Rama: “Në Berat do të fitojmë me rezultatin gjashtë me dy ndaj demokratëve”

430
Sigal

Kryesocialisti prezanton kandidatët në qytetin e Beratit: Votoni PS-në që të shpëtoni nga Berisha, ne do ndryshojmë rrugët dhe jetesën e qytetit

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama së bashku me “skuadrën” e tij ka zbritur në qytetin e Beratit, ku është pritur nga qindra simpatizantë të Partisë Socialiste, të cilët kishin mbushur sheshin pranë Pallatit të Kulturës. Kreu i PS-së ka prezantuar kandidatë për deputet. Rama në fillimin e fjalës së tij tha: “Ne do të fitojmë gjashtë deputetë në Qarkun e Beratit. Unë e them këtë, se kemi një sërë arsyesh për të fituar. Sali Berisha e ka lënë në pikë të hallit Qarkun e Beratit dhe gjithë Shqipërinë. Cili shtet në Europë, po ta kishte këtë qytet me një thesar të tillë do të braktiste dhe ta katandiste kështu?! Berati është një thesar i vërtetë dhe si i tillë, ai duhet vlerësuar. Berati është një qytet 2500-vjeçar  i cili ka një emër të madh, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën. Kur po vinim për në Berat pamë që rruga ishte e shkatërruar. Na u duk vetja sikur po shkonim në një humbëtirë dhe jo në qytetin e kulturës, i cili është një nga pjesët e thesarit. Një njeri me zemër dhe sy në ballë duhet të votojë Partinë Socialiste. Në këtë qytet nuk jetojnë vetëm socialistët, po dhe demokratët dhe të gjithë ata duan të jetojnë si vetë dhe fëmijët e tyre, prandaj ju bëj thirrje edhe demokratëve që të braktisin Berishën dhe të votojnë Partin Socialiste. Kështu atë do të shpëtojnë Partinë Demokratike nga Sali Berisha. Unë u bëj thirrje që të votoni Partinë Socialiste, që të mos zini më rradhën për të blerë bukë me listë, që fëmijët tuaj të mos mbeten analfabet. Ne do ta mbajmë premtimin tonë për një Rilindje të madhe në të gjitha sferat e jetës. Berisha e ka kthyer si Qeverinë ashtu dhe Partinë Demokratike në një parti familjarësh. Si është e mundur që regjimi i Berishës të lërë Beratin në këtë gjendje? Është për t’u theksuar se vendin po e mbyt krimi. Ne kur të vijmë në pushtet pas 23 Qershorit, do t’i kthejmë qetësinë dhe sigurinë popullit shqiptar. Berati është lënë në pikë të hallit për shumë arsye. Berisha e di, se në Berat nuk merr dot votat dhe ai gjen mënyrën për t’u hakmarrë me një popull të mrekullueshëm dhe shumë dashamirës, mikpritës dhe me një kulturë të lartë. Ne, në Berat do të dalim 6 me 2, këtë e them me bindje të plotë se në do të fitojmë thellë në Qarkun e Beratit. Kush i thotë vetes shqiptar, të votojë Partinë Socialiste. Ndërsa demokratët po të votojnë Partinë Socialiste do të shpëtojnë Partinë Demokratike. Në 23 Qershor populli shqiptar do të vendosë fatet e veta”, tha lideri i opozitës. Në këtë takim vlen për t’u përmendur se Rama qysh në fillim të fjalës së tij ka shprehur mirënjohje për deputetin Erjon Braçe dhe Marko Bello, pasi këta deputetë kanë dhënë shumë për Qarkun e Beratit.

Gjatë takimit foli edhe kandidati për deputet, Fidel Ylli, i cili tha: “Votat tuaja nuk do të vidhen më, sepse ne do t’i mbrojmë ato”. Midis të tjerave, Ylli i premtoi Ramës se populli i Beratit do të votojë Partinë Socialiste. “Ne jemi krenarë që jemi pjesë e Qarkut të Beratit. Votoni Partinë Socialiste, se ajo do t’i mbajë të gjitha premtimet e dhëna”, tha Ylli.