Besnik Baraj:“Rilindja e Shqipërisë do të ndodhë ditën që do të largohet Sali Berisha”

454
Sigal

Klimë të re politike ka krijuar bashkëpunimi parazgjedhor PS-LSI, ku, fillimisht, mbizotëroi reagimi negativ nga vetë  elektorati socialist. Deputeti i PS-së, Besnik Baraj, si një nga personalitetet më me reputacion te socialistët, duke mbartur edhe përvojën e vet si (ish)kryetari i PS-së për Tiranën, në intervistën për “Telegraf” shpjegon domosdoshmërinë e këtij bashkëpunimi të PS-LSI, si parti me përafërsi ideologjike. Zoti Baraj, thotë se për progresin e Shqipërisë, më rëndësi ka kostoja e qeverisjes Berisha, ndaj çdo kostoje bashkëpunimi politik, për të  minimizuar koston e progresit, është më e ulët. Ia vlen të sakrifikosh diçka nga vetvetja, për të mirën e përbashkët të  Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

– Zoti Baraj, reagimet e para të njerëzve, pas ftesës zyrtare të PS-së për bashkëpunim paraelektoral, ishin në përgjithësi negative. Si do të menaxhohet kjo ngjarje në elektoratin socialist?

– Jam i bindur se për të ardhur në këtë përfundim edhe vete Rama s’e ka patur të lehtë. Të gjithëve na ndodh që kur shprehemi të kemi si burim, ose emocionin ose ftohtësinë e të menduarit. Po qe se dominon e para, të gjithë, papërjashtim do e refuzonim këtë aleancë. Nëse do gjykojmë me kujdes ftohtë realitetin politik shqiptar, do të lindë natyrshëm ftesa për ta zgjeruar sa më shumë këtë koalicion. Personalisht, para rreth 2 vjetësh, jam shprehur se do të justifikoja çdo lloj aleance, nëse kostoja e saj është më e ulët se kostoja e qëndrimit të Saliut në pushtet. Ne sot mund të flasim për koston e Saliut në pushtet, sepse kemi produktin e tij në 14 vjet qeverisje (nga 22 vjet tranzicion), që shkurtimisht do i përmblidhja: Ngritja e sistemit të firmave piramidale, paaftësia për të ruajtur rendin dhe nxitja e anarkisë më pas në 1997, grusht shteti në 98, opozitë obstruktive (sipas raportit të Komisionit Europian 2004), shkatërrim i administratës publike. Pason  Gërdeci, 21 Janari, korrupsioni galopant, shitja e hapësirave detare Greqisë, manipulim konstant zgjedhjesh dhe deformim i demokracisë.

– Edhe familjarët e 4 të vrarëve reaguan tepër ashpër. Pyetja është: Kujt do t’i faturohet përgjegjësia e 4 të vrarëve?

– Asnjë ndryshim apo lëvizje nuk ka në lidhje me 21 Janarin. Drejtësia do të bëjë dhe duhet të bëjë atë që i takon, kur të vendoset demokracia reale pas 23 Qershorit. Drejtësia nuk do të varet nga Edi Rama, sikurse është e varur sot nga Sali Berisha. Ajo do jetë e pavarur.

 – A ka premtim për Rilindje Kombëtare nga PS-ja, nëse aleaton meLSI-në?

– Rilindja e Shqipërisë do ndodhë ditën që do të largohet Sali Berisha.

– Aleanca PS-LSI, amniston oponencën e PS-së për korrupsionin, politikën e  skandaleve të privatizimeve?

Absolutisht jo, pasi në thelb Rilindja ka të bëjë me funksionimin e demokracisë, d.m.th të institucioneve të pavarura, pra dhe prokurorisë dhe gjykatave. Ato e kanë të qartë më pas rolin e tyre. Korrupsioni, lufta ndaj saj do jetë pjesë e axhendës së këtyre institucioneve. Korrupsioni luftohet jo me fjalë, por kur zbatohet ligji dhe vepron drejtësia, konform kuadrit ligjor dhe kuadrit penal që nuk mungon në Shqipëri normalisht, por që pengohet nga S. Berisha për t’u zbatuar.

– PS-ja, a i ka dhënë fund betejës për një koalicion të gjerë opozitar për mundjen e Sali Berishës.

– Sikurse keni vënë re zgjerimi i koalicionit po vazhdon dita-ditës.

– Për profanizëm të kujt, socialistët u desh të rrinin në opozitë, kur kjo “martesë” mund të kishte funksionuar qysh më 2007-n?

– Mendoj aleanca mund të ishte bërë që në 2009-n.

– Përse nuk u bë?

– Duhen njohur detajet e zhvillimeve të kohës, rolin jo vetëm të Ramës, por shumë aktorëve politikë brenda PS-së e jashtë saj, për të mundësuar një gjykim objektiv. Asnjëherë nuk është vonë një zhvillim për të luftuar një të keqe.

 

– Ky rotacion qeverisës, me një bashkëqeverisje me një pjesë të kësaj maxhorance a do t’i vlejë shoqërisë dhe integrimit të vendit?

– Programi i PS-së është ai që kemi ekspozuar deri më sot. Ne do i përmbahemi atij programi dhe kam bindjen që, pasi të fitojmë mandatin e parë, do ketë një progres në të gjithë shoqërinë shqiptare, përfshirë dhe integrimin.

– Mund të bëhet fjalë për një dështim të opozitës, me këtë ftesë?

A dështoi aleanca e Rusveltit, Çurçillit me Stalin, për të luftuar Hitlerin? A nuk ishin të ndryshëm tre të parët! Mund të duket i ekzagjeruar ky paralelizëm, por është shembulli kur ndodh një bashkim, përtej moralit që predikonin, përtej konceptit për pronën, për demokracinë, për të drejtat e njeriut. Ajo aleancë e shpëtoi njerëzimin. Zgjerimi ynë  progresist do e shpëtojë vendin nga katastrofa që ndjen çdo shqiptar sot në fushën e arsimit, shëndetësisë, pasigurisë, papunësisë të shkatërrimit të mjedisit. Do nisë një etapë krejt e re, do futemi në shtratin e zhvillimeve normale të vendeve europiane.

Kostoja  më e madhe është pushteti i Berishës

Natyrshëm lind pyetja, po cila është kostoja e aleancës me LSI?

– Sot e kam të vështirë të bëj një analizë të saktë, por për shumicën e gjërave, që përmenda më sipër, LSI-ja i ka denoncuar, përfshirë Gërdecin (vetë Meta e ka quajtur Sali Gërdeci), firmat piramidale, manipulimin që ka nisur në ‘96-n etj.. Pra, një analizë e saktë nuk do e baraspeshonte koston e dëmeve të Saliut me koston e kësaj aleance. Të mos harrojmë lëvizjet taktike për të shmangur një rrezik të madh. Janë të njohura në politikën rajonale dhe më gjerë lëvizje të tilla, që kanë luajtur rol progresiv për zhvillimin e shoqërisë apo daljen nga një krizë.