PD do të ndjekë çdo rrugë në mbrojtje të Kushtetutës, Rama kërkon kontrollin e drejtësisë

77
Caktimi i një seancë të jashtëzakonshme, vetëm 5 ditë para asaj të zakonshmes, është cinizmi më i madh që i bëhet shqiptarëve në udhëkryqin e tmerrshëm të krimit, korrupsionit, drogës që mbulon vendin dhe varfërisë së njerëzve të thjeshtë. Çdo njeri racional e kupton se asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodh në këto 5 ditë, përveç nevojës së qeverisë për një alibi propagandistike për të dalë nga gjendja ku ndodhet vendi sot. Çdo mëngjes shqiptarët e thjeshtë po e nisin me tablonë më të tmerrshme që ka pasur ky vend. Krimi dhe siguria publike janë makth, banditë që vjedhin bankat dhe nuk kapen, vjedhin shtëpitë, vrasje, krime, varfëri, korrupsion pa fund, drogë, drogë, drogë në çdo fshat, në çdo cep të vendit, platancione që ruhen me armë si në Kolumbi, baronët e drogës që shfrytëzojnë varfërinë dhe të pamundurit, por dhe pushtetin për ta ndihmuar në industrinë e krimit. E për të përmbyllur tablonë, njerëz, trafikantë të drogës, të ulur nga administratë e deri në parlament qe iu zgërdhihen të varfërve e të pamundurve dhe u thonë se ka një alibi për varfërinë, papunësinë, drogën, armët, është drejtësia që ne aktorët e tablosë më therëse do e spastrojmë e do e nënshtrojmë. Që ka gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, më të keq nganjëherë edhe se banditët, as që diskutohet dhe padyshim që ata janë fajtorë për mosçuarjen para përgjegjësisë dhe ndëshkimin e gjithë atyre që vjedhin, trafikojnë, ndihmojnë trafikantët dhe rrjepin të pamundurit, por nuk janë alibi për dështimin e plotë me këto 3 vjet të Ramës. 

Nuk është drejtësia, alibia e dështimit të Ramës 

Nuk është drejtësia alibia e dështimit të Ramës. Nuk është drejtësia për dështimin e Ramës në Dibër, se Shukriun ua solli Rama dibranëve, nuk është drejtësia alibia e Ramës në Dibër, që të dënuarit për trafiqe janë në krye të fushatës për të bërë aleancën me krimin si mjet për të mbajtur pushtetin dhe për të fituar pushtet. Nuk është drejtësia, alibia që në këto 3 vjet Rama nuk arriti të ndërtojë as një km rrugë, asnjë shkollë, asnjë spital, as edhe një vend pune për të papunët, por veç për trafikantët. Nuk ka dot alibi Rama në këto 3 vjet as për arsimin se nga Cania i Sarandës deri tek Luiza e Lushnjes, i vendosi Rama me dorën e vet për të shembur arsimin dhe dhunuar e nëpërkëmbur njerëzit e thjeshtë, votuesit, taksapaguesit, shqiptarët. Por në këto 3 vjet ishin padyshim njerëzit e botës së krimit, të dënuar e liruar nga kjo drejtësi, që u pasuruan, jo falë gjyqtarëve e prokurorëve, por falë një njeriu me të cilin lidhen kontratën më fitimprurëse për krimin në gjithë Europën, por më vrastare për vendin: kontratën e krimit me politikën. Politika dhe krimi në këto 3 vjet u bënë një. Krimi mori poste, u ul vetë në parlament, merr dhe vendime për gjyqtarët e prokurorët. Krimi u ul në administratë, u fut në polici dhe promovoi miqtë, shokët çunat e krimit që mbjellin hashash në do fshat, në çdo copë toke të një vendi që i është gjunjëzuar, në bazë të kontratës me krimin. Ju më ndihmoni në opozitë kur jam në pushtet unë ta shpërblej. 

