Përparim HALILI/ Letër Europës- Mos na futni në BE, pa u ndërtuar dhe… 1 hale…

611
Sigal

(Nuk është për të qeshur)

Të nderuar europianë. Faleminderit, që më në fund na e dhatë statusin e vendit kandidat për në BE. Me ne shqiptarët, që edhe pas 100 vitesh shtet, po vazhdojmë të jemi “leckë”, që siç thotë populli “nuk ka nuk na kap as qeni”, ju europianët u sollët  si me ata studentët e dobët, duke na caktuar një “tezë” me kritere të lehta, se po të qe për ato që duhen plotësuar realisht, ahaha, me këtë klasë politike që kemi ne, nuk plotësohen edhe sikur 1000 vjet të në kërkoni kushte. Kur na dhuruat statusin, dëgjova nga politikanët, se do nisin dhe negociatat për futjen në BE dhe për nisjen e tyre, janë caktuar disa kritere të tjera që duhen plotësuar. Lidhur me pranimin e Shqipërisë në BE, kam një kërkesë drejtuar ju “kokave” të BE-së, kërkesë, të cilën, as ju dhe as politika shqiptare, nuk dua të më konsiderojnë si përpjekje dashakeqe, për të penguar futjen e Shqipërisë në BE. Troç, u kërkoj ju, që 1 nga kriteret e pranimit të Shqipërisë në BE të jetë edhe ndërtimi i ËC-ve publike në Tiranë e nëpër qytete. Në Tiranë, nuk ka asnjë ËC, as në Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Shkodër, Lezhë, Lushnjë, Tepelenë, Peshkopi, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, Shëngjin, Velipojë etj.. Por “krizë” për WC është në Tiranë, në kryeqytet, ku popullsia ka shkuar 1 milion banorë e përveç këtyre, mblidhen gjithë shqiptarët. Ju të BE, kur vini në Tiranë, ndoshta e zgjidhni “hallin” në hotelet dhe restorantet, ku shkoni, po ne shqiptarët, zihemi “ngushtë” dhe na duhet të “shkarkohemi” rrëzë pallateve, institucioneve, trungjeve e shkurreve të parqeve të gjelbëruar. Të dalësh nga shtëpia për të kryer ndonjë punë, duhet të mendohesh mirë, sidomos kur je me prostatë e kur ke punë gjithë ditën jashtë shtëpie. Më në hall, janë ata të shkretët, që vijnë nga rrethet. O ju të BE-së?! Vendoseni për qeverisjen shqiptare,  këtë kriter: – Nuk nisin negociatat për pranimin në BE, po nuk ndërtuat… 1 hale! Aman ore ju të BE-së, po këtu në Tiranë, jemi zënë në hall për 1 hale. S’dimë ku ta bëjmë atë…?! D.m.th, “atë” që po të zuri, ose duhet ta bësh në WC, ose në brekë, ose në ndonjë rrëzë muri, apo trung peme?! Mirëpo WC mungojnë. Na kanë mbetur si alternativë brekët, trungjet, rrëzat e pallateve, anët e rrugicave dhe qoshet e institucioneve ku presim me orë të tëra, për të zgjidhur ndonjë hall. Na thoni ju të BE, ku ta ku ta bëjmë? Ju e keni në dorë të na shpëtoni nga ky hall, duke ia vendosur si kriter qeverisë ndërtimin e të paktën 1 haleje në qendër të Tiranës. Ka patur 6 të tilla, por u zhdukën. Te njëra u ndërtua një karburant. Te njëra u ndërtua një restorant. Tek njëra u ndërtua një kafene. Ne qytetarët detyrohemi ta bëjmë ose në lokale, duke paguar nga halli 1 pshurje, 1 kafe, ose ku të na “zërë”. Por edhe në disa vende të njohura si “hale publike”, nuk na lejojnë mbasi i ka zënë klientela përkatëse. P.sh, rrëzë Teatrit të Kukullave nuk e bëjmë dot, sepse atje shurrojnë ata që vijnë nga rrethet për takime, sekserët, kalimtarët e rastit dhe shitësit e floririt. Tek lulishtja përballë portës së Ministrisë së Bujqësisë, nuk e bëj dot, se atje shurrojnë zyrtarët dhe fermerët dhe barinjtë që vijnë nga rrethet, për takime. Tek muri i ferrosur i ish-hotel “Drinit”, përballë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, nuk e bëjmë dot, mbasi aty e bëjnë policët e shërbimit dhe ata që vijnë për takime. Prapa Postës Qendrore dhe tek ILKPD, nuk e bëjmë dot, se atje shurrojnë shitësit e celularëve, teknikët, rojet dhe shoferët e Postë-Telekomit. Tek stacioni i trenit është bërë akoma më qelbur nga udhëtarët, shitësit ambulantë, shoferët e autobusëve e furgonëve, tregtarët dhe kalimtarët. Mbrapa Ministrisë së Kulturës që lejohet e nuk ka “pronar”, nuk e bënë dot, mbase atje vdes në vend nga era e qelbur e shurrosjeve masive, të atyre që i zë “halli” në qendër të Tiranës.

Ta bëjmë tek Teatri i Operës e Baletit, prapa Pallatit të Kulturës përsëri nuk mundesh dot, mbasi prej 22 vjetësh, atë “shurrosje” publike e kanë zënë prostitutat, jabanxhinjtë, kalimtarët e vendalinjtë që i zë “halli”, por dhe meshkujt e Teatrit të Operës e Baletit. As prapa pallateve tek 9-katëshet, nuk të lejon njeri ta bësh, pasi aty sheshi është i rrethuar me tabelat: “Toka është e xanun nga Mark Gjela Zog Pula i Oroshit”. As tek sheshi “Avni Rustemi” nuk mund ta bëjmë dot në terren pa paguar 30 lekë, mbasi aty vjen një femër me shkop në dorë, me ulërima e kërcënime: “Zhduku prej aneja, është toka eme, o Luk eja mer, thuja brinjat këtijna hajnit”. Ta bëjmë poshtë urës së Lanës te “Dajti”, nuk mundemi, mbasi atje kanë “motelin” lypsarët dhe maniakët seksualë. Ta bëjmë tek ish-Parku, as aty nuk mundemi, mbasi aty është WC e madhe e hapur në natyrë, e qelbur e udhëtarëve e shoferëve të autobusëve të zonave të jugut. Ta bëjmë mbrapa mureve të shkollave, atje janë të zëna nga ata që drogohen dhe nga shurrosësit e rastit. Ta bëjnë tek ura e Lanës tek Rruga e Elbasanit, atje kanë WC pasagjerët e Elbasanit e Korçës dhe kalimtarët. Të kërkojmë ta bëjnë në WC-të e institucioneve e ministrive, ku shkon për takime, nuk mundesh sepse çelësat i mbajnë shefat, mbasi i kanë “kompetencë” të tyre. Ta bëjnë nëpër kafenetë e Tiranës, duhet të pish diçka… Aman o ju të BE-së, ku ta bëjmë se nuk po gjejmë derman?! Të paktën na zgjidhni këtë hall dhe do jeni të nderuar. Vendoseni si kriter për pranimin e Shqipërisë në BE, të na ndërtohet të paktën… 1 hale në Tiranë!

  WC-ve publike në Tiranë e nëpër qytete.