Prof. Dr. Kristaq Kume/ Kodi Zgjedhor është i ndërtuar t’u shërbejë partive, jo transparencës së votës

473
Prof. Dr. Kristaq Kume, ish kryetari i KQZ në intervistën për gazetën “Telegraf” evidenton problematikën e Kodit Zgjedhor, që u evidentua në zgjedhjet e 2015 dhe shprehet se partitë politike nuk kanë vullnetin që të bëjnë ato ndryshime, që të depolitizojnë administratën zgjedhore, derisa në çdo hallkë të saj është balancimi dhe përfaqësimi politik i partive, sipas peshës që kanë në elektorat. 
– Zoti Kume, cilat problematika dolën nga zgjedhjet e 21 qershorit 2015?
– Zgjedhjet evidentuan problematika që duke iu referuar përmbajtjes së tyre, mund të grupohen në çështje që kanë të bëjnë me legjislacionin zgjedhor, me zbatimin e tij nga administrata zgjedhore dhe të gjithë aktorët e tjerë që ligji i ngarkon me detyra në zgjedhje, siç janë organet e pushtetit vendor, zyrat e gjendjes civile, policia e shtetit, qeveria, subjektet politike, dhe zgjedhësit. E treta, kulturën demokratike dhe nivelin e saj, referuar kërkesave që duhen të plotësohen, sipas meje, prej një shoqërie, e cila synon të zhvillojë zgjedhje demokratike, zgjedhje në zbatim e përputhje me standartet e gjithëpranuara, me parimet e trashëgimisë zgjedhore europiane dhe me Kodin e Praktikave të Mira në Çështjet Zgjedhore 
– Çfarë është e nevojshme që të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor?
– Zgjedhjet nuk u paraprinë nga një proces gjithëpërfshirës për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor, ndryshime të cilat duhet të ishin bërë për të pasqyruar në të rekomandimet e dhëna prej komisioneve vëzhguese ndërkombëtarë e vendor. Ndryshimet e pakta që u bënë ishin vetëm ndërhyrje të domosdoshme në Kodin Zgjedhor, për ta përshtatur atë me ndryshimet e bëra me hartën e re administrative-territoriale. Do të ishte dashur që rregullimet ligjore të bëheshin për të parandaluar shfaqjen edhe në këtë proces zgjedhor të problemeve të mëparshme, të shfaqura në zgjedhjet e mëparshme, të cilat mund të përmend: Ndryshimet e komisionerëve prej subjekteve politike. Kodi i parregulluar lejon hapësira, për t’i intepretuar periudhën e fushatës zgjedhore dhe në këtë mënyrë për përdorim të fondeve jo publike, pa patur detyrimin për t’u raportuar prej subjekteve, sidomos fondeve të përdorura përpara se të fillojë zyrtarisht fushata. Po ashtu, parë në këtë këndvështrim, kemi edhe në përdorimin e aseteve publike dhe Kodi Zgjedhor, nuk pari asnjë ndryshim për këtë, për t’u zvogëluar hapësirat e veprimit në këtë drejtim, sikurse, sipas meje, Kodi Zgjedhor lejoi që të mos arrihej niveli i dëshuruar i transparencës për fondet e përdorura në fushatën zgjedhore. Nëqoftëse rezultati i zgjedhjeve nuk do të ishte ky që praktikisht u arrit sot, kur diferenca midis kandidatëve ishte e dukshme, problemet do të mbeteshin në të gjithë procesin e administrimit të votës së shqiptarëve në vlerësim dhe numërim të votave, për të cilat Kodi Zgjedhor, i krahasuar me të mëparshmin, nuk reflektoi asnjë ndryshim. Të gjitha këto, duhet të jenë pjesë e punës, që duhet të fillojë për legjislacionin zgjedhor për zgjedhjet e 2017. 
– OSBE/ODIHR në raportet që publikoi, shumë herë vuri theksin të vendimet e politizuara të KQZ. Çfarë ndryshime në Kodin Zgjedhor, mund të bëhen, në mënyrë të atillë, që kjo të shmanget?