Tabloja më therëse e një republike

Kjo është historia e dështimit të këtij vendi, të parlamentit, të politikës dhe mbi të gjitha të qeverisë. Kjo është tabloja më therëse e një republike, ku të gjithë përveç krimit ndjehen keq. Padyshim dhe ne të opozitës ndjehemi keq, që jo vetëm nuk kemi ndërmend të fshehim plehrat poshtë tapetit, por dhe më fort duhet t’i themi që shqiptarët mos gënjehen nga makineria e propagandës e mirëpaguar nga gjaku dhe djersa e tyre se ka një alibi për gjendjen dhe fajtor nuk është qeveria. Kanë padyshim faj gjyqtarët e prokurorët e korruptuar të cilët u gjunjëzuan të parët si çdo herë duke i shërbyer qeverisë me shpresën se dita e ndëshkimit do ishte larg tyre. U gjunjëzuan dhe liruan vrasës, deputetë e ish deputetë, liruan trafikantët e ndodhur në makina deputetësh, fëmijë vrasës të deputetëve, trafikantë të lidhur me politikën që ikin nga sytë këmbët. Këto janë të vërtetat dhe e di se shumica e qytetarëve të majtë e të djathtë por dhe deputetë të majtë këtu që nuk u përfshinë në plaçkitjen e Rilindjes në këto 3 vjet mendojnë kështu. Të tjerët po mendojnë se medemek ne të PD po mbrojmë gjyqtarët e prokurorët. Se medemek ju doni të largoni gjyqtarët e prokurorët e korruptuar dhe ne i mbrojmë. Kë të mbrojmë ne nga 15 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë? Ata 5 që dënuan Palokën se me demek fyeu Ramën, 5 të tjerët që dënuan Ristanin se medemek cenoi nderin e Ramës se kishte lidhje me trafikantët, apo ata 5, që falën Arben Ndokën që qëlloi 5 hapa më larg sy të gjithëve Gent Strazimirin? Kë mbrojmë ne nga këta të 15? Kë të mbrojmë nga gjykatat e Apelit? 

Shërbëtorët e PS që i dhanë pronat Shullazit pa qenë një ditë pronar, apo ata të gjykatës administrative që janë shndërruar në këto 3 vjet në ushtarë të bindur të qeverisë, ku 80 % të vendimeve janë pro qeverisë dhe kundër qytetarëve. Statistika të tilla gjen vetëm në vende afrikane ku 80% e gjyqtarëve i bëjnë temena qeverisë. Kë të mbrojmë gjyqtarët e prokurorët që u kthyen në shërbëtorë të qeverisë pas kërcënimeve personale të Ramës dhe futën në burg 37.000 qytetarë për aksionet imagjinare të Ramës për energjinë, ujin e ndërtimet pa leje? Gjyqtarët e prokurorët që burgosin të pamundurit që nuk kanë të paguajnë energjinë dhe lirojnë trafikantët e drogës të lidhur kokë e këmbë me qeverinë? Sa trafikantë janë dënuar nga ata që mbjellin 90% të Shqipërisë me hashash? Asnjërin nga këta nuk mbrojmë ne. Por ne jemi opozitë e vendit dhe si çdo opozitë, ne e kemi për detyrë ndaj zgjedhësve, ndaj qytetarëve, Republikës Parlamentare që t’i themi ndal qeverisë kur ajo kërkon të kap tërësisht pushtetin gjyqësor, ta marrë nën sqetull ta shantazhojë, e ta kapë duke e vënë përfund në shërbim të njerëzve të krimit që ka në parlament, në qeveri, në administratë. Sepse ne e dimë se armiku më i madh i drejtësisë është kapja politike, vënia e drejtësisë në shërbim të krimit të veshur me pushtet, vënia në shërbim të trafikantëve të ulur në karrigen e deputetëve e qeveritarëve, e korrupsionit. Ndaj dhe bëmë atë që ju nuk e bëtë asnjë ditë të vetme në 8 vjet kur ishit në opozitë. U përfshimë kaq intesivisht një vit më parë dhe jemi po aq aktivë në reformën në drejtësi sepse e dinim se nëse nuk do ishim ne, ju do e kishit bërë reformën siç e kishit planin e Rilindjes, të kapur e nënshtruar në shërbim të ministrave të korruptuar, trafikantë të drogës, krimit të lidhur me pushtetin. Dëshmi e plotë e kësaj që po them, është drafti kushtetues i një viti më parë, që i jepte drejtësinë tërësisht në dorë Ramës, i jepte të gjitha organet e reja që krijoheshin, t’i emëronte ai të gjitha, të kishte ai dorë të lirë në kontrollin e plotë të drejtësisë. Ne e dinim se po mos hynin ne, vrulli i arrogancës do të fshinte nga faqja e dheut çdo gjyqtar e prokuror të ndershëm që do të qëndronte në këmbë një minutë kundër qeverisë dhe do refuzonte shërbimet ndaj saj. 

