Kërcënohet banori, nuk pranoi ti jepte lokalin për miting kandidatit socialist

502
Sigal

Mirash Thepi, banor në fshatin Paçram në njësinë administrative Hajmel në Bashkinë e Vaut të Dejës ka akuzuar kandidatin socialist për Bashkinë Fushë-Arrëz, Fran Tuca, se ky i fundit e ka kërcënuar pasi ka refuzuar që të zhvillohet miting elektoral në lokalin e tij.

Thepi ka deklaruar se gjithçka ka nisur pas një kërkese të kandidatit për bashkinë e Vaut të Dejës po i PS, Mark Babani për të bërë një miting elektoral në lokalin e tij në fshatin Paçram, gjë të cilën e ka refuzuar.

Pikërisht në këtë moment ai ka marrë një telefonatë nga Fran Tuca ku është kërcënuar.

Thepi tha për Balkanweb i ka bërë thirrje prokurorisë që të nisë menjëherë hetimin për kërcënimin në adresë të tij.

“Jam banor i fshatit Paçram i bashkisë së Vaut të Dejës. Kam një biznes të vogël, me zor po jetoj pa u marrë dhe me politikë dhe më kërkon kandidati për kryetar i bashkisë së Vaut të Dejës për të bërë një takim elektoral, miting. Unë nuk e pranova dhe sot rreth orës 12, kryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit merr në telefon. ‘Kam një amanet me ta thënë’, thotë. I thashë thuaje. Më tha ‘që nëse e merr bashkinë ai kryetar, atje ku jeton ti, dyert i ke të mbyllura’. Unë tani vë në dispozicion telefonin tim për prokurorinë për kërcënimin që më është bërë. I bëj thirrje prokurorisë që këtë punë të mos e lërë pas dore”, deklaroi Mirash Thepi.