Kompania pranë qeverisë fiton projektin elektronik të 25 prillit

57

Vetëm një kompani ka mbetur në garë për të bërë identifikimin elektronik të votuesve në zgjedhjet e ardhshme. Ajo është kompania “Smartmatic”. Të gjitha kompanitë e tjera janë tërhequr nga gara, ose nuk kanë dorëzuar dokumentacionin përkatës. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi procedurën prokuruese me objekt ‘Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre pas zgjedhor’. Dje ishte afati i fundit për të paraqitur dokumentacionin e kërkuar, ofertën ekonomike dhe dorëzimin e pajisjes së kërkuar (mostrës) nga kompanitë.  Në këtë procedurë u ftuan për të marrë pjesë 6 kompani, nga të cilat u paraqit një 1 kompani. Aktualisht, KQZ është në fazën e vlerësimit të ofertës, shqyrtimit të dokumentacionit dhe vlerësimit të pajisjes së paraqitur nga kompania.”– ka njoftuar KQZ dhe jep detaje mbi fondin limit ndërsa sqarohet se procesi është në fazën e shqyrtimit të dokumentacionit dhe vlerësimit të ofertës së paraqitur nga kompania. “Në procedurën prokurues me objekt ‘Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre paszgjedhor” operatori ekonomik që mori pjesë është kompania ‘Smartmatic’, me fond limit 19.976.374,23  USD pa TVSH. Smartmatic është një kompani britanike me qendër në Londër, e cila sipas KQZ-së është e vetmja që ka paraqirur një ofertë konkrete, ndonëse 6 kompani më parë kishin shfaqur interesimin. Vitin e kaluar kjo kompani ka realizuar edhe sistemin për zgjedhjet e brendshme në Partinë Socialiste. Kompania është e profilizuar për prodhimin e sistemeve të votës elektronike, të përdorura në vende, si Estoni, Filipine, etj, si dhe në përdorimin e kësaj teknologjie në primaret Presidenciale Republikane.