Stefan Çipa:Saranda, pragu i rigjenerimit urban shtysë e re për turizmin

610
Sigal

Stefan Çipa, Kryetari i Bashkisë së Sarandës

Saranda, për nga bukuria e saj natyrore është cilësuar  si perla turistike të Shqipërisë. Kryebashkiaku i  Sarandës, z  Stefan Çipa, në intervistën për “Telegraf”, prezanton zhvillimin e dy vjetëve qeverisjeje dhe ambicien e programit të tij elektoral jashtë preferencave politike, por besnik i sloganit: “Saranda e të gjithëve”. Zoti  Çipa, duke evidentuar arritjet  dhe përgatitjet e sezonit të ri turistik 2013, thotë: “Jemi për Sarandën dhe punojmë për Sarandën”.

– Zoti Cipa, cilat janë  ndryshimet dhe përmirësimet e realizuara nga qeverisja juaj vendore 2- vjeçare?

-Votëbesimi pothuaj plebishitar, për mua është  përgjegjësi dhe angazhim për ta vënë veten në pozicionin e kryeshërbëtorit të të gjithë banorëve të Sarandës dhe të katër fshatrave që janë pjesë e territorit administrativ të Bashkisë së Sarandës, ndaj sot kemi të drejtën morale të ballafaqojmë zotimet dhe arritjet. Ia nisëm nga ndalja e kaosit urban dhe vendosja e kontrollit mbi territorin. Ndërkohë, betonizimin e luftuam edhe me anë të gjelbërimit. Në këto gati dy vjet qeverisje lokale, ne punuam me sloganin “prish beton e mbill lule” dhe i dhamë Sarandës aq lule dhe pemë sa pesë vitet e fundit, të marra së bashku. Në rrugën hyrëse dhe prezantuese për në qytet, mbi portin nga na vijnë turistët, në rrugën Hotel “Butrinti-Kanali i Çukës dhe në rrugë të tjera të brendshme, janë mbjellë rreth dymijë pemë. Lëvizja për Sarandën e gjelbër shkon përtej trotuareve dhe shtrihet në vende ku kishte lokale apo baza-mente kioskash të shkulura, ku tani gjen lule në vend të tyre. Dëgjuam zërin qytetar për plazhet tona publike dhe për herë të parë ia dolëm t’i bëjmë ato realisht të tilla, duke konkurruar Bashkia për shërbimin me shezlonge e çadra, me gjysmën e çmimit të privatit.  Në këto dy vite gjetëm partnerë seriozë dhe ofruam cilësi të re në shërbimin e transportit urban në linjën Sarandë-Ksamil-Butrint. Po kështu, shtuam dy kënde lojërash për fëmijë dhe dy fusha të lojërave me dorë. Investimi më serioz në fushën e turizmit kulturor ishte çelja e Galerisë së re të artit figurativ dhe riorganizimi i rrjetit të muzeve, ku përfshihet muzeu etnografik, të traditës dhe ai arkeologjik në qendër të qytetit.

– Nisma juaj për të organizuar konferenca turistike, çfarë shtyse i dha punës?

– Tashmë, duke u bërë traditë e punës tonë, konferencat turistike që i organizojmë të përçdovitshme, janë kontribute me vlerë në pasurimin e ofertës sonë turistike dhe në jetën e qytetarëve tanë dhe e pasurojmë edhe me një festë karakteristike, si Festa e Midhjes.

Si ia keni dalë të suportoni investimet e kryera me burimet e brendshme lokale?

– Bashkia e Sarandës ka siguruar performancën më të mirë edhe në pikëpamje financiare. Këtë e kemi arritur, jo duke rritur taksat, madje në disa tregues siç është ai për shtretërit e hoteleve, i kemi ulur. Arkën e Bashkisë e kemi bërë më potente duke mos lënë asnjë biznes apo aktivitet jashtë skemës së taksimit, duke zgjeruar dukshëm bazën e këtij sistemi. Ndërkohë, janë ulur në minimumin e mundshëm shpenzimet operative. Po kështu, edhe për 4 fshatrat, i kemi pjesë të realizimeve tona investuese. Kemi patur edhe jo pak donatorë e partner në përpjekjen tonë për ta performuar sa më cilësisht Sarandën.

