“Duhen bërë transparente shifrat e lëvizjes së popullsisë”

457
Sigal

INTERVISTA/Kryetari i OSBE-së në Shqipëri  Eugjen Wollfarth në tv “ALBANIAN SCREEN”

Z. Ambasador, Presidenti i Republikës dekretoi 23 Qershorin 2013 si datën e zgjedhjeve. Mendoni se ka ende kohë për zgjedhje që i përmbushin të gjitha standardet?

Ambasadori Wollfarth: Po, koha është e mjaftueshme, por çdo ditë duhet përdorur në mënyrë të mirë dhe efikase. KQZ-ja e re është plotësisht i pajisur për ta bërë këtë; Prezenca e OSBE-së dhe partnerë të tjerë po e mbështesin këtë punë dhe unë kam shumë besim se përgatitjet mund të jenë të tilla që të ndihmojnë për zgjedhje të mira në 2013-n.

Vendimmarrja e parë kryesore e KQZ-së, rishpërndarja e mandateve, nuk mundi të votohej në KQZ. Palët thanë se do t’i drejtohen Kolegjit Zgjedhor, por ende ky proces nuk ka ndodhur. Mendoni se ky është një sinjal jo i mirë për tërë ecurinë e zgjedhjeve të ardhshme?

Ambasadori Wollfarth: Është detyrë shumë e rëndësishme që të shihet se si shpërndahen mandatet dhe KQZ-ja  ka bërë mbledhje për këtë. Çdo lloj vendimi përfundimtar, megjithatë, me sa jemi të informuar, duhet të konfirmohet gjithsesi nga parlamenti. Prandaj, në këtë kuadër, mbetet për t’u parë gjetja e një zgjidhjeje dhe kjo gjë lidhet edhe me kontrollimin e shifrave, migrimin brenda vendit. Unë kam besim se mund të gjendet një zgjidhje e drejtë..

PS-ja ka ngritur akuza pikërisht për këtë rishpërndarje të popullsisë, çka solli edhe nevojën në KQZ për të ndryshuar shpërndarjen e mandateve. Shihni diçka të bazuar në këto akuza?

Ambasadori Wollfarth: Përgjigjja gjendet te shifrat. Parja e shifrave dhe vënia e tyre në dispozicion të të gjitha partive të interesuara mund të ndihmojë në gjetjen e përgjigjes së qartë, të drejtë e të saktë. Unë nuk jam në gjendje të them nga karrigia ku jam ulur se çfarë është e saktë dhe çfarë jo, por mund të tregoj se çfarë përparimi duhet bërë për të krijuar qartësi dhe ky është shikimi i shifrave, kontrolli i besueshmërisë së tyre dhe bërja e tyre transparente. Shoh synime të mira për ta bërë këtë. Rruga e drejtë dhe e mirë është verifikimi.

Në fakt, a i shihni ju këto akuza të Partisë Socialiste apo të të dyja partive si një prelud të kontestimit të zgjedhjeve?

Ambasadori Wollfarth: Kjo është koha e përgatitjes për zgjedhjet dhe gjithçka duhet bërë në bazë të rregullave dhe legjislacionit, duke filluar nga Kodi i ri, apo Kodi i ripërtërirë Zgjedhor. Kështu që nuk do të shkoja aq larg sa të shihja përtej kohës së zgjedhjeve. Tani është koha për t’u përgatitur për zgjedhje të mira, për të pasur numrin korrekt të mandateve për zonat zgjedhore dhe për të gjitha përgatitjet e tjera, duke përfshirë edhe përbërësin elektronik që do të prezantohet në Tiranë dhe Fier. Pra, ka shumë për të bërë. Pastaj do të jetë dita e zgjedhjeve, pastaj numërimi e, më vonë, do të shohim. Kështu që unë do të thosha se është tepër herët për të parë atë pjesë. Dhe nëse koha për të sqaruar mandatet, pra numrin e mandateve, është tani, kjo kohë do të shfrytëzohet. Jam shumë i bindur për këtë.

Një tjetër afat i shkelur, por me konsensusin e të dyja partive, ishte edhe ndarja e KZAZ-ve. U fol për një shtim me të paktën 10 KZAZ, por aktualisht partitë pretendojnë diku tek 80. A mendoni se shtimi i KZAZ-ve do të reduktonte vonesat në numërimin e votave dhe do të ishte një gjë e mirë?

Ambasadori Wollfarth: Gjëja më e rëndësishme është që komisionerët e KZAZ-ve të vijnë në orar dhe të punojnë siç duhet gjatë gjithë procesit. Gjatë zgjedhjeve të fundit, kemi parë ngjarje që kanë lënë për të dëshiruar, për të mos i quajtur defekte. Kjo do të ndihmonte për të rritur besimin dhe për të përshpejtuar procesin, duke përfshirë edhe procesin e numërimit më vonë. Nëse ka më shumë qendra, domethënë më shumë komisione, numërimi do të ishte edhe më i shpejtë, por edhe puna shumë efiçente e KZAZ-ve mund të çonte në një proces po aq të përshpejtuar. Pra, nuk varet vetëm nga numri total i KZAZ-ve, por edhe nga mënyra se si funksionojnë KZAZ-të.