Shqipëria vend burimi kryesor për marijuanën, vend kalimi për heroinën e kokainën

360
Sigal

Raporti italian për Sigurinë Kombëtare: Ndrangheta dhe mafia shqiptare kanë forcuar bashkëpunimin e tyre

Shqipëria vazhdon të jetë një prej vendeve kryesore të origjinës së lëndëve narkotike dhe armëve që kontrabandohen në Itali. Sipas raportit për Sigurinë Kombëtare në portet Italiane për vitin 2018, Shqipëria është kthyer në kanalin kryesor të trafiqeve të paligjshme jo vetëm për marijuanën, – drogë për të cilën prej vitesh tashmë, Shqipëria konsiderohet si vend burim kryesor, – por dhe për heroinën e kokainën. Vetëm për vitin 2018, policia italiane ka sekuestruar në portet me dalje në detin Adriatik më shumë se 101 ton lëndë narkotike të tipit hashash, marijuanë, kokainë e heroine. Për marijuanën e hashashin, Shqipëria është vendi kryesor i origjinës dhe janë bandat shqiptare ato që bëjnë transportin përmes gomoneve. Portet kryesore të trafikimit të marijuanës dhe hashashit janë Bari e Genova. Po ashtu, Shqipëria është rrugë kalimi kryesore për heroinën, e cila prodhohet në Afganistan, Iran e Pakistan dhe më pas përmes Turqisë dhe Shqipërisë kalon në Itali. Portet kryesore të prekura nga kontrabandimi i heroinës janë Bari, Brindizi e Trieste. Për sa i përket kokainës, raporti shkruan se trafikimi i saj në Itali është monopol i mafias kalabreze Ndrangheta, bashkëpunimi i së cilës me bandat shqiptare është forcuar shumë vitet e fundit. Edhe në raportin e vitit 2017 të Antidrogës italiane, Shqipëria ishte vendi i origjinës së shumicës së sasisë të marijuanës që kanë si destinacion tregjet italiane dhe evropiane, dhe kishte rol kyç në trafikimin e kokainës dhe heroinës. Po ashtu, Qendra Evropiane e Drogave (EMCDDA), për tre vite radhazi, e ka cilësuar Shqipërinë si vend burimi kryesor për kanabisin që trafikohet në vendet e BE-së.