– Sa ka qenë mbështetja e qeverisë për Bashkinë e Sarandës?

– Politika e saj thjesht ka qenë anti-Sarandë. Është për të ardhur keq që turizmi i Sarandës mbeti i kryqëzuar në trekëndëshin tradicional rrugë-drita ujë. Manastiri i 40 Shenjtorëve nuk është ende i vizitueshëm, për shkak të rrugës të pakalueshme nga automjetet e ulëta dhe kjo ka qenë arsyeja që as verën e kaluar dhe as këtë verë ky monument nuk përfshihet në guidat turistike të ofruara. Rruga hyrëse për në Sarandë, është një investim i qeverisë, i mbetur në mes, pa ndriçim, pa gjelbërim, pa vijëzim. Na u desh ne, që me të ardhurat lokale, të bënim çfarë ishte e mundur për ta përmirësuar, por jo gjithçka. Infrastruktura rrugore nuk është aspak turistike as në akse kryesorë, pasi e papërfunduar ka mbetur edhe lidhja e autostradës Qafëbotë-Krane me Sarandën. Rruga Delvinë-Kardhiq, nuk ka asnjë shpresë se do të përfundojë ndonjëherë, pasi puna është braktisur fare. Handikapi më i madh është mungesa e aksesit tonë si bashki në ndërmarrjen e ujësjellësit, megjithëse jemi aksioneri me rreth 63% të aksioneve në këtë shoqëri. Bashkia është përgjegjëse përpara qytetarëve dhe pushuesve, ndërkohë që nuk e ka ujësjellësin në varësi të vet dhe kjo çoi në kufijtë e krizës së ujit verën e kaluar. Si rrallë ndonjë verë tjetër viteve të fundit, vera 2012 ishte problematike edhe për furnizimin me energji elektrike. Këtyre do t’u shtoja edhe faktin që Saranda ende është pa impiantin e pastrimit nga ujërat e ndotura, megjithëse investimi ka përfunduar. Po kështu, është zvarritur përtej çdo afati ndërtimi i portit të kruazierave, që duhej të dorëzohej tetorin e vitit të kaluar. E po kështu, Saranda dhe gjithë rajoni nuk e ka ende landfillin e Bajkajt.

Ju keni paraqitur aplikimin dhe inicimin e turizmit të konferencave si një nga gjetjet tuaja për të zgjeruar kufijtë e sezonit turistik. Ku i pate impaktet e saj dhe a nuk është koha për të bërë të njëjtën gjë edhe këtë prag sezoni të ri?

– Një nga sfidat më të mëdha tonat, ishte prishja e kufijve të ngushtë të sezonit, që nuk kalonte nga 1 deri një muaj e gjysmë. Kjo ishte dhe mbetet më e vështira e prandaj këtu u drejtua vëmendja jonë me përparësi. Kështu erdhi natyrshëm që ne iniciuam për herë të parë si Bashki marsin e kaluar Konferencën me përmasa kombëtare “Të gjithë për Sarandën e të gjithëve”. Kështu dhamë shembullin e turizmit të konferencave, duke i bërë pasuritë shumëplanëshe të Sarandës objekt të një diskutimi në nivel konference kombëtare për t’i menaxhuar ato sa më mirë në funksion të turizmit cilësor e të qëndrueshëm. Një veprimtari të tillë,  do të organizojmë edhe  në 12 prilli, në pragun e verës 2013.  

Çfarë keni vënë në fokus të Konferencës së Dytë të 12 prillit?

– Temë e Konferencës së Dytë do të jetë: “Saranda, rigjenerimi urban është katalizator për turizmin”, ndërkohë që slogani i saj mbetet i pandryshuar: “Të gjithë për Sarandën e të gjithëve”. Në trajtim të kësaj teme kemi ftuar të jenë të pranishëm autoritete nga më lartat shtetërore, nga institucione qendrore dhe të specializuara, nga trupi diplomatik, ekspertë të fushës dhe homologë nga bashkitë e binjakëzuar brenda e jashtë vendit. Në stadin ku gjendemi me situatën urbane të Sarandës, rigjenerimi urban është identifikuar parësor, për ta vënë atë edhe në shërbim të turizmit. Saranda ka nevojë të kurohet dhe kurimi i saj mendoj se nis nga receta e një plani rregullues, i mirëmenduar dhe që të respektojë e evidentojë në kompleks vlerat: historike-arkeologjike-natyrore-turistike, që i ka të shumta dhe të pleksura me njëra-tjetrën.

