Rama në zyrë me fishekzjarrë dhe brohoritje

471
Sigal

Qeveria e re betohet tek Presidenti, Rama nga Kryeministria: Bashkim dhe integrim!

 Qeveria që u votëbesua dje pasdite në Parlament u betua para Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama mbërriti në godinën e presidencës rreth orës 18:00 dhe doli prej aty në orën 18:35 minuta. Pasi ka përshkruar duke ecur në këmbë bulevardin nga godina e Presidencës në drejtim të kryeministrisë, Kryeministri Edi Rama është ndalur në shkallët e godinës, në një ambient të sistemuar posaçërisht për të mbajtur një fjalim. Përpara godinës së kryeministrisë, kryeministri i sapo betuar, Edi Rama, ka mbajtur një fjalim të shkurtër përpara mediave dhe të gjithë të pranishmëve, të cilët kishin dalë në sheshin para kryeministrisë për të festuar. “Mirënjohje të gjithë shqiptarëve dhe shqiptareve, nga Tropoja në Konispol, që në 23 Qershor votuan “Aleancën për Shqipërinë Evropiane”, por edhe respekt po njësoj për të gjithë ata që në 23 Qershor nuk e votuan “Aleancën për Shqipërinë Evropian”. Qeveria e re, që sapo është betuar, është qeveria e të gjithë shqiptarëve dhe do të qeverisi për të gjithë shqiptarët. Ne jemi zgjedhur për të bashkuar jo për të ndarë dhe ne do të bashkojmë e  nuk do të ndajmë; ne jemi zgjedhur për të shërbyer dhe jo për të rrëmbyer dhe ne do të shërbejmë dhe do të jemi shembull në luftën kundër padrejtësisë dhe korrupsionit; ne jemi votuar për t’i dhënë të gjithë së bashku Shqipërisë sonë të dashur, Atdheut tonë të përbashkët, energjitë që të ecë më shpejt për një Rilindje Shqiptare dhe të mos humbasë vite të tjera pa fund në rrugën drejt ëndrrës së Shqipërisë evropiane, drejt Bashkimit Europian, drejt përmbushjes së atij amaneti që vjen nga larg dhe që është edhe misioni ynë. Ne, me shumë përulje, ju themi të gjithëve se Rilindja që duam nuk mund të vijë brenda natës dhe se për Rilindjen që duam, kemi nevojë për të gjithë, prandaj do qeverisim me njerëzit dhe për njerëzit. Për ne, këtu mbaron koha e fjalëve në opozitë dhe fillon koha e punës në qeveri. Puna e opozitës është fjala dhe fjala e qeverisë është puna. Duke ju falënderuar të gjithëve, unë ju siguroj edhe njëherë tjetër se këto zyra dhe të gjitha zyrat do të jenë tonat por pushteti do të jetë përsëri i juaji. Shumë faleminderit edhe një herë të gjithëve ju, të gjithëve që na dëgjojnë në të gjithë Shqipërinë dhe të gjithë bashkë atdhetarëve tanë kudo që janë. Ëndrra ka filluar në dhjetor të vitit 1990 me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” dhe ne jemi këtu për këtë ëndërr që duhet të vazhdojë dhe do të vazhdojë më e gjallë dhe më e fuqishme se asnjëherë”,- u shpreh kryeministri Edi Rama. Qeveria e re u votëbesua me 82 vota pro dhe 55 kundër pas dy ditëve seanca me debate maratonë në sallën e Parlamentit sot rreth orës 16:40 minuta. Pas betimit Rama do mbajë një fjalim. Pas betimit ministrat nga godina e presidentit deri tek ajo e qeverisë do të ecin në këmbë. Ndërkaq rrugët janë boshatisur ndërsa simpatizantë të së majtës janë rreshtuar anash bordurave për të përshëndetur forcën e tyre politike që zyrtarisht sot ulet në karrigen e drejtimit të qeverisë.

QEVERIA E RE

1. Edi Rama, Kryeministër

2. Niko Peleshi, zëvendëskryeministër

3. Ditmir Bushati, ministër i Punëve të Jashtme

4. Mimi Kodheli, ministre e Mbrojtjes

5. Saimir Tahiri, ministër i Punëve të Brendshme

6. Klajda Gjosha, ministre e Integrimit Europian

7. Shkëlqim Cani, ministër i Financave

8. Edmond Haxhinasto, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës

9. Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit

10. Arben Ahmetaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes

11. Lindita Nikolli, ministre e Arsimit dhe Sportit

12. Nasip Naço, ministër i Drejtësisë

13. Mirela Kumbaro Furxhi, ministre e Kulturës

14. Erion Veliaj, ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë

15. Damian Gjiknuri, ministër i Energjisë dhe Industrisë

16. Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave

17. Ilir Beqja, ministër i Shëndetësisë

18. Lefter Koka, ministër i Mjedisit

19. Milena Harito, ministre Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike

20. Bledi Çuçi, ministër Shteti për Çështjet Vendore

21. Ilirjan Celibashi, ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin