Rama: Reforma antitepsi, më pak dokumente për qytetarët

666
Reforma e nisur nga qeveria në shërbimin publik është një transformim historik në marrëdhënien e shtetit me qytetarët dhe sipërmarrësit, duke shkurtuar në mënyrë drastike burokracitë, por mbi të gjitha, për t’i dhënë fund korrupsionit në zyrat shtetërore. Në Konferencën Kombëtare për Reformimin e Shërbimeve Administrative, mbajtur dje në Tiranë, kryeministri Edi Rama evidentoi faktin se, vetëm në fazën e parë është shkurtuar 1360 vjet pritje në një vit, sipas tij, një volum i paimagjinueshëm kohe, stresi dhe sigurisht, shpenzimet që rëndonin në xhepin e qytetarëve. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë paralajmëroi të gjithë punonjësit e korruptuar të administratës dhe ata që torturojnë qytetarët, duke mos iu shërbyer. “Është një reformë antitepsi e mirëfilltë në kuadër të objektit strategjik të ndërmarrë nga qeveria për ta çuar tepsinë për skrap. Shumë kush që kërkon punë në shtet, nuk e kërkon për t’i shërbyer shtetit, por për të zgjatur duart në xhepin e qytetarëve, që e sheh si mundësi që edhe ai të ketë shansin për të futur edhe ai dorën në tepsinë e madhe që për fat të keq u bë sheshi për përsheshin e partive dhe arsyeja e moskrijimit të kushteve që shteti dhe administrata të mos modernizohen”, tha Rama. Nëpërmjet kësaj reforme, shkurtohet numri i ndërveprimeve mes qytetarit dhe shtetit, mes shtetit dhe sipërmarrësit, duke shkurtuar duart e shtetit në jetën dhe xhepin e qytetarëve dhe sipërmarrësit. Paralelisht kjo reformë ul në mënyrë drastike procedurat, duke ulur numrin e letrave, dokumenteve, licencave, autorizimeve dhe lejeve që kërkohen apo vërtetimet e pafundme. Kryeministri e ka cilësuar Reformën në Drejtësi dhe Veting-un si ilaçin e duhur për t’i dhënë fund korrupsionit në nivel të lartë. Ai paralajmëroi të gjithë punonjësit e korruptuar se do të përballen me një betejë të ashpër dhëmb për dhëmb me qeverinë. “Dhuna, stresi e tortura e parazitëve ndaj qytetarëve në administratë, është betejë dhëmb për dhëmb me armikun që është paraziti dhe grabitqari në zyrën e shërbimit përkatës”, tha Rama.
Sigal