– Ju keni meritën që e bëtë Sarandën edhe me një festë karakteristike, Festën e Midhjes. Çfarë do të ketë ndryshe edicioni i dytë i kësaj feste tipike për qytetin tuaj?

Festa më e re dhe më e veçantë që iu shtua Sarandës fund-prillin e vitit të kaluar, është ajo e Midhjes. Këtë vit, kjo festë do të jetë në edicionin e saj të dytë dhe kjo e ka vënë Bashkinë e Sarandës para detyrimit për ta organizuar atë në një cilësi të re. Ajo programohet të organizohet në 10-11 maj. Risia e parë e edicionit të dytë, është se Festa e Midhjes 2013 do të dyfishohet në kohështrirje, duke ofruar një 48 orësh, gjatë të cilave e tërë koha do të jetë e mbushur me veprimtari gjithëpërfshirëse për të gjitha moshat e kategoritë. Prania e lokaleveVIP nga disa qytete shqiptare më në zë në “Festën e Midhjes 2013”, ka për të qenë nga cilësitë më të dallueshme të edicionit të dytë të eventit më karakteristik të Sarandës. Po kështu, është vendosur komunikimi me autoritetet lokale dhe shoqatat e tregtarëve nga qytete kufitare greke, si Korfuzi, Janina, Igumenica etj.. Pjesë e festës 2013 do të jenë edhe spektaklet muzikore, ku do të ftohen të performojnë emra të njohur të muzikës shqiptare, artistë amatorë vendas etj.. Vëmendje e veçante do t’u kushtohet fëmijëve dhe familjarizimit të tyre me këtë festë karakteristike të Sarandës, qytetit ku jetojnë. Për ta do të rezervohet një hapësirë e veçantë, në të cilën do të vendoset një kënd lojërash, ku nuk do të mungoje simbolika e festës, midhja. Edhe të rinjtë do të kenë hapësirën e tyre të festës. Slogani i Festës së Midhjes 2013 do të jetë sërish “Midhja, mbretëresha e Sarandës”.

– Si po e përgatisni qytetin për sezonin “Verë 2013” dhe cilat janë pritshmëritë nga turizmi i sivjetmë?

Punën për këtë vit e nisëm më herët se një vit më parë. Me sloganin “Suksesi i verës 2013, fillon tani”, bëmë në muajin janar analizën e punës së vitit të kaluar.  Sarandën po e përgatisim për një sezon të ri të suksesshëm.  Ka rëndësi parësore të  kapim kohën, duke përsosur ofertën tonë turistike, duke ndërgjegjësuar çdo qytetar për përgjegjësitë që vijnë nga qenia banor i një qyteti që jeton me turizmin, duke qenë më kërkues për plotësimin e detyrave tona si qeverisje vendore. Duam të  krijojmë një mjedis më të përgatitur dhe më të përgjegjshëm social, për të plotësuar detyrimet që duhet të njohë secili, nga pushtetari tek qytetari. Ne kërkojmë që të bëjmë të interesuar çdo biznes, çdo sipërmarrës dhe çdo banor për të qenë njohës, zbatues dhe respektues i një grupi rregullash, përtej jetës në komunitet, që do ta bënin Sarandën një qytet, që vërtet ofron kushte dhe mundësi cilësisht të reja për të pushuar. Këto punë po i bëjmë në një klimë miqësore me biznesin turistik e atë të shërbimeve.

Çfarë do të veçonit nga kalendari i veprimtarive të programuara për ta shoqëruar sezonin veror?

