“Statusin e humbën shqiptarët dhe Shqipëria dhe jo politika privilegjet”

565
Sigal

INTERVISTA/Flet deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa: “Integrimi është një objektiv deklarativ dhe jo real”

Ndërsa PD-PS shkëmbejnë akuzat e fajësisë për humbjen e statusit kandidat, për herë të tretë, BE-ja na kujton se mosvotimi i reformave është shkaku, shqiptarët mbeten të zhgënjyer, sepse u humbën shpresat. Deputeti i FRD-së, Gazmend Oketa, në intervistën për “Telegraf”, pohon se statusin e humbën vetëm shqiptarët e Shqipëria, ndërsa politikanët nuk kanë humbur privilegjet. Nga ana tjetër, sipas  zotit  Oketa, FRD-ja është për rotacion politik, por jo që të ikë maxhoranca e Berishës dhe të vijë opozita e Ramës, pasi ato janë të barabartë fajtore. Zoti  Oketa është i sigurt se FRD-ja është alternativa e re për qytetarët, në zgjedhjet e 2013-s. 

– Zoti Oketa, në akuzat e ndërsjella ndërmjet PD-PS,  për mosmarrjen e statusit kandidat, a nxirret përgjegjësia?

Fatkeqësisht, vazhdon e njëjta traditë që sa herë Shqipërisë i mohohet statusi kandidat, apo edhe ndonjë objektiv, partitë politike i drejtojnë gishtin njëra-tjetrës, pa i dhënë mundësinë aspak vetvetes për të reflektuar, për të analizuar me objektivitet shkaqet e këtij dështimi. Në një demokraci të emancipuar janë të sanksionuara rolet e maxhorancës dhe të opozitës. Demokracia jonë vazhdon të jetë një pseudodemokraci, ne akoma  nuk kemi arritur të ndërtojmë një shtet të konsoliduar demokratik. Përgjegjësia më e madhe, natyrisht bie mbi maxhorancën, bie mbi Kryeministrin shqiptar, pa mohuar edhe përgjegjësinë që ka edhe opozita në mosarritjen e objektivit të statusit kandidat në BE. Maxhoranca ka përgjegjësinë më të madhe, se ajo ka marrë përsipër që të drejtojë vendin, ajo ka bërë të ashtuquajturën koalicion të integrimit, me qëllimin e vetëm hapjen e strukturave të Shqipërisë drejt integrimit europian. Derisa dështon për herë të tretë marrja e statusit, do të thotë që për herë të tretë ka dështuar edhe boshti i këtij koalicioni qeverisës në objektivin e tij kryesor. Integrimi është një objektiv deklarativ sesa real, nga kjo maxhorancë.

Politikisht,  ka të humbur dhe të fituar, pas këtij dështimi të mosintegrimit?

Partitë politike, përsa i takon mënyrës sesi reagojnë pas mosmarrjes edhe për herë të tretë të statusit, nuk besoj se ndihen  të përgjegjshme dhe nëse kanë humbur apo fituar diçka. Është  e vërtetë që ka humbur diçka, por atë e kanë humbur shqiptarët dhe Shqipëria. Shqiptarët humbën një mundësi për të qenë më pranë strukturave të BE, një mundësi për të fituar nga të gjitha ato projekte që BE-ja do të financonte në Shqipëri në rast se do të merrej statusi i vendit kandidat. Fatkeqësisht faktorët politikë vazhdojnë ta përdorin kartën e integrimit si një çështje për përfitime personale, si një çështje përfitime partiake, apo forcimit të pozitave dhe pushteteve të tyre. Shqiptarët sot ndihen të penalizuar për shkak të retorikës boshe që politika shqiptare bën për integrimin.

Sjellja politike e PD-PS a nuk të lë përshtypjen që atyre u intereson më shumë si të mbajnë/marrin pushtetin, sesa politikën ta vënë në funksion të integrimit?

Është i saktë konstatimi juaj, sepse në rast se, nëse interesat e integrimit të Shqipërisë do të dominonin mbi interesat partiake/personale, atëherë Shqipëria do të kish marrë statusin kandidat shumë vite më parë dhe sot, pas 21 viteve të demokracisë, mund të ishim edhe anëtarë me të drejta të barabarta të BE-së.

– Kryeministri Berisha, duke dashur t’u përgjigjet kritikave të OSBE-së dhe BE-së për perceptim të ulët të shtetit të së drejtës dhe pamjaftueshmërisë të reformave në Gjyqësor, bëri fajtor vetëm ish-Presidentin Topi dhe ish -nënkryetarin e KLD-së, Spahiun, madje sa bëri të ditur edhe tarifat korruptive. Ju si i përgjigjeni?

Asnjëherë Kryeministri Berisha nuk vë gishtin e fajit mbi veten e tij. Është e pabesueshme kjo teori e tij, që gjithçka që ka shkuar keq deri tani, fajësohen ish-Presidenti Topi dhe ish-Nënkryetari i KLD-së, Spahiu. Mos të harrojmë që KLD-ja është institucion kolegjial, ku çdo anëtar ka një votë. Por, të mos harrojmë, që për periudhën që i referohet Kryeministri për KLD-në, Presidenti Nishani ka qenë  anëtari i KLD-së, si dhe anëtarë të tjerë, që kanë patur të gjitha hapësirat për të korrigjuar këto probleme që përmend tani Kryeministri. Mos harrojmë që pak kohë më parë Kuvendi miratoi ligjin për Konferencën e Gjyqësorit, një ligj i mbajtur peng, pikërisht për shkak të prishjes të raporteve institucionale midis Kuvendit, Ekzekutivit dhe Presidencës. Po t’i besojmë këto argumente të Berishës, Kryeministri duhet të shpjegojë përse mbështeti kandidaturën për President, të ish- ministrit të Drejtësisë, zotit Nishani?

