Prof. Dr. Edmond Panariti: Prodhimet  tona bujqësore dhe blegtorale  janë më të preferuarat në botë

552
Sigal

Flet Prof. Dr. Edmond Panariti: Prioritet dhe objektivat e Kabinetit të Rilindjes për ringritjen e bujqësisë shqiptare

 I thjeshtë, njerëzor, por  një shkencëtar që të bënte për vete me argumentet dhe nivelin e lartë profesional. Pasioni për bujqësinë dhe dashuria me të cilën fliste, kur diskutoje për tokën dhe prodhimet bujqësor, drurët dhe prodhimet frutore, blegtorinë dhe nënproduktet e qumështit e mishit, një njohës i mirë i realitetit, të cilin e kishte shkelur nga veriu në jug, nga lindja në perëndim . Ky është me pak fjalë, Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave

Prioriteti

Prioriteti  ynë është  shërbimi dhe mirëmbajtja e tokës. Plehërimi, ruajtja nga erozioni  dhe përdorimi i teknologjive janë dhe do të jenë prioritet absolut  dhe e vetmja mundësi për rritjen e prodhimit dhe të ardhurave për fermerët dhe  punonjësit e sektorit të bujqësisë.  Para pak kohësh ne kemi ndërmjetësuar me disa kompani të fuqishme amerikane dhe europiano-perëndimore, të cilat marrin përsipër  për të furnizuar  fermerët  shqiptarë me  fara cilësore dhe të kontrolluara, të cilat do t’i përshtaten cilësisë së tokës dhe kushteve klimaterike. Nga ana tjetër do jetë e garantuar  nga këta investitorë edhe shitja e prodhimit.  Madje, duke parë vështirësitë ekonomike të fermerëve tanë shpenzimet e farave, plehrave etj., do llogariten në fund gjatë kohës që do tërhiqet malli. Prodhimet  me OMGJ : Rreziku më i madh sot ka të bëjë nga përdorimi i substancave stimuluese  dhe plehrat kimike që stimulojnë prodhim të shpejtë. Në të gjithë botën  madje, edhe në SHBA,  produktet me OMGJ nuk përbëjnë rrezik për shëndetin apo të lënë pasoja në organizëm.

Angazhimi

Angazhimi im dhe i stafit me të cilin unë kam vendosur të ndryshojmë situatën në bujqësi, ka  të bëjë edhe me krijimin dhe ringritjen e instituteve  të prodhimeve bujqësore dhe atyre të mbarështimit në blegtori. Kërkohet që  të mbillen dhe të inkurajohen në mënyrë shkencore ato lloj produktesh që  japin më shumë rezultate dhe kanë më shumë interes për fermerët  shqiptarë. Fjala bie, ne, nuk mund të bllokojmë ato pak toka me grurë apo me prodhime “dembelësh” sikurse e konsiderojnë edhe specialistet e huaj tërfilin.  Fermerët tanë mbjellin tërfil dhe ai vetëm korret, por nuk na jep asnjë fitim që rrit mirëqenien e tyre. Blegtoria është një tjetër mundësi me të ardhura kolosale ndaj krijimi i institutit të mbarështimit  dhe blerja e racave të zgjedhura  është domosdoshmëri.

Ndihma

Ne si ministri së bashku me specialistët do të përpiqemi dhe do orientojmë fermerët, specialistët dhe  bizneset që të jenë të kujdesshëm dhe të investojnë në prodhime që kanë fitime për grupet e interesit duke përfituar edhe nga kushtet klimaterike që ka vendi ynë dhe ku produktet bujqësore si domate, kastraveci dhe perimet e tjera rriten dhe dalin në treg 1 muaj deri në 1 muaj e gjysmë më parë se vendet që kufizohemi apo ato lindore dhe perëndimore.  Blegtorët duhet ta dinë se një lopë perëndimore nuk mund të japë të njëjtën sasi qumështi si në Francë apo Angli fjala bie, pasi ato janë përshtatur atyre kushteve dhe ne duhet të zgjedhim racën, që i përshtatet vendit tone dhe terrenit gjeografik të Shqipërisë.  Në zonat kodrinore dhe malore  rriten shumë më mirë bagëtitë e imta, të cilat janë të veçanta dhe kullotat tona janë me shumë vlera ushqimore.  Pra duhet të orientojmë drejtë fermerët dhe bizneset se nëse do të ndërtojmë  qendra për rritjen dhe mbarështimin e lopëve ato duhet të  ndërtohen në  zonat fushore, ndërsa dhitë, delet janë për zonat malore.

Aktuale

Krijimi i magazinave  për prodhimet ushqimore dhe blegtorale është projekti që ne kemi nisur dhe që do e shtrijmë në të gjithë vendin. Fermeri duhet ta çoje prodhimin në destinacionin përfundimtar dhe ai duhet të grumbullohet, kontrollohet dhe shpërndahet  tek konsumatori.

Rendimenti

Studimet tregojnë se rendimentin më të lartë e kanë investimet në industrinë e mishit, sidomos atë të pulës dhe vezëve. Duke patur parasysh që ne po përgatitemi për të hyrë në Europë duhet të përshtatemi edhe me ligjet e saj, duke krijuar raporte të drejta mes eksportit dhe importit të mishit të pulës, vezëve apo mishit të lopës e viçit që vjen nga Brazili, Argjentina etj..  Raporti i eksportit me importin tek ne është 1 me 8. Ne duhet të synojmë ta barazojmë duke stimuluar  prodhimin vendas dhe duke bllokuar atë të huaj, i cili cilësisht është shumë më i dobët dhe pa vlerat ushqimore  dhe shijen e prodhimit vendas.