– Bashkia Sarandë mbështet sipërmarrje të fuqishme në fushën e spektakleve dhe koncerteve, produkt i forcave më cilësore krijuese të Sarandës. Nga kalendari ynë i veprimtarive të programuara do të veçoja ato në çelje të sezonit, që sivjet përkon me Festën e Midhjes. Po kështu, do të çelet një ekspozitë vetjake e skulptorit Odise Papa në Galerinë e Artit “Saranda”, për të vazhduar me Festivalin e Këngës dhe Valles për Çamërinë, me koncert vokal-instrumental, spektakël me aerobi dhe muzikë, si dhe me një cikël veprimtarish e garash sportive në not, “Steka e Artë” në bilardo, minifutboll, streetboll etj..

 Cila është politika   mbështetëse e Bashkisë  për ata që kthehen nga emigracioni?

 Ajo që ne si qeverisje vendore u kemi ofruar bashkëqytetarëve tanë që kthehen nga emigracioni, është klima e shëndetshme dhe lehtësuese për mbarëvajtjen e bizneseve të tyre, që kryesisht janë bare, markete, furra buke e punishte ëmbëlsirash apo shërbime të tjera. Ata janë bërë përfitues nga politikat tona për stimulimin e bizneseve të reja, sipas premtimit për të ulur taksimin në 6 muajt e parë nga 30 në 50 %. Situata e re, e krijuar nga rritja e dukshme e numrit të nxënësve edhe me qindra të tjerë të kthyer nga emigracioni, ka bërë që ne si pushtet vendor të rrisim përpjekjet, që në rrjetin e shkollave të arsimit të detyrueshëm të shtojmë sa të jetë e mundur më parë edhe një shkollë të re në qytet. Për këtë ne si Bashki kemi ofruar truallin e ndërtimit të kësaj shkolle dhe po ushtrojmë gjithë presionin mbi strukturat e qeverisë për t’ia dhënë sa më parë këtë shkollë të re Sarandës.

 – Cilat janë investimet më frytdhënëse në Bashkinë e Sarandës, gjatë 2 -vjeçarit të qeverisjes tuaj?

– Investim me vlerë për performancën e qytetit ishte ai për urbanizimin e sheshit kryesor, duke e kthyer nga një parking kaotik pa pagesë, në një vend çlodhjeje dhe kreativiteti për të gjitha moshat. U kujdesëm po kaq për rritjen e sigurisë së jetës së nxënësve tanë, pasi përpara institucioneve shkollore dhe jo vetëm, instaluam kangjella që ndajnë këto mjedise nga rruga automobilistike dhe rreziqet e saj. Një investim i konsiderueshëm dhe i dobishëm për shkollarët ishte ngritja e konviktit të shkollës së mesme të Hoteleri-Turizmit, ndërsa stadiumi i futbollit u pajis me tribunën e vet, të pajisur me ndenjëse plastike. Janë vlerësuar prioritare investimet në infrastrukturën publike, ku janë destinuar ndër vite rreth 75-76 % e fondeve vendore. Të ndjeshme e me impakte të drejtpërdrejta në komunitet kanë qenë investimet  për rehabilitimin e përmirësimin e infrastrukturës rrugore, sistemimin e asfaltimin e hapësirave publike deri në thellësi të blloqeve e mikrozonave urbane të banimit, për përmirësimin e ndriçimit, gjelbërimit, të furnizimit me ujë, të kanalizimeve etj. Të gjitha ndërhyrjet tona kanë bërë që Saranda të ketë sot një infrastrukturë turi-stike të përmirësuar e më funksionale. Është përmirësuar shërbimi dhe funksionojnë tri zyra të informacionit turistik, disa agjenci të mirëfillta turistike dhe gjithë infrastruktura e nevojshme për një menaxhim më të mirë të aseteve tona natyrore, historike, monumentale e arkeologjike. Do të shtoja se, në këto dy vite e sidomos vitin e kaluar Saranda ka qenë më e pranishme dhe më e publikuar se asnjëherë më parë në mediat rajonale e më gjerë, duke zgjuar edhe interesin e kanalit më të ndjekur televiziv, “Al Jazerra”, vëmendjen e mediave dhe biznesit serb, atij gjerman etj..