Të falësh pushtetin e sovranit

432
Sigal

Shqetësimi qytetar dhe ai aleatëve të Rilindjes ka të bëjë me faktin se çfarë po bëhet me ata, që të gjithë së bashku bënë të grumbullohen 1 milion vota

Një milion shuplakat që socialistët bashkuan rreth “Rilindjes”  në zgjedhjet e 23 Qershorit, bënë që pushteti  8-vjeçar i Berishës t’ja lërë vendin atij të koalicionit të Majtë. Socialistët kishin mëse tetë vjet që kërkonin  rikthimin në pushtet, por që nuk mundën ta konkretizonin marrjen e pushtetit deri në momentin që LSI dhe Ilir Meta vendosën të dalin nga koalicioni me Berishën duke ndryshuar edhe balancat elektorale.  Aleanca për Shqipërinë Europiane u përballën me Aleancën për  Punësim, Mirëqenie e Integrim, e cila e shtoi në fjalën e fundit “integrim” për të thënë se, edhe pa LSI-në, ne përsëri jemi po kaq të plotësuar në identitet. Por shpresa kishte kohë që ishte venitur nga demokratët, për më tepër u shuan, kur në radhët e tyre u futën shumë emra që erdhën si “tradhtarë”  të së Majtës. Por le t’i kthehemi atyre që u shpallën fitues dhe koalicionit që grumbulloi jo pak, por rreth një milion vota. Ne nuk do të analizojmë në këto çaste premtimet, pasi koha është ende e shpejtë dhe se shpresa vdes e fundit. Ndoshta, kjo analizë do të bëhet pas 360 ditëve. Shqetësimi qytetar dhe ai aleatëve të Rilindjes ka të bëjë me faktin se çfarë po bëhet me ata, që të gjithë së bashku bënë të grumbullohen këto 1 milion vota, apo 1 milion shuplaka sikurse e përdor vazhdimisht në mënyrë figurative kreu i Aleancës për Shqipërinë Europiane, z.Edi Rama. Aleatët e koalicionit 1 milionësh kanë mbetur rrugëve dhe sillen vërdallë si dikur, madje një pjesë e mirë vuajnë edhe për bukën e gojës. Dhe ky është një turp i madh për ata që së bashku, në ditë të mira dhe të këqija, në ditë të bardha dhe të zeza sakrifikuan për programin e Rilindjes së Majtë. Aleatët u gënjyen, u mashtruan, u përdorën, u degjeneruan, u turpëruan në sy të mbështetësve të tyre, të cilët nuk janë pak, por plot 100 mijë shuplaka. Fjalët e tyre i ngjajnë pak a shumë premtimit të Enverit, i cili thoshte se pas lufte do hamë të gjithë njëlloj dhe me lugë floriri. Por partizanët dhe populli jo vetëm që nuk e panë floririn, por kush guxoi të ngrejë kokën mori ndëshkimin e diktaturës së proletariatit. Por a meritojnë vërtetë të shpërblehen aleatët besnikë dhe tradicionalë të së Majtës dhe përse një pjesë e aleatëve që morën 5 apo 6 mijë vota, morën mandatin e deputetit dhe 100 votat e koalicionit tradicional të Majtë u përvetësuan në mënyrë tinëzare pa shpërblim?

Sipas tabelës përfundimtare të KQZ-së, ALEANCA PËR SHQIPËRINË EUROPIANE  ka marrë 993 904 vota ose  57,63%  që do të thotë 83 mandate deputetësh. ( + 1 deputetë të vetëofruar gjatë rrugës së pas konstituimit të zgjedhjeve të 23 Qershorit). Socialistët, të cilët mbanin numrin 29 në zgjedhje (PS) mori si parti  713 407  vota, ose 41,36%  e barabartë me 65 deputetë.  Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila mbante numrin 26 (LSI) 180 470 vota, ose 10,46% e konvertuar në 16 deputetë + 1 Spartak Braho në listat e PS + 1 të ofruar nga PR dhe përfundimisht ka 18 deputetë në grupin e saj parlamentar. Të dyja këto parti bëjnë së bashku rreth  893 mijë vota. E bëmë këtë analizë, për treguar faktin tronditës se një largim i mundshëm i aleatëve të Majtë nga koalicioni i Rilindjes, mund t’i çojë socialistët në humbjen e sigurt. Dhe aleatët po diskutojnë krijimin e një grupimi, i cili nëse do të ishte i tillë edhe gjatë zgjedhjeve do të rrezikonte rezultatin e së Majtës dhe këtij grupimi do i jepte rreth 8 deputetë. Situata tek Rilindja rëndohet, edhe më shumë, kur mendon se Rama po ofron në ndarjen e pushtetit të fituar me mund e sakrifica, madje edhe me gjakun e 21 janarit, partinë e Bamir Topit. Ofrimi i “tradhtarëve” të së Djathtës, do e  ndëshkojë PS-në nga elektorati ashtu sikurse ndëshkoi, edhe Berishën kur ofroi 3 deputetë socialistë. E Majta nuk ka nevojë për Topin, pasi ky i fundit nuk ka lidhje me të Majtën dhe se është njeriu që spastroi Presidencën dhe gjykatat nga profesionistët, duke i mbushur me militantë. Aq e vërtetë është kjo, saqë të gjitha raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, por edhe ato europiane dhe BE-së e kanë cilësuar si pikën më të zezë të Bamir Topit në krye të KLD-së. Topi është përgjegjës për shkarkimet e ushtarakëve të lartë dhe gjeneralëve që i hodhi në rrugë dhe “mbyti në det”. Të mos harrojmë se është periudha, kur drejtësia shqiptare konsiderohej si vend, ku mund të blihet sipas shkallëve. Nga ana tjetër, Topi është njeriu që hodhi baltë mbi luftën dhe njeriu që nuk festonte 29 Nëntorin, Ditën e Dëshmorëve të Atdheut. Ka edhe shumë të tjera, por ndoshta në një moment të volitshëm do t’i rikthehemi përsëri. Marrja sikurse flitet e ILDKP-së nga ana e Sali Shehut është një turp, pasi ky është Komisari famëkeq i Tiranës, që rrahu dhe masakroi së bashku me Agim Shehun më 26 maj 1996, socialistët në sheshin “Skënderbej”. E pra, këtë gjë të paktën Rama që e ka vuajtur nuk duhet ta harrojë. Flitet edhe një alternativë tjetër, që është ajo e ish-Kryeprokurores Ina Rama për në postin e Drejtores së SHIK-ut. Kjo pasi, raporti i fundit i Strasburgut kërkonte urgjentisht rikthimin në vendin e punës si gjyqtare. Është e vetmja kandidaturë që mund të jetë deri diku e pakontestueshme nga grupimi i Majtë.

Përfundimisht, e Majta duhet të bashkohet de fakto pasi koha nuk pret dhe se 680677 votat e ALEANCA PËR PUNËSIM MIRËQENIE DHE INTEGRIM  (e Djathta) po t’i shtohen edhe 100 mijë të grupimit të mbetur jashtë pushtetit të Rilindjes e barazojnë rezultatin, duke llogaritur edhe pakënaqësitë e deritanishme.