Paketa antishpifje, Soreca qeverisë: Reflektoni rekomandimet e Venecias!

249
Sigal

Ambasadori i BE, Luigi Soreca ka kërkuar që qeveria të përfshijë të gjitha rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias në paketën antishpifje.

 

Me anë të një shënimi në twitter, ambasadori Soreca vlerësoi angazhimin e mazhorancën për të adresuar të gjitha çështjet në këtë ligj, ndërsa kërkoi nga ajo që të zhvillojë të gjitha konsultimet e duhura me organizatat e mediave dhe shoqërinë.

Ambasadori Soreca e cilësoi këtë një ligj shumë të rëndësishëm dhe se duhet të jetë në një linjë me standardet europiane.

“Çdo amendament në draftin e ligjit antishpifje duhet të jetë në një linjë me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias për këtë çështje. Autoritetet shqiptare kanë shprehur angazhimin e tyre për të vijuar punën me këtë ligj për të adresuar të gjitha çështjet e theksuara në opinionin e Venecias. Kemi ndjekur deklaratat e bëra nga mazhoranca një ditë më parë e cila angazhohet se do të ndjekë të gjitha këto rekomandime dhe se do të zhvillojë konsultimet e duhura. Inkurajojmë autoritetet shqiptare të ndërmarrin konsultime me organizatat e mediave dhe shoqërinë civile për të marrë në konsideratë opinionin e tyre. Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga afër të gjitha zhvillimet në lidhje me këtë ligj kaq të rëndësishëm në mënyrë që paketa të jetë në linjë me të gjitha standardet e nevojshme europiane dhe ndërkombëtare”, shkruan Soreca në Twitter.

Screenshot_5_copy_copy.jpg