Angazhimi i PD në ndryshimet kushtetuese

Ne e dinim se nëse nuk do ishim angazhuar ne edhe partnerët nuk do mund të ndihmonin në ndërtimin e një reforme për një drejtësi solide, të përgjegjshme ta pavarur të paanshme. E dinim se nuk do ishim ne një vit më parë, Byroja e Hetimit do ishte nën Ministrin e Brendshëm, se ministri i qeverisë, Kryeministri do të emëronin, hetonin e largonin vetë gjyqtarët, sepse prezenca e Ministrit ishte barbari juridike dhe shembje e plotë e standardeve europiane. Ishim të vetëdijshëm për rolin e opozitës, bëmë atë që ju nuk e bëtë kurrë në 8 vjet dhe ndoqëm jo rrugën e lehtë të bojkotit siç bënit ju, por rrugën e vështirë, punën për konsensusin. U vetofruam për të qenë bashkë dhe për ti provuar shqiptarëve se ju nga dita e parë e nisët me djallëzi dhe hile këtë proces dhe se qëllimi i vetëm i reformës, ishte kapja politike. Ndaj punuam duke bërë mbi 300 rekomandime, 1000 faqe analiza e rekomandime drejtuar Venecias dhe ndërkombëtarëve, më shumë se 1000 emaile dhe shkëmbime mendimesh mes ekspertëve tanë dhe ndërkombëtarëve, mijëra orë pune gjatë këtij viti. Angazhuam Komisionin e Venecias, sepse ishte aleati më i besueshëm dhe kryesor larg qëllimeve afatshkurtra dhe mbrojtësi më racional dhe i qëndrueshëm i parimeve dhe standardeve europiane për një drejtësi me gjyqtarë e prokurorë jo si ata që kemi sot, që e pësojnë vetëm qytetarët e thjeshtë dhe opozita dhe krimi ikën në drejtim të paditur. Por për një drejtësi të aftë të përgjegjshme, llogaridhënëse, ndëshkuese ndaj krimit dhe korrupsionit dhe të pavarur nga qeveria e radhës, të panënshtruar dhe pakontrolluar as nga Rama kryeministër, as nga Basha kryeministër. Ishte kjo punë e jashtëzakonshme, por mbi të gjitha e sinqertë deri te çdo sekondë e opozitës, ekspertëve jashtëzakonisht profesionalë të saj, që solli rrëzimin e draftit të Rilindjes plot 38 herë nga Venezia, për të kërkuar futjen e reformës Kushtetuese në shinat e standardeve europiane, duke i hequr hilet e ulëta të hartuara fshehtas qytetarëve por edhe fshehtas ju deputetëve të majtë e të djathtë. Në mëngjesin e 22 korrikut reforma Kushtetuese u miratua me 140 vota. 

