Policia e Shtetit me dy standarde, Tahiri u trembet familjeve mafioze

542
Sigal

Zyrtarisht, në 2005-n në qeverisjen Berisha u tha: Funksionojnë dhjetëra familje mafioze, dhe 40 organizata kriminale! Po sot?

Rezultatet e Policisë Shtetit në shumë drejtime nuk kanë pasur ndonjë efekt pozitiv e parë kjo në vlerësimin e qytetarëve, dhe që lidhet direkt me sigurinë. Efektivat e Policisë Shtetit (apo të ministrit Tahiri) deklarojnë se “kemi çliruar qytetarët nga makthi i madh i pasigurisë në rrugë, nga zhurmat dhe shpejtësia makinave, nga grabitësit dhe kriminelët”. Ndëshkimi i krimit kryesisht atij ordiner, ka bërë që besueshmëria e opinionit tek uniforma e Policisë së Shtetit të pësojë paksa ndryshim. Megjithatë, qytetarët vazhdojnë të qëndrojnë gojëkyçur sa herë që flitet për ndëshkimin e personave dhe grupeve kriminale. Ajo që shqetëson më së shumti qytetarët ka të bëjë me grupet kriminale dhe familjet mafioze. Kanë qenë institucionet e shtetit shqiptar që kanë deklaruar praninë e tyre në qytetin bregdetar. Fakti se deri më tani nuk rezulton të jetë shpërbërë asnjë nga këto “familje mafioze” ka bërë që qytetarët të jetojnë në pasiguri të plotë. Por arsyeja e vetme pse qytetarët tremben të flasin, madje edhe vetë policia, mendohet se është pikërisht frika nga këta grupime kriminale. Zyrtarisht është thënë se “funksionojnë dhjetëra familje mafioze, dhe 40 organizata kriminale” deklaratë e bërë në kohën që qeveria Berisha mori mandatin e drejtimit të ekzekutivit shqiptar në vitin 2005. Ka qenë ish -ministri Brendshëm ai që ka lëshuar këto deklarata në shifra, të cilat pasi bënë bujë të madhe, u fashitën për të mos u cikur më kurrë. Fillimisht deklarimet e ish -ministrit janë marrë si statistika që i përkasin kriminalitetit në shkallë vendi, por më pas është bërë e qartë se 6 familje mafioze dhe 40 organizata kriminale gjenden me aktivitet të plotë në disa qytete kryesore të vendit. Pohimet e ish-ministrit nuk janë përgënjeshtruar dhe kjo është arsyeja që qytetarët ndihen të frikësuar. Që nga ajo kohë nuk ka më asnjë të dhënë se çka ndodhur me këtë kategori kriminale me rrezikshmëri shumë të lartë e cila ka të mundur të jetë edhe thjeshtë një sajesë e ish -ministrit të Brendshëm të qeverisë Berisha. Ajo që dihet ka të bëjë me faktin se pas vitit 2005 janë goditur disa nga grupet e strukturuara kriminale, por edhe në këtë drejtim fare pak prej tyre, ndërsa nuk është folur asnjëherë për familjet mafioze. Fjalët “Mafioz”, “Anëtar i mafies”, “I lidhur me Mafien” dëgjon rëndom mes qytetarëve por askush nuk shkon më tej se kaq. As Policia e Shtetit nuk ka shkuar më tej. Policia prej vitesh është ndalur me goditjen e “peshqve të vegjël” të cilët më së shumti shërbejnë si “krimba” në karremin e krerëve mafiozë. Për shkak të aktivitetit të rrezikshëm kriminal, policia dhe efektivat e saj janë stepur sa herë janë vënë përballë këtyre strukturave. Vetë policia ka shkuar deri atje saqë të deklarojë jo pak herë praninë e aktivitetit mafioz, por deri më tani nuk është dhënë asnjë emër konkret i këtyre grupeve kriminale. “Vrasje mafioze”, “Krim mafioz”, “Larje hesapesh”, janë disa nga artikulimet e bëra nga policia. Askush nuk e merr sot për sot përsipër të tregojë me gisht, me emër të përveçëm, ndërkohë që kjo e bën tërësisht të pambrojtur jetën e qytetarëve tek të cilët pasiguria është mbjellë prej vitesh. Edhe ata pak persona të veshur me pushtet që kanë kurajë për të “denoncuar” shkojnë deri në deklarata boshe, të cilat nuk thonë asgjë. Nga ana tjetër flitet se të paprekshmit ndihen të pushtetshëm në pronat e tyre, zgjerojnë hartën e pasurive të patundshme, kapin tenderime e privatizime të mëdha, shtojnë financat dhe shtrijnë rrjetin. Pronat dhe bizneset e kësaj kategorie janë formalisht të kontrollueshme nga strukturat e shtetit. Kapitali, të ardhurat, burimet, marrëveshjet, kontratat dhe çdo gjë tjetër janë tërësisht të pakontrollueshme. Sipas disa burimeve policore “kjo klasë e kapur fort me politikën dhe shtetin, dikton në çdo gjë, kjo ndoshta ka trembur dhe vazhdon ta trembë Ministrin e Brendshëm , i cili nuk guxon t’u shpallë luftë atyre, por merret me kategori të shpërbëra të krimit që nuk është e vështirë t’u zbulosh lidhjet dhe t’i godasësh.

 Artur AJAZI