Inkurajimi

Në momentin që po përgatisnim ligjin për subvencionet në bujqësi, pemëtari dhe prodhimet blegtorale, Kryeministri Rama na orientojë për të parë dhe marrë përvojën amerikane.  Dhe profetësia e z.Rama ishte e drejt. Pas vizitës në SHBA ndryshuam projektligjin dhe i përshtatëm me praktikat e përparuara amerikane.  Nëse në Shqipëri  jepet subvencion për një numër të caktuar bagëtish (fjala bie nëse ke 100 dhe i bënë 120 ) për 20 bagëtitë mbi 100 merë subvencion. Por ç’ndodhte? Një pjesë e fermerëve, merrnin lekët dhe thernin bagëtitë që ishin mbi numrin e kërkuar. Atëherë lindi nevoja që këto para të jepen kur dorëzohet mishi në qendrat e grumbullimit dhe më këtë rast edhe e kontrollon cilësisht, por edhe nga ana tatimore. E njëjta gjë edhe për produktet bujqësore dhe pemëtarinë, ku kompensimi të jepet në prodhim dhe jo thjesht në mbjellje. Kjo për faktin se deklarohen që u mbollën 1000 rrënjë ullinjsh dhe pas 6 muajsh ato thahen, ndërkohë që, fermeri i ka marrë paratë. E njëjta gjë duhet të ndodhe dhe do të realizohet edhe me peshkimin, ku karburanti të subvencionohet në bazë të dorëzimit të peshkut dhe produkteve të detit të zëna dhe jo të jepet karburant paradhënie dhe ky të shitet me fuçi në anë të rrugës sikurse është parë  dhe është bërë publike nga mediat dhe emisionet investigative.

Toka

Ligji 7501 është problem më i madh i kohës dhe që kërkon zgjidhje emergjente. Duhet që  me çdo mënyrë dhe me çdo kusht të pajisim me certifikatë pronësie (tapi) të gjithë ata që i posedojnë këto prona, pasi është e pamundur që bizneset shqiptare dhe të huaja të futen në marrëveshje për investime të fuqishme. Është koha që të ndalet ndërtimi i shtëpive në mes të arave, të cilat janë një problem jo vetëm për bllokimin e sipërfaqeve të mëdha të investitorit, por  janë edhe burim përmbytjesh dhe fatkeqësish. Duhet që toka t’i shërbejë turizmit dhe produktet tona të jenë në tryezat e turistëve. Një kokërr domate bënë një pjatë sallatë dhe shitet 300 lekë. Ndërsa po e çove me arka jashtë, fitimet e fermerëve do jenë minimale. Ne kemi ullinj,vaji i së cilës është i paarritshëm për sa i përketë cilësisë dhe veçorive ushqimore. Të huajt mahniten nga vaji ynë dhe deklarojnë që të mos e shesim me etiketën “Vaj ulliri”. Kjo sepse vaji ka kudo në botë dhe shumë lirë, por “Vaji ulliri Kalinjot” apo i Borshit  nuk ka në botë. Ashtu si italianët deklarojnë produktet e djathit kaçkavall, ashtu,  edhe ne duhet të promovojmë vajin tonë, që vetëm kushtet tona klimaterike mund ta bëjnë të një cilësie të rrallë.

Integrimi

Si ish- ministër i Jashtëm nuk mund të qëndrojë indiferentë për statusin dhe angazhimet dhe detyrat e shtëpisë që BE i ka ngarkuar vendit tonë.  Panariti ishte njeriu i dytë që kërkoi zyrtarisht pas Ilir Metës në vitet 2000 përballë Simitisit njohjen dhe futjen në axhendën e bisedimeve me palën greke të Çështjes së Çamërisë dhe pronave të tyre. Për ujërat detare dhe vijën bregdetare ai mendon se duhet ulur në tavolinë me palën grekë dhe duhet zgjidhur me drejtësi çështja e saj. Shqipëria duhet të marrë në grupin e saj ekspertët më të mirë vendas dhe ndërkombëtarë, pasi kjo çështje, ashtu sikurse u zgjidh me Italinë, kërkon zgjidhje edhe me Greqinë.

Edmond Panariti u lind në Tiranë, më 1 Qershor të vitit 1960. Prof. Dr. Edmond Panariti, ka përfunduar studimet universitare në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në vitin 1984. Ai mban gradën shkencore “Doktor i Shkencave” dhe titullin Profesor. Prof. Edmond Panariti ka kryer Studime të thelluara pasuniversitare gjatë viteve 1989 – 1992, pranë Shkollës Politeknike Federale (ETH) dhe Universitetit të Zyrihut në Zvicër. Në vitet 1995 – 2000, është fitues i dy bursave Fulbright për kërkim shkencor dhe ligjërim në Universitetet e Kentakit dhe të Misisipit në SHBA. Në vitet 1994 – 1998 dhe 2004, kryen studime të thelluara pasuniversitare në Universitetin Veterinar të Hanoverit në Gjermani. Z. Edmond Panariti ka një karrierë të gjatë profesionale në Institutin e Kërkimeve dhe Fakultetin e Mjekësisë Veterinare. Edmond Panariti ka shërbyer si drejtues projekti në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe aktualisht është Profesor titullar në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Z. Panariti, është anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim që prej vitit 2004. Ai ka mbajtur funksionet e Kryetarit të Komitetit Drejtues Kombëtar dhe të Sekretarit për Bujqësinë dhe Mjedisin. Në vitin 2011, Prof. Panariti zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe më pas emërohet Zëvendëskryetar i Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2012, emërohet Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe njëkohësisht mbajti edhe postin e Presidentit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Edmond Panariti në vitin 2013 zgjidhet Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të Shqipërisë

Engjëll Musai