Opozita arriti të çmontonte kapjen politike që ishte inskenuar. Eliminoi kapjen politike të KED, KLGJ, kapjen politike të KLP, të ILD, të KKP (Vetingut). Eliminoi kapjen politike të SPAK, vendosjen e Byrosë nën hyqmin e Ramës në Ministrinë e Brendshme. Por padyshim që bëri tolerime, në favor të konsensusit, në dëm të kompetencave presidenciale, të sigurisë juridike për anëtarët e institucioneve, dhe për dhjetëra çështje të tjera si ishte dhe neni idiot për detyrimin e Presidentit që të zgjidhte brenda 5 ditëve anëtarët e KED. Ky nen e të tjerë u vendosën në tekst nga PS vetëm nga paranoja që kishin ndaj Presidenti të Republikës dhe asnjë prej tyre nuk doli të kërkonte ndjesë për këtë paranojë të turpshme që e futën implementimin e kushtetutës në kolaps. Në të vërtetë, pavarësisht na pëlqen apo jo ligji, ky nen apo ai nen i Kushtetutës, ato duhet të respektohen, duhet të zbatohen, pa asnjë ekuivok, zero, përfshi këtu nga qytetari i thjeshtë, tek ne 140 deputetët që e votuam këtu. Dhe ky parim, zbatimi i përpiktë i kushtetutës së 22 korrikut duhet të jetë e vetmja linjë që duhet të ecet edhe për ligjet e paketës së reformës në drejtësi. Edhe tek projektligji i Vetingut që kemi sot. Nuk ka patur asnjë dilemë, në asnjë sekondë PD për vetingun, për karantinën që duhet të vendosen gjyqtarët e prokurorët e vendit për të larguar njëherë e përgjithmonë, gjyqtarët e prokurorët e paaftë e të korruptuar. E mbështetëm në parim që para një viti pa asnjë ekuivok Vetingun dhe ndërtimin e prokurorisë speciale. E mbështetëm me të gjitha votat opozitës në 22 korrik, vetingun bazuar në rekomandimin e Venecias për një proces me standarde europiane që mbante larg qeverinë dhe pushtetin nga procesi. Vetingu, sipas Rilindjes një vit, më parë ishte futja në provim e gjithë gjyqtarëve e prokurorëve me një testim me gojë, përfshi testin psikologjik, të bërë totalisht nga njerëzit e Rilindjes dhe jo organe të pavarura, model ky tërësisht socialist. Recidivist në llojin e vet, pasi e kishin bërë po të njëjtët njerëz të Rilindjes së sotme që në vitin 2000 ku larguan gjyqtarë dhe vendosën në krye të gjykatave, nga shkalla e parë e Tiranës e deri tek e Larta, ministra, ish ministra, zëvendësministra, deputetët i bënë gjyqtarë në gjykatë të lartë, ministrin e bënë kryetar të gjykatës së lartë, kryetarin e komisionit të ligjeve e bënë kryetar të gjykatës kushtetuese e kështu me radhë, ministra e zëvendësministra anëtarë të KLD. Por ama të gjithë këta Berisha i respektoi në mandate deri ditën e fundit edhe pse nuk e meritonin një minutë me përjashtim të Ilir Pandës që vërtet qëndroi i ekuilibruar deri ditën e fundit të mandatit. 

Model serb i Vetingut

Ky model i Rilindjes që gjendej në rajon vetëm tek si motra e saj serbe që e kishte zhvilluar testimin me gojë këtu e 2 vjet me parë dhe kish dështuar plotësisht. Të njëjtin model Rilindja kish përcaktuar edhe për njësitë antikorupsion, të cilat në mënyrën më absurde të imagjinueshme do ishin nën Ministrin e Brendeshm. Ministri i Brendshëm që do hetonte ministrat e tjerë. Paradoks total. Po aq paradoksal ishte dhe propozimi i një modeli që paraqiti Ukraina në Venecia me një parashikim iluminist që të shkarkonte gjithë gjyqtarët e prokurorët e t’i emëronte nga e para, propozim që mori përgjigjen e merituar nga Komisioni i Venecia. Padyshim që Vetingu, karantina për gjyqtarët e prokurorët ashtu siç është përshkruar në Kushtetutën e 22 korrikut pas rrëzimit në 38 herë të drafteve të qeverisë është një masë e rëndësishme për të vendosur besimin e qytetarëve tek gjyqtarët e prokurorët. Ne kemi mbështetur hapur qëndrimin e Komisionit të Venecias se Vetingu është proces jo i zakonshëm, i rrallë por i nevojshëm për të larguar gjyqtarët e prokurorët e korruptuar të paaftë dhe të kapur politikisht e të nënshtruar dhe për t’i ndarë ata nga gjyqtaret e prokurorët e ndershëm, të pavarur dhe jo shërbëtorë politikë të qeverisë. Por në këtë proces thotë Venecia ka një rrezik potencial që krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga forca politike që ka pushtetin (paragrafi 97-128 i Venecias). Ndaj Venecia kërkoi 2 kushte: Pavarësi të institucioneve të reja që do bëjnë Vetingun, standarde europiane gjatë spastrimit të drejtësisë. Ky proces i përkohshëm do të përfshinte tre komponentë: a. kontrolli i pasurisë, kontrolli i figurës dhe kontrolli i aftësive profesionale. Do të bëheshin institucione krejtësisht të reja, që do kryenin përkohësisht këtë proces dhe do të kishin pushtetin ekskluziv për të kaluar në karantinë gjithë gjyqtarët e prokurorët e vendit dhe të ndanin njëherë e mirë shapin nga sheqeri, llumin nga të pastrit e të ndershmit, të pavarurit nga të nënshtruarit politikë. Ky ishte konsensusi i 22 korrikut për Vetingun në Kushtetutë sipas nenit 179 të saj. Vetingun duhet ta bëjnë ekskluzivisht organet e reja, organet e reja tërësisht të pavarura nga Rama, Basha apo Meta, procesi të bëhej brenda standardeve europiane të Konventës Europiane. Por ku jemi sot? Ligji i sotëm vjen këtu pa konsensusin e opozitës. Ai është në shkelje totale të Kushtetutës së 22 Korrikut? E kthen përmbys Kushtetutën duke e kthyer procesin e Vetingut tërësisht në favor të një mazhorance politike. Dhunon standardet europiane dhe Konventën Europian dhe si i tillë duhet të ndryshohet sipas amendamenteve të opozitës. 