– Nacionalizmi, kështu siç është shprehur politika e Kryeministrit, a është momenti i përshtatshëm, në dobi të bashkimit të Kombit dhe integrimit të Shqipërisë?

Së pari do të doja të dallonim qartë patriotizmin nga nacionalizmi. Shprehi të tilla, retorika boshe patriotike, apo nacionaliste gjykoj se shtrohen me mënyrën jo të duhur, gjykoj se nuk i shërbejnë aspak çështjes kombëtare, përkundrazi, e dëmtojnë atë. Është për të ardhur keq kur politikës shqiptare i shterojnë idetë e reja, alternativat e reja dhe e gjejnë strehën dhe shpresën për të mbledhur ca vota më shumë, pikërisht te çështja kombëtare, e cila nuk mund të shtrohet në mënyrë të tillë dhe me deklarata të improvizuara, në ekrane televizive, apo qoftë edhe në ballkone historike.

– FRD-ja është shumë kritike ndaj qeverisjes Berisha, por nga ana tjetër është po kaq kritike edhe ndaj PS-së. Derisa bëni fjalë për rotacion politik, si mendoni se do të mund të realizohet, duke kritikuar edhe opozitën?

– Sigurisht FRD-ja është kritike e qeverisë, pasi është një forcë opozitare, për shkak të keqqeverisjes së vendit, për shkak të prishjes të balancave institucionale, për shkak të korrupsionit galopant. Nga ana tjetër, ju me të drejtë konstatoni kritikën e FRD-së ndaj PS-së. Dhe kjo është një kritikë e drejtë, pasi është Kryetari i PS-së, i cili, duke vënë interesat e tij personale, i ka mundësuar qeverisjes aktuale një uzurpim të të gjitha pushteteve, pikërisht me marrëveshjen e arritur në prill 2008 në ndryshimet kushtetuese, të cilat u pasuan edhe me një Kod Zgjedhor, i cili bën që në Shqipëri të ketë vetëm një fitimtar dhe gjithë të tjerët të jenë humbës. Demokracia nuk funksionon me parimin që fituesi i merr të gjitha, por sistemi demokratik i balancuar i jep mundësi të gjitha forcave politike të japin kontributin e tyre, në radhë të parë, për forcimin e institucioneve. Mos të harrojmë që PS-ja ka fituar qeverisjen lokale në më të shumtën e vendit dhe, ndërkohë, nuk ka afruar një qeverisje më të mirë nga ajo qendrore. Është një model i ngjashëm, me të njëjtat problematika dhe për këtë arsye ne jemi në oponencë me këto modele.

– Atëherë, rotacionin politik nga kush duhet ta kërkojmë?

– Kemi thënë që rotacioni politik është i domosdoshëm dhe pikërisht për këtë arsye ne, qytetarëve shqiptarë, do t’i afrojmë një alternativë të re dhe besojmë fort, që, ashtu siç ka ndodhur në shumë vende të tjera, qytetarët kanë mbështetur alternativa të reja, i kamë thënë “Mjaft” politikës dhe politikanëve të vjetër, që kanë mbështetur suksesin e tyre mbi sherrnaja dhe ndasi të qytetarëve.

Ju si FRD jeni shumë afër shtresave sociale, sikurse ish të përndjekurit, ish-pronarët, invalidët, etj.. Përse politika i ka braktisur këto shtresa?

Fatkeqësisht, politika ka braktisur, jo vetëm këto shtresa, por ka braktisur të gjitha interesat e  qytetarëve shqiptarë, në funksion të interesit të disa individëve, në funksion të forcimit të pushtetit të këtyre individëve, fatkeqësisht, të instalimit të partisë-shtet në Shqipëri. Sa herë afrohen votimet, bëhen përpjekje për të rifituar votën e këtyre shtresave të braktisura, për t’i ribraktisur, sa të rimarrin sërish pushtetin. Besoj se këto 22 vite tranzicioni kanë shërbyer edhe si eksperiencë edhe për votuesit, që zgjedhjet e 2013-s të shërbejnë si pikëkthese edhe për politikën shqiptare. Votuesit kanë arritur atë pjekuri demokratike të dallojnë propagandën boshe, demagogjike dhe të zgjedhin alternativat e integritetit, përparimit.

Derisa zgjedhjet e 2013-s janë kushti i BE-së, nëse do të zhvillohen të lira e të ndershme, edhe pse kemi 21 vjet demokraci, a nuk do të thotë që kjo soj demokracie që pretendojmë se kemi, është në formë e lë shumë për të dëshiruar në përmbajtje?

Me sa duket, ne jemi në një pseudodemokraci. Është e pajustifikueshme, që edhe pas 21 vitesh, Shqipërisë vazhdon dhe  i vendoset kushti i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, thua se jemi duke  rrëzuar regjimin diktatorial. Kur e gjithë kjo periudhë kohore duhet të kishte shërbyer për forcimin e institucionit të votës së lirë. Sigurisht, që t’ja përmendësh një fakt të tillë, një politikani sikurse zotit Berisha që ka 22 vjet në udhëheqje, shënon një rekord negativ, që ti kërkohet atij të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e 2013- të jenë të lira e të ndershme, jo për interesat e partive, por për interesat e qytetarëve, që institucionet që do të dalin nga të tilla zgjedhje, do të kenë legjitimitet të plotë, mbështetjen e qytetarëve shqiptarë dhe do të shënonin një hap të rëndësishëm në konsolidimin e shtetit shqiptar, në arritjen e integrimit në BE.

– Faleminderit!