Renditet e treta pas Sarkozy dhe Hollande, dështon Le Pen

460
Fronti Nacional i së djathtës ekstreme ka dështuar të fitojë e vetme zgjedhjet rajonale në Francë pas raundit të dytë i cili u mbajt të dielën. Partia e Marine Le Pen u rendit në vendin e tretë, pavarësisht se kryesonte në 6 nga 13 rajone në raundin e parë të votimit një javë më parë.
Liderja e Frontit Nacional tha se dy partitë kryesore kishin bërë komplot për t’ia hequr asaj mundësinë e pushtetit, megjithëse u zotua se do të luftojë deri në fund.
“Asgjë nuk mund të na ndalojë tani. Duke trefishuar numrin tonë të këshilltarëve, ne do të jemi forca kryesore e opozitës në shumicën e rajoneve të Francës”, ka thënë Le Pen para mbështetësve. 
Republikanët e ish presidentit Nikola Sarkozy u renditën të parët, ndërsa pas tyre socialistët e Fransua Hollande. Socialistët humbën edhe rajonin e Parisit, i cili u kaloi republikanëve për herë të parë në gati 20 vjet. Republikanët fituan shtatë rajone gjithsej, socialistët pesë, dhe nacionalistët kanë marrë një rajon.
Kryeministri socialist Manuel Valls u tregua optimist, pavarësisht rezultatit, ndërsa paralajmëroi rrezikun që vjen nga e djathta ekstreme. 
Kjo ishte prova e parë zgjedhore që nga sulmet e 13 nëntor në Paris, ku u vranë 130 njerëz nga sulmet e planifikuara.
Sigal