Po përse ky draft bie në kundërshtim me Kushtetutën e re?

Së pari, vetingun duhet ta kryejnë Komisioni i Vetingut që do krijohet sipas Kushtetutës, por anëtarët e Komisionit të Vetingut, një komision i konceptuar si pavarur që do ketë pushtetin për të larguar gjyqtarët e prokurorët e korruptuar e të paaftë, sipas nenit 24 të këtij ligji do të jenë nën monitorimin e plotë, të kujt thoni ju? Të Edi Ramës. Anëtarët e komisionit do ti monitorojë i Drejtori i DPPP që është një Alket Hyseni, kryetar i komisionit të garancive statutore në PS. Kaq më mjafton. Tani si mendoni ju, është në përputhje me kushtetutën që sekretari i partisë të kontrollojë anëtarët e komisionit të Vetingut që do pastrojë gjyqtarët dhe që ky komision të jetë i pavarur pastaj?? Po as i PD nuk mund të jetë nesër, se kjo është barbari, është paradoks. Këtë e kupton edhe vajza ime 10 vjeç, nuk ka nevojë fare për super ekspertë, që të na mbushin mendjen, le pastaj edhe klithmat e Kryeministrit se medemek ekspertët europianë ngulin këmbë që ky Alket Hyseni duhet të kontrollojë anëtarët e Vetingut, dhe meqenëse ne qenkemi kundër kontrollit të tyre nga një sekretar Partie, ne të PD qenkemi kundër BE dhe SHBA. Po ka njeri me mend që e pranon këtë? Kjo e ka të shkruar në ballë. Çfarë duhet të bëjë opozita? T’i thotë aferim kryeministrit që kërkon të kontrollojë tërësisht komisionin e vetingut? Askush nuk duhet ta shkojë nëpër mend që opozita këtu apo gjetkë, opozita e sotme apo e nesërme ti thotë po një përcaktimi të tillë. 