– Që të arrijmë në standartet që vendimet e KQZ të mos jenë të politizuara, është e nevojshme që të lëvizet në dy drejtime. Drejtimi i parë është rregullimet që mund të bëhen në legjislacionin zgjedhor në të cilën përcaktohet se si do të jetë vendimmarrja e KQZ dhe e dyta, është lëvizja që do të bëhet në planin e përgjithshëm, në atë të kulturës të zyrtarëve shqiptarë, për zbatimin e ligjit, pasi ai merr detyrën. Kjo do të thotë që pavarësisht, se cili mund të jetë parimi, pas së cilës mund të ndërtohet KQZ, produktet në në vendimmarrjet e KQZ kushtëzohen në mënyrë eksluzive prej integritetit të anëtarëve të KQZ. Rregullimet në Kodin Zgjedhor, duke patur tendencë kryesore, si objektiv kalimin drejt parimit të ndërtimit të administratës zgjedhore, dmth, KQZ duhet sipas parimit të ndërtimit të administratës publikedhe kjo nga forcat politike duhet të konsiderohet si një nga drejtimet shumë të rëndësishme të zhvillimeve të mëtejshme në vendin tonë, të cilat do të ndikojnë ndjeshëm në zvogëlimin e mundësive të ndeshjes me situata të vendimmarrjeve të politizuara. KQZ arriti ta administrojë këtë process zgjedhor duke shfaqur 2 figura. E para, në të gjithë punën që bëri për përgatitjen e procesit zgjedhor, hartimin dhe miratimit të akteve nënligjore, KQZ është treguar një komision teknik dhe në zbatim të ligjit. Është hera e parë që KQZ të miratojë rregulloren e punës. Ndërkohë, kur KQZ i është dashur të marrë vendime të cilat ndjeshëm shfaqin sensibilitetin politik brenda tyre, u ndodhën përpara shfaqjes së sjelljes preferenciale politike të anëtarëve të KQZ., ashtu sikurse edhe përpara vendimmarrjes me 2 standarte. Për mendimin tim, pëveç se përballë kësaj sjelljeve qëndron integriteti i komisionerëve, është edhe efekti i legjislacionit, mangësive dhe boshllëqeve të tij, të cilat treguan se kishte vend për intepretime. Dhe këtu, mund të përmend rastin e e vendimmarrjes si KQZ për të pranuar ose jo kërkesat për dorrëheqje, si edhe vendimet për krijimin e grupeve të numërimit në votave. 
– A shikoni se partitë politike kanë një vullnet të tillë dhe janë gati që të pranojnë që zgjedhjet të mos monitorohen nga një administratë zgjedhore e politizuar?
– Partitë politike, që nga viti 2000 kanë eksperimentuar forma të ndryshme të ndërtimit të administratës zgjedhore dhe në veçanti të KQZ, ndër të cilat kemi edhe opsionet kur KQZ është kërkuar të ndërtohej jo në bazë të ballancimit e përfaqësimit politik. I referohem dispozitave të Kushtetutës në 1998 për zgjedhjet, e cila, sipas meje krijonte kushte shumë të mira për të ecur më tej dhe për t’u zhvilluar edhe ën Shqipëri kultura e administrimit të proceseve zgjedhore larg preferencave politike të administratës, që ligji do ta ngarkonte me detyra të tilla. Partitë politike që morrën vendimin për ta ndërtuar sipas këtij parimi institucionin më të lartë zgjedhor, nuk arritën të “përtipnin” këtë zgjedhje. E ndryshuan, ndërhynë në Kushtetutë dhe sot ne kemi një administratën zgjedhore, në të gjithë piramidën e saj, të ndërtuar sipas parimit të ballancimit e përfaqësimit politik. Partitë aktualisht, nuk kanë asnjë vullnet të shprehur për të ndërtuar administratën zgjedhore, mbi parime të tjera, edhe pse proceset zgjedhore te ne janë të mbingarkuara nga prezenca e mosbesimit të madh midis palëve në garë. Ndaj partitë bëjnë kundes të madh të ndërtojë struktura të tilla zgjedhore, që të kenë mundësi për t’i përdorur e për të kontrolluar njera-tjetrën. 
– Zoti Kume, çfarë duhet të ndryshohet në Kodin Zgjedhor, që të kemi transparencë të plotë të shpenzimeve në zgjedhje?
– Partitë politike nuk kanë detyrim që të deklarojnë burimet financiare, kur ato e fillojnë fushatën para afatit, dhe ja kjo është një mundësi abuzive. Nuk ka asnjë kusht për të deklaruar pasuritë që kanë kandidatët, gjë që bën që subjektet zgjedhore, lidershipi të joshen nga kërkesat që u bëhen nga persona që kanë mundësira të mëdha, që t’i futin në garë dhe këta, nuk kanë asnjë detyrim ligjor të deklarojnë se çfarë fonde financiare vënë në fushatë, si i përdorin ato. Kjo është boshllëk në Kodin Zgjedhor. Kodi Zgjedhor nuk i krijon KQZ kushtet që të bëjë auditimin e shpenzimeve elektorale, ngaqë ka burime dhe performanca shumë të limituara për ta bërë auditimin e shpenzimeve elektorale. Edhe penalitetet që parashikohen në Kod janë të tilla që anashkalohen shumë lehtë nga subjektet zgjedhore. Penalitetet duhet të jenë penalë dhe jo administrativë. 
– Mos ka ardhur koha, që të merren masat teknike, që në zgjedhjet e 2017, numërimi elektronik dhe verifikimi elektronik të zbatohen kudo, që të shmangen tërësisht akuzat për manipulime të votës?
– Në 2013 u tregua qartazi se mungoi vullneti politik që të zbatohen projektet elektronike në zgjedhje. Deri tani, te partitë politike nuk kemi ndonjë shenjë, që kanë ndryshuar për mirë vullnetin e tyre, sepse në rastin kur do të përdoren këto teknika elektronike të procesit zgjedhor, mundësitë për të ndërhyrë partitë politike në procesin zgjedhor, i kanë shumë të vogla. Nuk shikoj që në 2017 të risillet sërish ideja e përdorimit të teknikës elektronike në funksion të mirëadministrimit të votës së shqiptarëve. 
Faleminderit!
Sigal