetje të gjerë të LSI nga shqiptarët. Përmbushja e këtij misioni na jep shtysë për të ecur sa më shpejtë drejt së ardhmes evropiane. 
-Faleminderit!