Së dyti, ne kishim rënë dakord në 22 korrik se Vetingun, kontrollin e pasurisë, kontrollin e njohurive dhe kontrollin e figurës për gjyqtarët do ta bënin ekskluzivisht komisioni i Vetingut. Këtë thotë neni 179 e vijues i Kushtetutës. Kurse p/ligji i njëanshëm që keni sjellë vendos rol aktiv dhe përcaktues organe të kontrolluara apo nën varësinë e pushtetit ekzekutiv (ILDKPKI dhe DSIK), që padyshim pasjellë kontroll tërësor të Qeverisë në të gjithë komponentët e procesit të rivlerësimit duke lënë jashtë çdo kontrolli apo drejtimi nga organet e vettingut. Ky fakt, bie ndesh me pikën 5, të nenit 179/b, ku specifikohet se rivlerësimi kryhet nga KPK. Gjithashtu, kjo bie ndesh me pikat 3 dhe 4 të Nenit Ç të Aneksit të Kushtetutës. 
Së treti, dhe më paradoksi sigurisht është kontrolli i figurës së gjyqtarëve e prokurorëve në kreu V. Për të gjithë qytetarët por dhe për ju kolegë që nuk e keni lexuar ndoshta, gjyqtarët largohen nga detyra automatikisht, pavarësisht nëse janë ose jo të pasur, janë ose profesionistë, janë ose jo të korruptuar apo të ndershëm, të gjitha këto nuk kanë rëndësi, mjafton që të ekzistojë një foto e një gjyqtari apo prokurori me një person që ka qenë i dënuar, gjyqtari apo prokurori ikën nga detyra. Mjafton që sipas nenit 34 të ketë një dëshmitar që të thotë se ka parë në filan lokal një gjyqtar apo një prokuror me një person që është dënuar, është i padënuar por i është ngritur akuzë etj, vetëm me këtë dëshmi gjyqtari e prokurori nga Gjykata Kushtetuese e deri tek gjykata e shkallës së parë e ndërpret karrierën. Dhe më paradoksi është se këtë nuk e bën komisioni i vetingut që supozohet të jetë i pavarur sipas Kushtetutës, por këtë bën një grup pune me anëtarë: Drejtori i SHPCB i Ministrit të Brendshëm, drejtori i Edi Ramës për informacionin e klasifikuar të dy emërime politike, njerëz të lidhur kokë e këmbë me PS. Këta drejtorë të Ramës dhe Tahirit do mblidhen dhe do thonë se gjyqtari x apo y duhet të ikë nga detyra jo se është i korruptuar apo i paaftë por se këta, drejtorët e Edi Ramës medemek paskan foto dhe dëshmitarë se i paskan parë me njerëz të papërshtatshëm dhe duhet të largohen se ky medemek është standard europian. 

Barbaria juridike

Ky kapitull që vendos gjyqtarët e prokurorët nga më i thjeshti deri tek Gjykata Kushtetuese e Prokurori i Përgjithshëm nën vlerësimin e drejtorëve të Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm është barbari juridike, antikushtutese, pasi bie ndesh me nenet 179 e vijues dhe dhunon standardet europiane për një gjykim të drejtë e të provuar në procesin e Vetingut. Ky proces i largimit të gjyqtarëve e prokurorëve bazuar në foto e dëshmi të mbledhura nga drejtorët e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës është skandaloz, i papranueshëm, është selektiv dhe absurd. Ky jo vetëm që nuk është standard europian si thotë Venecia dhe të paktën 8 herë në këto 10 vjet Gjykata e Strasburgut për largimin e gjyqtarëve, por është sa qesharak aq edhe meskin për ne që kërkohet ta miratojmë. Po ja ku jemi ne këtu. Na fotografoni, keni fotografi më të mirë? Ne bashkë me të dënuarit për trafik ndërkombëtar droge, ne bashkë me të dënuarit për trafik prostitucioni, grabitje. Merrni fotot tani ju të medias dhe 3 milionë shqiptarë që na dëgjoni dhe nëse është standard për ju, na largoni te gjithëve, edhe ata që janë trafikantë dhe ne që rrimë me trafikantë, bëni vetingun e këtij lloji fare thjeshtë duke u nisur nga fotot e kryeministrit me trafikantët që i bëri kryetar bashkie dhe deputetë që i solli këtu. Të shpëtojë parlamenti njëherë nga ky Veting pastaj nëse ky është standard europian ta bëjmë edhe për gjyqtarët e prokurorët. Nëse një letër apo fotografi e një drejtori të Ministrit të Brendshëm që prokuroi apo gjyqtari janë parë në një kafe me një ish të dënuar, mjafton, që të ikin nga detyra, atëherë të ikim e shporremi ne të parët nga kjo sallë sepse dëshmitarë kemi 3 milionë shqiptarë se si ne rrimë me trafikantë këtu në zemër të parlamentit dhe kemi kryetarë bashkie trafikantë. Ky është standardi i dyfishtë që përdor kryeministri edhe tek ky projektligj dhe nuk ka ekspert që të thotë se gjyqtari apo prokurori duhet të largohen nga detyra me letra, foto apo dëshmi të mbledhura nga drejtori i Ramës dhe Tahirit. Nuk ka ekspert që të thotë se gjyqtarët e krimeve të rënda, prokurorët e krimeve të rënda, Prokurorin e Përgjithshëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet t’i kontrollojë drejtori i ministrit të brendshëm kushdo qoftë ai sot apo nesër, apo drejtori i kryeministrit, sot apo nesër. Dhe le pastaj kur dëgjon dhe Ramën që thotë se medemek meqënëse ne opozita qenkemi kundër kontrollit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga drejtori i ministrit të brendshëm dhe drejtori personal i Ramës, ne qenkemi kundër BE dhe kundër SHBA se medemek BE dhe SHBA ngulkan këmbë se kontrollin e gjyqtarëve e prokurorëve duhet doemos ta bëjnë vetëm drejtorët e Tahirit dhe Ramës. 

