“Paratë do të shkojnë në xhepin e Veliajt”, Ina Zhupa: Buxheti i 2020 parashikon rritje taksash për qytetarët

488
Sigal

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa kundërshtoi buxhetin e miratuar nga Bashkia e Tiranës për vitin 2020, duke deklaruar se ai nuk ju shërben qytetarëve, por oligarkëve. Zhupa u shpreh se vitin e ardhshëm për qytetarët do të ketë rritje taksash, ndërsa renditi edhe disa prej tarifave që do të paguhen më shtrenjtë.

“Bashkia e Tiranës parashikon që të rrisë të ardhurat nga ndërtimet e reja, çka do të thotë se do të vijojë betonizimi i qytetit. Këtë mos ma shit si sukses sepse je duke betonizuar një qytet që është rekordi i lejeve. Shet një sukses një gjë që e dëmton qytetin.

Kemi taksën për pasurinë e paluajtshme. Banorët do të paguajnë më shumë taksa për pronën. Taksa e pastrimit do të jetë 15% më shumë se vitet e tjera. Tarifa e parkimit, shumë e ndjeshme për banorët e Tiranës. Bashkia e Tiranës thotë që përcec metodës me sms, do të printohen edhe bileta elektronike, që i jep një koncesion dikujt nga paratë e mija.

Zona të tjera të Tiranës që ende nuk janë bërë me pagesë, të bëhen me pagesë. Në buxhetin e bashkisë reflektohet një rritje që do të vijë nga tarifat e parkimit. Do të arkëtojë 34% më shumë se 2019. Paratë do të shkojnë në xhepin e Veliajt, por që nuk përdoren për ne, por për oligarkët”, tha zëdhënësja e PD.

Ajo akuzoi Veliajn se po ju mëshon projekteve korruptive që t’i mbarojë sa më shpejt sepse nuk e di edhe për sa kohë do të vijojë ta ushtrojë mandatin e tij të dytë. Sipas Zhupës, në buxhetin e vitit të ardhshëm, fondet e parashikuara për të rinjtë janë të pakta, ndërsa për familjet e prekura nga tërmeti në Kinostudio nuk ekzistojnë fare.

“Ka patur edhe një festë në Tiranë sepse Tirana u shpall kryeqyteti i rinisë. Ai për rininë ka parashikuar 15 milionë lekë të reja në buxhet. Kjo është shifër qesharake. Tirana ka numrin më të madh të të rinjve dhe duhet të ketë sa më shumë aktivitete dhe investime. Në buxhet ai ka vetëm 2 projekte që supozohet që do të nxisin punësimin e të rinjve.

Ky buxhet nuk është për qytetarët, por për të pasuruar oligarkët. Buxheti çon para pafund tek projektet korruptive. 500 mijë euro do të shkojnë për prishjen e Teatrit Kombëtar. Ai ngutet sepse e di që është në një mandat që e ka ilegjitim, që mund t’i mbarojë nga dita në ditë dhe do t’i mbarojë sa më shpejt këto projekte.

Asgjë nuk është parashikuar në buxhetin e Bashkisë së Tiranës si incentivë, si strehim i veçantë për Kombinatin që u prek nga tërmeti. Në vend që të merret me këtë, ai shton policët që t’u gjëmojnë nga mbrapa atyre që shesin në rrugë. Të gjitha i kanë fjalë dhe propagandë, veprat janë të limituara për shtresën e mesme dhe të varfër”, u shpreh Ina Zhupa