Prokuroria nis hetimet për koncesionet multimilionëshe të Ilir Beqaj

591
Nga premtimi elektoral i PS në 23 qershor 2013 “Për Shëndetësi publike falas për të gjithë”, qeveria e Rilindjes dhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj zbatuan një politikë, që e kishin hartuar me kohë, por e mbanin në sirtar: Politikën e dhënies të të gjithë shërbimeve shëndetësore publike me koncension. Kështu, në buxhetin e 2016 parashikohet një fond më i madh në lidhje me 2015, por, 30 milionë euro parashikohen që të paguhen vetëm për koncensionet që ka dhënë në këto 2 vjet ministri Beqaj, ndërkohë që parashikohen të shkurtohen 1.200 vende pune të infermierëve dhe mjekëve, pasi duhet të shkurtohet fondi i pagave. Gazeta “Telegraf”, ka qënë media e para në Shqipëri, që ka zbuluar që në projekt koncensionet që përgatitëte ministri Beqaj, për t’u dhënë paskëtaj për shërbime të ndryshme shëndetësore publike. Kjo politikë e ministrit Beqaj, e dhënies me koncensione të shërbimeve shëndetësore publike, u kritikua shumë në publik, në parlament, në komisionet parlamentare, mirëpo ministri Beqaj, edhe pse asnjëherë nuk argumentoi domosdoshmërinë e koncensioneve dhe transparencën e dhënies së tyre, nuk u tërhoq. 
Prokuroria e Krimeve të Rënda fillon hetimet për koncensionet e minsitrit Beqaj
Njësia Antikorrupsion në Prokurorinë e Krimeve të Rënda regjistron procedimin penal për koncesionet e dyshimta të shëndetësisë, pas një serie shkrimesh investigative dhe sidomos të gazetës “Telegraf”. Koncesionet me vlerë dhjetra milionë euro të ministrisë së Shëndetësisë janë bërë objekt i një hetimi të gjerë, të nisur së fundmi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Procedimi penal është regjistruar nga Njësia Antikorrupsion- përgjegjëse për hetimin e zyrtarëve të lartë publikë dhe pritet të shtrihet në të gjithë piramidën drejtuese të ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë edhe ministrin Ilir Beqaj. Hetimi për koncesionet në shëndetësi është nisur me inisiativë të Prokurorisë, pas publikimit të një serie artikujsh nga gazeta “Telegraf”. 
Ja koncensionet ministrit Beqaj, që do të hetohen nga Krimet e Rënda
Koncesioni për hemodializën, me vlerë 86 milionë dollarë, ai për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë dollarë dhe koncesioni i check up-it falas do të jenë në qendër të verifikimeve të grupit hetimor. Këshilltari i Prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani konfirmoi nisjen e hetimeve me inisiativë për koncesionet në shëndetësi, pas investigimeve të botuara nga media. “Ky hetim ka nisur pas shqetësimeve të shpeshta të ngritura në publik për disa tendera dhe koncesione të realizuara nga Ministria e Shëndetësisë gjatë muajve të fundit, vlera e të cilave arrin në disa dhjetra miliona euro,” tha Serani. I pyetur nëse procedimi penal përfshin edhe ministrin Ilir Beqaj, Serani u përgjigj se ”asnjë zyrtar nuk do të jetë i përjashtuar nga hetimet”. Hetimi për koncesionet në sektorin e shëndetësisë, i regjistruar në Njësinë Antikorrupsion të Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të asistohet edhe nga oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme. Shkak janë bërë procedurat komplekse të dhënies me koncesion të shërbimeve publike, të cilat kërkojnë kohën e tyre për t’u hetuar. Koncesionet multimilionëshe të shërbimeve mjekësore e kanë vendosur ministrin Beqaj në qendër të akuzave të medias dhe të opozitës, pasi kompani të panjohura dhe pa eksperiencë kanë qenë përfituese të tyre. Evita Sh.p.k, e cila përfitoi pjesën kryesore të kontratës së majme 10-vjeçare prej 86 milionë dollarësh për koncensionin e hemodializës. Zanafilla e kësaj kompanie është një bar-kafe modeste në qytetin e Beratit, ndërkohë që pronarja e saj, Majlinda Fetiu nuk rezulton të ketë lidhje me fushën e shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë u përgjigj se “Evita” shpk e fitoi koncesionin për hemodializën bashkë me Spitalin Amerikan. Më pas rezultoi se Spitali Amerikan do të ketë vetëm 15 % të aksioneve në kompaninë e re, të krijuar për operimin e koncesionit. Koncesioni i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, me vlerë 100 milionë USD do të hetohet gjithashtu nga Njësia Antikorrupsion e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Kompania modeste e emigrantit shqiptar në Peruxhia të Italisë, Ilir Rrapaj fitoi 40 për qind të kësaj kontrate, si pjesë e konsorciumit italian të udhëhequr nga “Servizi Italia”. Koncesioni Chek-up, i kontrollit mjekësor falas me vlerë 120 milionë euro, i fituar nga kompania “Marketing& Distribution” me eksperiencë në tregtimin e duhanit dhe alkoolit do të jetë gjithashtu pjesë e këtyre hetimeve.
Sigal