Po çfarë kujton ju, se opozita do t’i bëjë aferim kryeministrit? 

Le të dalë këtu e të na thotë kushdo se qenka standard euoprian që drejtorët e ministrit të brendshëm dhe kryeministrit të kontrollojnë gjyqtarët e prokurorët. Dhe se kështu paskan dashur edhe qytetarët reformën. Jo absolutisht. Qytetarët kanë kërkuar që të largohen gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe të paaftë që nuk e justifikojnë pasurinë e tyre. Këtë proces qytetarët duan ta bëjnë shpejt por duhet ta bëjnë jo organet që janë sot e gjithë ditën dhe kanë dështuar, nuk duan ta bëjnë as Rama sot e as Basha nesër kryeministër, por duhet ta bëjnë organe të pavarura nga politika dhe qeveria para se gjithash. Këtë përcakton qartë Kushtetuta në nenin 179 dhe anekset e saj dhe çdo devijim do e bënte antikushtetues ligjin. Do e bënte ligjin të pavlerë, nul dhe do të dështonte reformën në drejtësi, në të njëjtën mënyrë, në të njëjtën formë siç dështoi Byroja Kombëtare e Hetimit që do ndëshkonte gjyqtarë, prokurorë dhe politikanë të korruptuar. E mbani mend propagandën 1 vit më parë. Çfarë nuk do bënte Byroja, por Rama e donte nën vete, nën Ministrin e Brendshëm që i të hetonte korrupsionin e qeverisë së tij. Paradoks total, që dështoi edhe pse u bë me arrogancë njëlloj siç bëhet sot, me injorim të plotë të konsensusit dhe standardeve europiane, njëlloj si po bëhet sot, me qëllim për ta patur nën vete gjithë procesin, njëlloj siç bëhet dhe sot. Dhe ja ku jemi pas një viti sot, BKH që do hetonte të paprekshmit që e donin shqiptarët, nuk dështoi se e kishte fajin populli por se kështu e donte Edi Rama. Opozita e ka dhënë votën e saj 100% në 22 korrik për procesin më të thellë kushtetues dhe sipas standardeve europiane për pastrimin radikal të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, të paaftë dhe të kapur politikisht, të njohur si veting. Projektligji i sjell sot nga qeveria është jashtë çdo konsensusi, çdo standardi europian dhe dhunon Kushtetutën e vendit. Kryeministri kërkon që pastrimin e drejtësisë, kontrollin e gjyqtarëve e prokurorëve ta bëjë ai me ministrat dhe drejtorët politikë dhe opozita e vendit, siç do opozitë në çdo vend demokratik nuk mund të pranojë kapjen politike të këtij procesi. Ky projektligj dhunon hapur Kushtetutën e 22 korrikut dhe miratimi i tij në mënyrë të njëanshme, pa konsensus rrezikon dështimin e reformës, për të cilin fajtor njëlloj se tek Byroja e Hetimit do të jetë një njeri Edi Rama. Opozita nuk do e votojë një projektligj pa konsensus që dhunon Kushtetutën dhe standardet europiane. Opozita do ndjekë rrugën në mbrojtje të Kushtetutës së 22 korrikut për një reformë në drejtësi, vetëm dhe vetëm sipas asaj kushtetute dhe bazuar në standardet më të mira euroatlantike.